Shaqir Islami: Politika dhe folklori

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

 

 

Ky vit është vendimtarë për shtetin-invalid. Banda politike që sundon, e ka futur në ‘rërë të gjallë’. Ashiqare fundosemi. Ky është projekt dinak dhe hileqarë i imponuar nga jashtë, në të cilin të gjithë jemi njësoj fajtorë, gjynahqarë dhe kurban.
Unë flas për fajin tonë. Politikë-bërja folklorike me tinguj çiftelie, që na e shartuan me  “politikanët- komandantë”  ende tingëllon si avaz. Politikanët-folkloristë  na zhbëjnë me lot krokodili. Allo, kaluan dy dekada e gjysmë, gjendja jonë shëmtohet,  e nuk hijeshohet fare! Shumë kohë më parë e krahasova gjendjen e shoqërisë nën sundimin e kësaj bande politike, me pamjen e tezes Lazime. Asgjë nuk ka ndryshuar. Do ta përsëris, sepse Latinët thonë “përsëritja është nëna e mësimit”. ‘Lazimja ka qenë më e shëmtuara e kësaj ane. Natën e nusërisë, shoqet orvaten ta hijeshojnë me grim. Grimi e shëmton më keq. Tezja Lazime flet e dëshpëruar: “ndaloni vajza se më shëmtuat sa s’bën”.
BDI erdhi e shëmtuar. Sado të mundohet ta stolis realitetin  politik, e shëmton më keq. Na varfëroi, na përbuzi, na e shteri shpresën, na e harxhoi energjinë sociale dhe na folklorizoi!
Demagogjia dhe retorika boshe, e kanë efektin e grimit si te Lazimja!  Sa më shumë flasin fjalë folkloristike, aq më e zymtë bëhet jeta. Çdo orvatje për ta stolisur gjendjen reale, me fjalorin e cunguar folklorik, sakatohet demokracia. Sa më shumë përmendin Europën, NATO’n, Perëndimin në retorikën e shterë, e shpërfytyrojnë demokracinë!
Shembull i fundit folklorik është Shqiponja e llamarintë. U tallën si rugaçë  me simbolin e shenjtë të Shqiptarëve. Çfarë të mire solli për shkupjanët  ky teatër vulgarë politik ? Sjellja e dëshpërimit politik shërbeu si provokim për veprat fashiste të VMRO’së.  Ky zinxhirë i shkakut dhe pasojës është shpjegimi i funksionimit të rehatshëm të regjimi fashist. Çdo vepër ‘patriotike’ e BDI’së, shkakton rrebeshin e politikave fashiste të VMRO’së. Faktet flasin qartë dhe vërtetohen lehtë.  Ndërsa  demagogjia qaramane orvatet të  na përshkruajë realitetin rozë. Shfaqja e shëmtuar me tenda dhe aktivitetet  “patriotike” ishin mashtrim i radhës. Politikë-bërje që i karikaturizon nevojat tona politike.
Folklori politik i vulgarizuar  nuk është ilaç për shërimin e plagëve shpirtërore. Ky popull është i ngirë me folklor dhe me folkloristë. Këta bilmezë dhe zullumqarë e vulgarizuan çdo vlerë, normë, traditë, besim, simbol, …  Shkelën dhe nëpërkëmbën ligjin dhe kushtetutën. Çdo segment në shoqëri është rrënuar ekonomia, arsimi, drejtësia, kultura, sporti, … secila lëmi është viktimë e pazarllëqeve midis zullumqarëve. Çka kanë prek, kanë shpërfytyruar. Ky është  projekt baksuz-folklorik kundër demokracisë.
Komunikimi dhe simbolika folklorike dyfytyrëshe, siç e quan George Orwell në romanin “1984”, ‘doublespeak” apo “doubletalk”, në media para publikut flitet për vlera të demokracisë evropiane, për qytetërimin Perëndimorë, për integrim dhe bashkëjetesë, ndërsa në komunikimin e brendshëm dhe në vepra flasin me gjuhë nacional- folklorike plot me urrejtje patologjike ndaj grupeve etnike. Ky narrativ jo-konzistent i relativizon nevojat real-politike të qytetarëve. Diskursi i këtillë social dhe politik është në funksion të harxhimit  kotë të energjisë sociale, për t’i shpërqendruar qytetarët nga çështjet e interesit publik. Prandaj, rinia e zgjedh braktisjen e vendit të pashpresë.