Shaqir Islami: Treni i Demokracisë

SHAQIRISLAMI

Shaqir Islami

 

 

Çdo gjendje krize në shoqëri, krijon mundësi të reja për zhvillim. Dhe çdo krizë sado të zgjasë e ka një fund. ‘Romët endacakë nuk i gëzohen më kot shiut, përvoja e jetës u siguron se pas të reshurës  del dielli’. Në kohë krizash lindin ide. Mbase, kriza vjen edhe si pasojë e ballafaqimit dhe të fërkimit të ideve, qëndrimeve,  pikëpamjeve dhe botëkuptimeve. Në këtë mënyrë marrëdhëniet shoqërore marrin formë të re, përmes një kompromisi që arrihet në fund. Kjo luftë idesh pjell kontratën e re në  shoqëri.
Në këtë shtet ka skaduar afati i kontratës sociale; mbase është harxhuar. Edhe ashtu kontrata ishte hileqare.  Asimetria e saj e bëri shtetin invalid. Prandaj, ka ardhur koha për një kontratë të re që do t’i kënaq nevojat e qytetarëve dhe t’i harmonizojë marrëdhëniet shoqërore. Kontratën e krijuan elitat politike duke shpërfillur vullnetin dhe nevojat e shumicës së madhe qytetarësh. Kjo  shumicë shtypet  falë elitës politike të korruptuar, roli i së cilës është ta ruaj qetësinë sociale me të gjitha metodat kriminale dhe mashtruese të lejuara  nga shteti. Për shqiptarët nuk ka pasur demokraci!  Ku dinë zullumqarët,  çka është demokracia? Realisht, shqiptarët e kanë statusin e kolonisë interne.  Kush ia rras demokracisë! Allo, këto parti bastarde, i kanë dehumanizuar shqiptarët. Ky është krim gjenocidal i pandëshkuar!!  Allo Europa?
Dikush përpiqet të na mbajë  jashtë procesit demokratik. Dikush mashtron se ky proces nuk u përket Shqiptarëve!!  ‘Nacionalistët poterexhi’ mashtrojnë duke thënë se duhet të rijmë anësh, dhe se ky proces nuk na përket fare!  Qarkullojnë  stereotipe dhe paragjykime: “Zaevi është më Shka se Nikolla”, “LSDM’ja ka bërë më shumë të zeza se VMRO’ja” … “ky shtet duhet të shkatërrohet”, … Qëllim i tyre është relativizmi i regjimit.  Pra, çdo gjë është kot, të  gjithë janë njësoj! Megafonët përhapin thashetheme që t’na paralizojnë dhe  ta ndalin pjesëmarrjen në masë  për ndërtimin e demokracisë së re. Dikush mundohet që të jemi shikues pasiv, kur ashiqare dihet se pjesëmarrja jonë në masë në këtë ndeshje politike  e përcakton fatin e vendit.

Ne jemi të gjykuar të jetojmë bashkërisht, doni apo s’doni ?  Ç’të keqe ka këtu? Kush e do kaq shumë izolimin e  Shqiptarëve?  Izolimi dhe urrejtja sjellin vetëm fatkeqësi. Boll me gënjeshtra dhe përçarje!
Pjesëmarrja e qytetarëve në zhvillimin demokratik është e domosdoshme, zëri i tyre duhet të dëgjohet. Demokracia është ilaçi i shoqërisë, sepse çdonjëri ka hise dhe ka obligim të merr pjesë në kuvendim. Kjo është loja. Prandaj, sjellja e “opozitës së bashkuar”, ndjell dyshime dhe huti. Secili që pengon tjetrin ta shpreh vullnetin dhe ta ngrit  zërin në shoqëri, duhet të merret me rezervë.
Protestat i garanton  kushtetuta. Tashti ka rëndësi, rrënimi  i regjimit kriminel etno-nacionalist që e mbyti  demokracinë dhe i zaptoi institucionet!  Ky është moment historik. Këtë luftë duhet bërë bashkë Shqiptarë dhe Maqedonas. Po, është koha e bashkim-vëllazërimit, po të doni. Opozita duhet të del urgjentisht në protesta dhe ta mbajë hisen e vet të barrës.
Në fund, mu kujtua një anekdotë Gjermane, me Kancellarin Helmut Kohl. Përvoja Gjermane, duhet t’u ndihmojë liderëve ta thyejnë murin psikologjik dhe të këndellen nga sugjerimet jo mirëdashës.
Në vitin që u rrënua muri i Berlinit, edhe në Gjermani ka pasur mendime politike kundërthënëse. Njëra qenka për bashkim të menjëhershëm, tjetra për bashkim hap pas hapi … Siç ndodh, pas kuvendimit, vjen vendimmarrja politike.
Helmut Kohl, paskësh thënë: “ky tren ka mbërritur në stacionin tonë,… pale a do vijë edhe një herë. Na hipim në tren ose mbetemi jashtë”.  Dhe doli se bënë mirë që hipën.
Treni i demokracisë ka arritur në stacionin tonë. Mos ngurroni, hipni se ju shpie kah e mbara.