Shaqir Islami: Nijazi Gazetari dhe Zullumet e Ali Ahmetit

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

 
BDI ushtron zullum fizik dhe shpirtërorë ndaj popullit me sundimin e vet çnjerëzorë. Me çnjerëzim dhe ligësi të paparë e nëpërkëmbi dhe e shkeli popullin e vet, si dushmani më i zi. Ndërsa, në çdo paraqitje publike, kur e pyesin gazetarët për zullumin që i ka shkaktuar  popullit: përgjegjësi kryesorë  bëhet lolo… ai nuk përzihet në ato punë…ai nuk merret me arsimin, me punësimet, me shëndetësinë… ai nuk di se çka ndodh me Shqiptarët në Maqedoni… dhe duke iu shmangur përgjegjësisë dhe dhënies hesap para popullit  për zullumin  e shkaktuar,  aktron  kinse ai merret me politikë globale e jo me cikërrima siç janë jetët dhe hallet e votuesve Shqiptarë. Tashmë një dekadë i dëgjojmë të njëjtat fjalë dhe refrene  idioteske, të një baksuzi ogurzi.
Një ditë Frori, në restorantin Tivoli e takova gazetarin e pensionuar Nijazi Muhamedi të vetmuar dhe në hall! Ai gazetarë i pensionuar, unë gazetarë  i papunë, e çojmë një muhabet esnafësh të kalitur.  Na lidh gazetaria; na lidhin hallet dhe brengat e katandisjes së shoqërisë sonë; pastaj gjendja e mjeruar e gazetarisë, si dhe për dështimet e saj për ta shëruar këtë shoqërinë të sëmurë dhe të zaptuar nga dy banda zullumqare. Dallojmë shumë për nga pikëpamjet,  për shumë gjëra, por ka dhe shumë gjëra për të cilat pajtohemi.
Mbasi i shkoqitëm ngjarjet dhe temat politike aktuale, në bisedë e sipër më foli për një akuzë ndaj tij si gazetarë, nga një funksionar politik i BDI’së! Ai e akuzuaka për shkak se ky, e paskësh thënë një të vërtetë!  Por, jo në mediat tradicionale, por në median sociale Facebook. U habita shumë, se mediat ekzistuese në Maqedoni, nuk e kanë thënë bile dy tri fjalë për ta kuptuar publiku i përgjithshëm, këtë dhunë ashiqare ndaj lirisë së mendimit dhe të fjalës në mjedisin tonë autokratik!  Ky është një shembull tipik i trysnisë  së politikës ndaj gazetarisë dhe uzurpimin e dhunshëm të sferës publike në Maqedoni. Për trysninë psikike ndaj gazetarit, nuk flet askush, as mediat (!) … thjeshtë e kanë lënë në mëshirën e një bandë hileqare dhe përdhunuese të lirisë së mendimit dhe fjalës së lirë!
Përfundimisht, pas kësaj që dëgjova nga goja e gazetarit dhe pashë nga dokumentet e procesit gjyqësorë; pasi që gazetari i mban me vete si dëshmi e dhunës psikike dhe si hajmali,  e them me bindje të thellë se shoqëria jonë është e sëmurë rëndë shpirtërisht.
Siç ma tha Nijazia, bëhej fjalë për një status me katër reshta, në lidhje me zullumin që e paskësh bërë ky funksionarë  politik i BDI’së; ndonëse  lideri i kësaj bande vazhdimisht ‘vergllat’ se “ ai nuk di asgjë se çka bëjnë zullumqarët e tij, … pasi që ai më shumë se një dekadë: “ merret me politikat dhe hallet e BE’së dhe NATO’s”. Një thënie latine thotë: “Shqiponja nuk kap miza”, që tingëllon e shqipëruar popullorçe, ‘ njeriu i madh nuk merret me cikërrima si fati i gazetarit”. Alia shkel dhe i nëpërkëmb Shqiptarët si miza, duke u orvatur të bëjë karrierë politike globale! Pasi i katandisi dhe i mjeroi Shqiptarët në Maqedoni, mos u habitni kur të garojë për Sekretarë Gjeneral të NATO’s, pasi titullin gjeneral ia ka falë me njohje Gëzim Osdreni, i cili po ashtu e quan veten gjeneral!!! Kësaj i thonë turçe, “siç anasëni”!
Siç ma shpjegoi gazetari, zullumqari i BDI’së në bashkëpunim me  gjyqin e korruptuar,   për katër rreshtat e statusit të tij në Facebook, është sjellë vendimi gjyqësorë  për një dëmshpërblim prej 5000 Eurosh!  Këta zullumqarë ia kishin vjedhur edhe posteqinë e Pejgamberit, e lëre më të një gazetari. Shuma është ilaçi  për t’i shëruar lëndimet shpirtërore të politikanit. Këtë e ka plagos e vërteta!
Gjyqi vendimin e bazon në  “ekspertizën” e një “eksperti të psikiatrisë”; dhe sipas këtij “eksperti” statusi i gazetarit në Facebook, ia paska shkatërruar jetën dhe karrierën e politikanit!  Vaj halli,  sa zullum shpirtërorë mundkan të bëjnë katër rreshta faktesh! Unë i bëj pyetje publike “ekspertit” të psikiatrisë sa lëndime shpirtërore i ka shkaktuar  popullit kjo bandë politike? A di të bëjë hesap “eksperti” pasi ditka ta  bëjë hesap lëndimin shpirtërorë që e kanë shkaktuar katër rreshtat e gazetarit?
Për shkak të varfërisë dhe të nëpërkëmbjes së zanatit të gazetarisë  banda e korruptuar e përbërë nga politikanë, gjyqtarë dhe  psikiatër “ekspertë”, përpiqen djallëzisht ta poshtërojnë dhe ta përulin gazetarin publikisht; kjo bandë kriminelësh ushtron dhunë psikike dhe cenzurë ndaj mendimit dhe fjalës së lirë. Prandaj, bëj ftesë popullore që të ngrihemi kundër zullumqarëve që e kanë zaptuar çdo segment të jetës sonë. Kjo ftesë vlen për të gjitha mediat ta ngrehin zërin dhe ta mbrojnë gazetarin Nijazi, kështu do ta mbrojnë gazetarinë e katandisur dhe të nëpërkëmbur. Demokraci pa gazetari nuk ka dhe nuk ka pasur; qoftë edhe si kjo gazetari e jonë e sakatuar.