Shaqir Islami: Reklamat e Nikollës edhe CNN’it ia mbyllin gojën!

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

 

Në shtetin tonë, tashmë një kohë të gjatë kuvendohet për mediat. Gjendja në tregun e medias dhe hapësirën publike është pezull, siç është dhe vet shteti. Çdo gjë ka ngec! Dhe nuk ka asnjë shenjë për të lëvizur përpara. Mediat janë bashkëfajtorë me politikën për rrënimin e institucioneve të shtetit dhe demokracisë. Por, ‘rrëshqitja e tokës’ i morri me vete edhe mediat, të cilat  gjithashtu bëhen hesap si institucione shoqërore. Pra media, përveç që funksionon si ndërmarrje ekonomike që i nënshtrohet ligjeve të tregut  dhe funksionon brenda tregut mediatik, ka edhe funksion social, jep kontribut në edukimin (arsimimin) e qytetarëve  dhe në ndërtimin e modelit të demokracisë së mbarë shoqërisë. Por, vendimtare për ekzistencën e mediave është vet tregu mediatik, brenda së cilës ato përpiqen të mbijetojnë ose përndryshe falimentojnë. Edhe tregu global mediatik funksionon me ligjin e tregut, siç thuhet se e rregullon një “dorë e padukshme”. Kaq për mediat dhe tregun.
Besoj se të gjithë e dini kush është CNN’i (Si-en-en’i),  ‘Baba’ i lajmit në botë. Nëse CNN’i të përmend për të mirë, të ka ‘parë Zoti’. Por, nëse CNN’i të përmend për të keq, “t’u ka qi nona” ose të paskësh nëm Zoti. Çdo trend  nis prej “Shtëpisë së Madhe” dhe fjalën e fundit në këtë planet, e ka ai.
This is CNN dhe pikë
Maqedonia është e vockël karshi saj. Por, Nikolla e ka sherrin e madh! N’daç besoni n’daç  jo, Nikolla ia ka mbyll gojën CNN’it. Hallall i qoftë, ndonëse na ka shkelur si ‘agërbas’. Mbase kjo thënie ju tingëllon si temë për rubrikën “kuriozitete”.  Ju bëj be, se ky e ka gjetur ilaçin që t’ia mbyll gojën edhe CNN’it.
Ilaçi i medias është reklama. Kjo është oksigjeni që e mban median në jetë. Sot, tekstet e gazetarëve shërbejnë për t’i mbushur boshllëqet e hapësirës së reklamave! Reklama në CNN, nuk kushton sa në “Sitel”, “Nasha TV”, …. dhe “TV Uskana”. Qeveria e Maqedonisë është myshteri besnik i CNN’it. Reklamat e qeverisë “Invest in Macedonia”, “Macedonian Tourisme” dhe “Macedonia Timeless”, në këtë shtëpi të shtrenjtë  qarkullojnë më lirshëm  se në servisin publik RTVM. Në CNN reklamojnë “fukaratë ” si “Roleks”, “Healthcare Dubai”, …  dhe shumë  emra me nam botërorë. Shtetet reklamohen për një kohë të caktuar, natyrisht edhe për shkak të çmimeve ‘djegëse’. Por, shteti-ynë-invalid këto tre reklama të lartpërmendura ia mbanë ‘all’ CNN’it, nuk e lënë të merr frymë nga puna. Bile edhe emisionin e famshëm të Richard Quest’it “Quest  means  business”, tashmë një kohë të gjatë e ‘ndihmojnë’ reklamat “Invest in Macedonia” and “Macedonian tourisme”.Valla, ky është çallëm i paparë! Kësaj i thonë popullorçe: em fukara, em bole madh!
Reklamat janë të rëndësishme për ekonominë, këtë e di edhe Musa Xhaferi. Por, reklamat duhet t’i sjellin bereqet dhe dobi shumëfish  reklamuesit. Reklama nuk është “harxhim parash kot,  sa për çallëm”. Prandaj, le t’i hedhim një vështrim se sa investime dhe sa turistë i kanë sjellë shtetit tonë këto reklama ?
Premtimet e mëdha të qeverisë,  tashmë plot një dekadë, se do ketë shumë investime të huaja, hesapet flasin se  dështuan  dhe pësuan  fiasko; deri më tashti,  Nikolla ka sjellë vetëm plaçkitës “bellosvetski” si Subrata i Indisë, pastaj një mashtrues Hebre  me projektin e zhurmshëm  “Swedmilk” që na i vodhi 15 milionë Euro (!!!), …. dhe shumë projekte mashtruese.  Turizmi në Maqedoni nuk ka lëvizur as me milimetra, turistët mund t’i numërosh me gishta. Atëherë, ku është domethënia ekonomike e këtyre reklamave që qarkullojnë pa ndalur, bile, edhe  kur nuk ekziston qeveria dhe shteti  !!???
Prandaj, unë si ekonomist i rëndomë  kam të drejtën dhe lirinë time të dyshoj në qëllimet e mira ekonomike të reklamimit të vendit  tim. Pasi ekonomikisht nuk del hesapi, dhe sipas parimeve dhe ligjeve ekonomike reklamat shkojnë huq, mbetet vetëm hamendja  ime si gazetarë!  Pse vazhdojnë të qarkullojnë këto reklama dhe jam kureshtar ta di, besoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë e duan të njëjtën gjë, sa kanë kushtuar reklamat  dhe ‘ndihmat financiare’ të qeverisë së Maqedonisë ? Pra, si arsyetohet ky reklamim politiko-ekonomikisht !!!
Hamendja ime është se Nikolla, përmes reklamave ia mbyll gojën CNN’it!
Allo, CNN kam një lutje njerëzore  për gazetarin Richard Quest: “ për sa u përket atyre “pak parave” me të cilat ‘ndihmohet financiarisht” emisioni Juaj “Quest means business” (konsumatorë i të cilit është edhe autori i këtij teksti” dhe për reklamat që qarkullojnë në CNN, si në ‘bahçen’ e Pollogut, janë para të plaçkitura nga populli fukara i Maqedonisë. Nuk besoj se këta hajdutë Ju paguajnë me  paratë nga xhepi i tyre. Ndaleni reklamat se na keni rënë në qafë!