Shaqir Islami: Em Besnik, em Hero

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

 

Dita ditës kriza politike i ngjanë asaj ‘serie idiote’ turke, “Kurtlar Vadesi”. Gruevski, me ‘besnikët deri në vdekje’ dhe me regjimin matrapaz i ka mpirë njerëzit dhe e ka shndërruar këtë shoqëri në një masë idiotësh të pa shpresë.

Nëse dikush e ka për hak ta kundërshtojë këtë shtet-invalid dhe regjimin e tij pervers, janë shqiptarët e dhjerë, … ‘por trima’. Çfarë më krekoseni si bretkosa me gjoksin gropë, duke rrahur në emër të trimërisë kreshnike? Kush ua ka mbushur trutë se, nënshtrimi dhe përulja pederaste na qenkësh trimëri! ‘Xhi lujni karët’ ?

Nëse durojmë si idiotë: poshtërimin, fyerjen, përbuzjen, çnderimin, denigrimin, segregimin, diskriminimin, ‘shkërdhimin’… nuk duhet ta durojmë talljen dhe përbuzjen. Unë mendoj kështu! Em të jesh i nënshtruar për toke dhe të zvarritesh si qen i zgjebosur, em të shtiresh trim, nuk ka as në seritë turke! Kjo nuk durohet, jo për neve, sepse, ne nuk na ka mbetur as një grimë nderi dhe burrërie, por për hir të botës. Na qeshin të gjithë! Jemi bërë gaz i botës! Na përbuzin bile në Shqipëri dhe në Kosovë. Merreni me mend, kurrë edhe këto dy shoqëri e tallin bythën me ne! E valla, nëse keni pak hatër, këtë mbare, ne si shoqëri nuk duhet t’ua falim asnjëherë ‘dy besnikëve’, … kurrë, kurrën e kurrës. Em të nëpërkëmbur, em kabadai. Kjo nuk shkon, dhe nuk ka shkuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

Allo, ne kemi problem me historinë! Dy gjëra nuk shkojnë bashkë; ose je trim, ose je i ‘shkërdhimë’. Ose je ‘besnik deri në vdekje’, me bishtin ndër shalë, ose je hero që lufton këtë regjim-pervers që na nxiu historinë katran. Allo, leni “Kurtllar …”, ua dhjefsha serinë. Kthehuni kah Perëndimi, kah ustallarët e serive që të këndelleni nga ky delirium tremens …

E kam fjalën, për talljen dhe fyerjen e radhës së ‘besnikëve deri në vdekje” dhe ‘gazdës’ së tyre, … bile t’i ngjante ndonjë farë lideri. Tallja e radhës me ne, me rastin e fundit të menaxhimit të opinionit publik, pra, krijimit të përshtypjes së përgjithshme se ‘dy besnikët’ i bllokuan zgjedhjet e 5 Qershorit, janë fyese jo vetëm për ne, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare!

Publiku i përgjithshëm, e sidomos, analistët, ekspertët, profesorët… të gjithë me radhë “reflektojnë” (sepse këta ‘liderë të opinionit’ nuk e përdorin fjalën ‘mendojnë’, me qëllim që ta fshehin analfabetizmin e tyre), dhe njëzëri vlerësuan se më në fund ‘dy besnikët’, brenda natës u shndërruan në heronj, mu si në serinë idiote “K …”.

Pra, çka ndodhi me të vërtetë? Vetëm një vëzhgim më serioz të narrativit të fundit nxjerr në pah se, u përdor dhe u përsërit skema e njëjtë e komunikimit politik të regjimit me të gjithë publikët e tij. Akoma vazhdon seria bajate me avazin për tradhtarët e kauzës maqedonase, skema e përtypur e regjimit të një ish diktatori komshi.

Regjimi me këtë “vepër të mrekullueshme” (duhet ta pranoj, ‘trimin vraje, por hakun …’) të zanatit të Marrëdhënieve me Publikun, përmes teknikës “Udhëheqja me temën”, e sajoi përshtypjen e përgjithshme, siç i nevojitet. Ta thjeshtojmë pak që ta kuptojnë “analistët dhe ekspertët”: regjimi sërish e bishtnoi kapitullimin e vet, para syve të gjithë publikëve (Allo, “ekspertë” ju lus , jo ‘opinionit’, mësohuni ta lexoni fjalorin, ju përgjëroj !)

