Shaqir Islami: Arnimi i Autoritetit Politik

shaqirislami

Shaqir Islami

 

Një thënie popullore thotë: “Nëse i ke humbur paratë; nuk ke humbur gjë. Nëse e ke humb shëndetin; ke humbur diçka. Por, nëse e ke humbur fytyrën; dije se ke humbur çdo gjë”.

Javën e kaluar, ishte ftuar nga USHT’ja si mysafir, vet Kryetari i Kosovës z. Hashim Thaçi. Mu në prag të zgjedhjeve jetike për shtetin tonë. S’do mend se aty ku është z. Thaçi, është lajmi. Mediat e përçuan anekënd këtë lajm të dhënies së titullit ‘Doktor Nderi’ Kryetarit të Kosovës. Shumë punë e madhe! Në një rast tjetër dhe në një kohë tjetër, kjo ndodhi do të pranohej me simpati nga të gjithë ne. Sot ky akt i pamatur i Kryetarit të Kosovës, ngjalli më shumë neveri. E ky ‘gaf politik’ shtron një pyetje politike, sepse vet akti i nderimit të Kryetarit Thaçi nga ana e USHT’së është kryesisht politike: a ka dhe pse shërbejnë këshilltarët e Kryetarit të shtetit të Kosovës ?

Kjo praktikë e shëmtuar e politikanëve tanë të komprometuar, sa herë që kanë nevojë për arnimin e autoritetit politik; ose shkojnë i takojnë politikanët e Shqipërisë dhe të Kosovës; ose i ftojnë të vijnë në Maqedoni duke sajuar gjoja se ndonjë ndodhi apo siç i thoni ju “event”, me qëllimin që t’u galvanizohet autoritet i rremë këtyre politikanëve të korruptuar dhe të komprometuar deri në koc. Fotografimi i përbashkët, shtrëngimi i duarve, buzëqeshje të rremë, këmbim i fjalëve miradijeje ose lëvdata boshe shërbejnë si arna për leckamanët tanë politikë.

Vë bast se ideja për ardhjen e z.Thaçit në USHT nuk buron nga politika Shqiptare, sepse tek ata s’ka kush që di të mendojë për “pseudo eventet”; sërish vë bast se frymëzimi për ta nderuar z. Thaçin ka shumë gjasa të ketë ardhur nga makineria e fuqishme e VMRO’së për Marrëdhëniet me Publikun. Sepse vepra të tilla janë teknika të njohura të kësaj industrie. Me sa duket, VMRO’ja gjithë e më shumë brengoset për mos-mobilizimin e votës Shqiptare dhe sidomos për dy ortakët e vet që e mbajnë në pushtet dhe ia mundësojnë realizimin e politikave fashiste ndaj shqiptarëve. Prandaj, është ftuar z. Thaçi që të nderohet në prag të zgjedhjeve, vetëm e vetëm që të shërbejë si pykë për ta përçarë sa më shumë kampin tonë politik.

  1. Hashim Thaçi bëri një gaf politik, na ofendoi rëndë, ky popull nuk e meriton një gjë të tillë. Dy liderët e brejtur nga korrozioni i komprometimit, mund të jenë shokët dhe miqtë e dashur të tij; por, vepra e madhe humane e paparë në botë gjatë luftës së Kosovës është kryevepra humane e mbarë popullit dhe jo të shokëve të tij.

Këta binekë të Sijamit, tashmë nuk i shpëton as të ringjallet vet Skënderbeu dhe të fotografohet me ta, e jo më politikanë aktualë, kushdo qofshin ata. Që të dy janë të komprometuar aq shumë sa që çdo lëvdatë boshe dhe fotografim nuk u ndihmon dot. Çfarëdo galvanizimi qoftë, vetëm i shëmton dhe i cullakos edhe më shumë në sytë e popullit të kolonizuar dhe të mjeruar nga tradhtitë e këtyre politikanëve zullumqarë.

Besoj thellë se, me këtë rast është keqpërdorë autoriteti i Kryetarit të Kosovës duke marrë anë mu në prag të këtyre zgjedhjeve shumë domethënëse për qytetarët tanë; ky lëshim i stafit të tij nuk duhet përsëritur, edhe sikur të kishin pasur qëllimet më të mira dhe më të sinqerta.