Shaqir Islami: Opozita sillet si ‘Ujku me Dashin’

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

Do bëhet përvjetori i krizës së madhe politike, ndërsa diskursi politik dhe social në publikun e përgjithshëm Shqiptarë ende diktohet nga zullumqarët e strukur në divanet e pushtetit. Dy partitë në pushtet BDI dhe PDSH, koketojnë me publikun dhe përpiqen t’i justifikojnë dëmet dhe dështimet e veta me arsyetime banale, që të çon të vjellësh. Të dy palët më e kanë huq argumentin  politik.
Por, ajo që mua më habit është sjellja apatike e partive opozitare Shqiptare. Përveç fërkimit të duarve dhe boleve, nuk shohë se bëjnë diç tjetër. As publiku nuk e dëgjon argumentin politik të tyre. Opozita akoma nuk ka dalë me argument të besueshëm që ta bind qytetarin se pse duhet ta merr qeverisjen. Shkurt e shqip opozita nuk ka ideologji. Kjo është e meta fundamentale e saj. Filozofia politike e tyre, është boshe, fare pa përmbajtje dhe shumë i ngjanë narrativit të anekdotës popullore për ‘ujkun dhe dashin’.
Besoj se e dini: “Dashi Ogiç na ecka nëpër bjeshkë… Ujku plak nuk e paska guximin ta sulmojë, kështu që, vendos ta ndjek. Gjatë ecjes bolet e ogiçit luhateshkan herë djathtas herë majtas. Perceptimi i ujkut të uritur qenkësh se çdo çast do t’i pikojnë ‘topat’ e dashit. Ujku i është dorëzuar mendimit të dëshiruar  dhe ka shpresuar se pa mund dhe pa rrezikuar fare, dashit do t’i pikojnë ‘topat’, e kështu  do ta ngijë barkun e unët … Ujku bën një rrugë të gjatë duke e ndjekur dashin … Asgjë nuk paskësh rënë!  Ky narrativ më ngjason me “vergllatmen politike” të opozitës.
Sjellja politike nuk është serioze dhe aspak e ndershme. Ky popull i dërmuar nuk meriton edhe një mashtrim ‘mangupash’ dhe ‘kabadaish’. Për këtë shkak  LSDM’ja me të madhe depërton në ‘vathën’ e votuesve Shqiptarë. Opozita e copëtuar nëse nuk arrin të bashkohet, me çfarë argumenti mund t’i tubojë votuesit rreth vetes. Opozita është pa kauzë!
Tashti duhet një qasje serioze. Allo, politika është zanat me përgjegjësi. Prandaj, opozita nuk duhet ta ndjek ‘strategjinë e ujkut plak’, duhet të veprojë me dije dhe guxim. Së pari, duhet të del nga binarët e mendimeve të imponuara nga qendra të ‘dyshimta dhe të panjohura’, të cilat janë rrënjosur në trurin tonë. Ajo, duhet ta shpalos argumentin politik, ta nxjerr në mejdan ose nëse doni në pazarin politik; t’u sqarojë qytetarëve se pse, si, ku dhe sa, dallohet nga garniturat e harxhuara  politike?  Çfarë projekti ofron? Çfarë kontrate sociale propozon? Ku dallon narrativi i saj, nga ajo e nacionalistëve-të-zhurmshëm dhe dyfytyrësh?  Populli e pret kontratën e re, nga kushdo!
Populli është djeg nga tambli, natyrisht se do t’i fryjë kosit!  Iku vakti kur Shqiptarët i  mashtroje me  “errmofsha nanën”. Tani mund ta “ermosh” gjithë mëhallën, ‘NA’—askush s’ta rras …
Nuk mjafton amalgami i simboleve me partitë, “Aleanca Shqiptare”, “Besa”, “Skënderbeu”, “UÇK”, “Balli Kombëtarë”… Allo, situata politike  është shumë-shumë serioze … Në këtë punë  të madhe, duhet të zgjohet shoqëria nga apatia, të hiqet frika e fukarasë, vartësia nga ndihmat sociale… duhet të përfshihen të gjitha organizatat, të gjitha ‘xhemaatet’ e mundshme, e deri te hallat dhe gjyshet plaka me nga një dhëmbë të mbetur  …  të gjithë duhet ta luftojnë  zullumin dhe mjerimmin që e nëpërkëmbën pamëshirshëm këtë popull. Atë e çon në këmbë vetëm ideologjia e qëlluar. Unë s’e di, kështu flet historia!