Pra, siç na e ‘analizuan ngjarjen’ analistët, profesorët, ekspertët politikë, … sajesën e përshtypjes së përgjithshme, ia përcollën publikut dhe masës (“ekspertët” as që dinë se çka do të thonë këto shprehje!), gjoja se ‘dy besnikët’ më në fund “nën ndikimin e trysnisë së ndërkombëtarëve” ( kjo fjali ma ka thinj …) e braktisën diktatorin qesharak në baltë. Ky narrativ i përsosur, dorën n’zemër, u përcjellë përmes “ekspertëve” tek publiku i përgjithshëm. Kjo në shkencat e komunikimit quhet “rrjedhja e informacionit në dy hapa”. Përshtypjen e krijuan “ekspertët” me analizat e tyre të mundimshme, ashtu, tamam siç e ka projektuar regjimi, “ be majkata, shiptarite go izdadoa nashiot Nikolla … si pasojë forcohet edhe më shumë paragjykimi “samo mërtov shiptar e dobar shiptar ”, “se znaeshe koi se izdajnicite”…Bingo!!! … em shqiptarët dhe ‘ndërkombëtarët’ armiq dhe tradhtarë, em diktatori faqebardhë! Allo, sa herë duhet t’ju them, politika nuk është “Kurtllar …”

Ndërsa,tek publiku shqiptarë u sajua përshtypja si në serinë e dhjerë, “shyqyr o Zot i madh, në sekondat e fundit, ‘besnikët’ u shndërruan në heronj. Kumtesa ndaj publikut shqiptarë është se “kurdo të mbahen zgjedhjet politike, votat duhet të rrjedhin në thasët e ‘dy besnikëve, hajdutë votash’, tashmë sërish të veshur me petkun e heronjve. Në fakt, Gruevski ua gëlqeros të gjitha njollat që ua shkaktoi gjatë sundimit dhjetëvjeçarë.

Por, ustallëku i strategjisë së komunikimit politik të regjimit nuk mbaron me këtë vepër të shkëlqyer! Në këtë rast, mjeshtëria kyçe është te konservimi i votës, edhe atë, tek të dy publikët! Ta them shqip e troç, konservim i votës është ta bësh votën turshi që të mos prishet (ky shpjegim vlen për “ekspertët”, jo për Ju, lexues të nderuar). Regjimi vendosi t’i konservojë votat e VMRO’së, pasi u bind se këtë herë ndërkombëtarët janë të vendosur. Më në fund, BE’ja në mënyrë të padukshme e zëvendësoi ‘engjëllin mbrojtës’ të Nikollës me diplomatin Gjerman.

Prandaj, me çdo kusht duhej të konservohej opinioni publik maqedonas dhe ai shqiptarë. Ky është përpjekja e fundit e madhe e regjimit. Narrativi politik i përsëritur vazhdimisht nga qendra e komunikimit me publikun u vërtetua në vepër, se “Nikolla i vogël dhe qesharak nuk na qenkësh diktator, por, viktimë e konspiracionit të “imperializmit euroatlantik” dhe “na nevernite shiptari”. Kjo përshtypje e përgjithshme e Nikollës si viktimë e dushmanëve të djallëzuar e konservon opinionin publik. Tani lirisht mund të zgjatet afati i mbajtjes së zgjedhjeve.

Regjimin nuk e ndalën ‘besnikët’; as që mund ta ndalin. E ndali, mesazhi troç i BE’së se “qeveria që do del pas 5 Qershorit, nuk do të njihet nga qeveritë ndërkombëtare” . Prandaj, 5 Qershori e humbi kuptimin politik. Kjo tango e fundit, inshallah, e Nikollës me ‘besnikët’ ishte dhënia e frymës artificiale gojë më gojë.