Shaqir Islami: Dehumanizimi i shqiptareve ne Maqedoni

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

 

Proceset aktuale politike, sociale, kulturore dhe ekonomike pasqyrojnë  dhunë të paparë psikologjike ndaj Shqiptarëve në Maqedoni. Shoqërinë e mbizotëron paraliza-mendore.  Procesi zullumqarë i dehumanizimit sistematik të Shqiptarëve vazhdon me këmbëngulje, ndonëse sunduesit e mohojnë këtë përmes demagogjisë patriotike dhe mendësisë folklorike.
Regjimi  përpiqet me tellallët e vet ta zbukurojë realitetin e hidhur; përderisa, Shqiptarët shtypen dhe shpërfillen sikur me pas gjendje të jashtëzakonshme. Politika e aparthejdit i trajton si qenie çnjerëzore. Këta vuajnë vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare! Zbatimi i kombinuar i teknikave për trysni psikologjike synon shkombëtarizimin e Shqiptarëve në Maqedoni.
Ky regjim i shfrytëzon Shqiptarët  ‘dash për kurban’. Ata janë fajtorë për çdo gjë! Papunësia, varfëria, kriza ekonomike, politikat diskriminuese, mungesa e investimeve, marrëdhëniet e acaruara ndëretnike, për të gjitha dështimet e regjimit … bile edhe për motin e keq në katundet Dollnodupeni dhe Gornodupeni, …  fajtorë janë “shiptarite”. Ky narrativ është konstanta e komunikimit politik të regjimit. Stigmatizimi i popullit si çnjerëzorë (i dehumanizuar) dhe i demonizuar (shejtanizimi), pra i zhveshur nga virtytet morale, humane e justifikon diskriminimin. Këto janë teknika-psikologjike të suksesshme,  edhe për shkatërrimin e kohezionit të shoqërisë. (Kohezioni është fija, fuqia që e lidh, e bashkon shoqërinë). Pa kohezion social shkaktohet bashibozuku.
Ky narrativ e ndan shoqërinë midis “neve” dhe  (‘shkieve’) ose “nie” dhe “shiptarite”, duke përdorë stereotipe negative dhe paragjykime. Ky është oksigjeni dhe moral i regjimit. Ndërsa “patriotët e luftës” e sundojnë egërsisht ‘pashallëkun e tyre’, me lejen-bllanko që me çdo kusht të rruhet qetësia sociale. Pashallëku e ka edhe gardën, me “profesorë”, “intelektualë”, “analistë”, “ekspertë” të fabrikuar enkas për ta arsyetuar moralisht sundimin-kuisling.  Kjo klasë ‘kurton-intelektuale’ shfrytëzohet si qëndisje morale dhe arsyetim ‘patriotik’ i shkombëtarizimit të Shqiptarëve duke shtrembëruar historinë; ngatërrimi i ministrit idiot të luanit me shqiponjën. Kjo “Elita e  mençurisë” e shartuar me autoritet të rremë,  shfrytëzohet edhe si kanal dhe burim i besueshëm për t’i mashtruar dhe për t’i heshtur të  nëpërkëmburit.
Kjo luftë psikologjike dhjetëvjeçare (!!) ka prodhuar apatinë, shkatërrimin e moralit, varfërimin ekonomik dhe mjerimin e  shoqërisë. Kur shtypet mendimi  fjala e lirë, zëri dhe mendimi kritik, nuk ka  demokraci. Pa demokraci nuk ka Europë, as Amerikë. Ka vetëm Rusi.
Frika dhe pasiguria e sundon shoqërinë, dhe sidomos, kur vritet shpresa për ardhmërinë fitohet shoqëria apatike. Prandaj, rinia ik dhe boshatisen fshatrat. , përderisa të gjithë heshtin,  shoqërinë e ka kapluar  pasiguria dhe bashibozuku.
Marrëdhëniet armiqësore ndëretnike kanë arritur pikën e vlimit. Ky është prodhimi politik  i ortakëve sundimtarë. Shoqëria “shumë-etnike” i ngjason “Kronikës së një vdekjeje të paralajmëruar” të Markes’it. Tragjedinë e paralajmëruar gjithë e shohin, e ndjejnë, e nuhasin  se është e pashmangshme, por, askush nuk e ndal!

Çka është dehumanizimi? Një dukuri psikologjike që i shkatërron shoqëritë. “Procesi i dehumanizimit është thelb i së keqes – thotë Zimbardo – përmes të cilit një popull paraqitet si çnjerëzorë, sub-human, i cili nuk shquhet  me njerëzi dhe dinjitet personal. Dehumanizimi e zhvesh një popull nga vlerat njerëzore, nga të gjitha ato vlera dhe veti që e përbëjnë humanizmin. Popull i zhveshur nga të vlerat njerëzore, i afrohet kafshës ose objektivizohet, me qëllim që të përjashtohet nga fusha morale. Dehumanizimi është parapërgatitja psikologjike për luftë dhe për veprime gjenocidale. Historia ka shumë shembuj;  gjenocidi ndaj Kosovarëve është shembull më i freskët.
Arsenali i duhur janë paragjykimet, stereotipat negative, gjuha e urrejtjes   me imazhe dhe fjalë, me qëllim që ta çnderojë dhe ta poshtërojë një popull. Në shoqërinë tonë shembujt janë të bollshëm. Në të gjitha mediat që i shërbejnë regjimit si kanale të komunikimit politik: shtypi, TV, radio, filmi, muzika, karikatura, humori, libri, interneti … thashethemet, imazhi i Shqiptarëve shtrembërohet, përdhoset, dhunohet, … si pasojë e luftës psikologjike që ushtron regjimi ndaj kësaj shoqërie.  Në politikë çdo veprim e ka qëllimin e caktuar. Dehumanizimi jonë është pjesa e padukshme e projektit “Shkupi 2014”.