Shaqir Islami: Diaspora Jonë, Hambar i Tjetërkujt

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

 

 
Fejza i “Lajm’it” më ftoi në një darkë-pune në Shkup;  ku do debatohej për hallet dhe telashet tona politike dhe shoqërore; të pranishëm ishin politikanë, gazetarë, intelektualë dhe biznesmenë  nga diaspora. Një gjest që rrallë ndodh mes nesh. Ne nuk flasim me njëri tjetrin, nuk e durojmë mendimin e tjetrit dhe atë ndryshe; ne nuk komunikojmë, as mund të shihemi në sy me njëri tjetrin!
Shoqëria jonë është e armiqësuar dhe copëtuar në grupe, klane fisnore, banda kaçakësh e edepsëzash të përzier me politikanë të “fortë” me muskuj fizikë. Këtyre bandave u mungojnë muskujt e trurit. Truri është bosh, si dhëmbi i vetëm i mbetur në gojën-shpellë të hallës Hyrishaje. Kjo bandë zullumqare ushtron dhunë psikike dhe fizike në çdo segment të shoqërisë – në mëhallë, katund dhe qytet. Këta ushtrojnë  zullumin me bekimin e shtetit; janë të mbrojtur nga ligji i korruptuar. Mbase, zullumqarët e rrënuan shtetin e së drejtës.
Nga ana tjetër,  qytetari ndjehet i vetmuar, i frikësuar, i pambrojtur nga ligji për shkak të institucioneve të korruptuara. Pra, shoqëria jonë është sallamadi dhe bashibozuk. Nuk ka mbetur kush ta mbrojë qytetarin!  Çdo institucion është dyqan privat i të punësuarve aty. Gjyqi, spitali, shkollat foshnjore, fillore,të mesme e deri në universitet, kadastri, policia, teatri, … të gjitha janë të zaptuar nga zullumqarë që mbrohen nga çadra e partisë politike; të mbeturit jashtë çadrës janë viranë dhe fukara të lënë në mëshirën e tekave dhe lazdrave të banditëve, kaçakëve dhe edepsëzave të papërgjegjshëm dhe të pamëshirshëm. Prandaj, rezultati politik është dëshira dhe shpresa për të ikur  nga ky vend i “mallkuar”. Këtë e tregojnë shkollat dhe fshatrat e boshatisura. Ky është rezultati politik.
Por, ka një dritë në fund të tunelit. Kjo është diaspora jonë – shpresa jonë e mbetur; e palodhshme, plot energji, e fuqishme si bulldozher! Diaspora është shpëtimi ynë nga zullumqarët tradhtarë. Secili qytetarë i mjeruar pret me shpirt – do vijë diaspora, të na shpëtojë.
Fejza, më bëri të marr pjesë në darkën-e-punës, kur më tha se “do jetë i pranishëm edhe Bashkim – Kumanova (ai burri nga Praga  që mundësoi pranimin e Kosovës në UEFA përmes anëtarit të Çekisë). Ky lajm pozitiv nuk u orkestrua në mbarë mediat.  Mediat tona sikur drejtohen nga një ‘dorë e çeliktë’;  botojnë vetëm lajme negative për shqiptarët që kumbojnë derisa të depërtojnë edhe në veshët e shurdhër! Ndërsa, lajmet pozitive kalojnë nxitimthi duke u shpallur tek-tuk dhe ikin në harresë pa lënë përshtypje. Allo, dikush, diku,  i dikton mediat ‘tona’!
Për fat të keq, Bashkim-Kumanova nuk kishte ardhur në darkë! Por, i takova dy djem të diasporës – Nagipin dhe Farukun nga Çegrani. Kënaqësia ishte e njëjtë sikur ta takoja Bashkimin e Pragës. Thjesht habitem se sa Bashkima ka nëpër diasporë; Secili më Bashkim se tjetri. Rrëfimi i jetës së Nagipit nga Austria dhe Farukut nga Italia, planet dhe projektet e tyre për ardhmërinë e mbarë shoqërisë sonë ma forcuan shpresën dhe bindjen se diaspora jonë është hambar i pa fund, me shumë tregime të suksesshme, por e pashfrytëzuar fare, si për nga idetë serioze, freskuese, pozitive dhe sipërmarrëse ashtu me optimizmin e madh  se ndryshimet kah e mbara do vinë shpejtë. Dhe unë u besoj burrave të diasporës.
Me të gjitha keqtrajtimet që ushtron shteti dhe institucionet ndaj tyre, dashuria e tyre për vendlindjen nuk zbehet, përkundrazi ata vazhdojnë me kryeneçësi të na ndihmojnë dhe të na mbështesin. Ata kanë dhënë dhe ende i japin shoqërisë sonë si hambar i pafund!
Nagipi dhe Faruku më lanë përshtypje me modestinë dhe patriotizmin e tyre, kur më thanë se: “Neve na mjafton që vetëm  të na prisni me mirëseardhje dhe me buzëqeshje të ngrohtë, asgjë më shumë”. Më dhemb, se sa pak i duhet shoqërisë sonë që të lulëzojë dhe të kthehet jeta dhe shpresa mes nesh. Tash për tash, vetëm diaspora është ilaçi për hallet dhe telashet tona.