Shaqir Islami: Van Haute, Heroi Western Me Biçikletë

Shaqir Islami

 

 
Z. Van Haute me luftën e twitteve ma çoi mallin e filmave më të dashur të fëmijërisë sime. Në vitet e shtatëdhjeta, meqë  na ishin bërë bajatë ‘filmat me partizanë’ të cilat vazhdimisht ushtronin propagandë  komuniste;  filmat western për mëhallën time kishin një shije pekmezi të manit  që e përgatiste me aq marifet gjyshja ime Symbyli. Filmat për Perëndimin e egër ishin ëndrra e mëhallës sime për Perëndimin, kur secili donte të bëhet John Wayne!
Sot, në kontekst tjetër Z. Van Haute më duket si hero i atyre filmave. Nuk e emëroj më me Zotëri për shkak se e shoh si njërin nga ne, sepse duket sheshit se e ka kapluar empatia ndaj vendit tonë. Tashmë ky është heroi i këtij vendi. Prandaj, ma kujtoi filmin western dhe me tamam i përshtatet një teme të tillë, por, të llojit Europian ‘shpageti western’ të Sergio Leone’s. Si zakonisht, temat e tyre  kishin narrativin klishe, heroin e shpinte udha nëpër  një katund, ku ndalej të pastrohej nga pluhuri dhe ta lagte fytin me wiski, …. Me të  hyrë  në Saloon  i zbulonte hallet dhe telashet e hallexhinjve. Saloon’i ishte media kryesore. Fundi i filmit është po ashtu klishe, heroi i huaj i çliron banorët nga zullumi dhe vendos rendin. Në skenën e fundit i hip kalit dhe vazhdon rrugën kah e panjohura. Mbresëlënës sa që të len pa fjalë!
Në kontekstin tonë,  jo me kalë, ai shëtit nëpër kryeqytet me biçikletën e tij si cowboy-urban. Heroi me biçikletë ka ardhur me detyrë të lehtësuesit të komunikimit midis bandave politike të xhindosur për pushtet në katundin e trazuar të Ballkanit Perëndimorë.  Gjatë komunikimit me ta, ky i zbuloi mbeturinat e Perëndimit të  egër  në këtë vend. Komunikimi dhe sjellja flasin për shëndetin  e demokracisë dhe të qytetërimit në vend. Gjendja e sferës publike në vendin tonë e shpalos padashur shëndetin e demokracisë sonë të sakatuar pamëshirshëm nga kriminelët politikë.  Sfera publike është uzurpuar nga pushteti i regjimit dhe mediat janë shpërfytyruar. Gara midis tyre është se kush i pari do të ulet në prehrin e Gruevskit, sepse ky është punëdhënësi i madh për mediat. Ky është mentaliteti i mediave, askush nuk mërzitet për parime dhe rregulla. Çfarë reforme të mediave, çfarë bakraçi, sfera publike është e uzurpuar nga regjimi.  Prandaj, demokracia është mbytë. Sfera publike është ilaçi i vetëm për shërimin e demokracisë.
Komunikimi dhe sjellja kabadai e regjimit e zemëroi ndërmjetësuesin. Gruevski i akomoduar në diktaturë e nënçmoi dhe e përbuzi, ashtu siç sillet me aktorët politik të brendshëm, duke e barazuar atë me partnerët  e mjerë alimendullarët. Dhe gaboi. Kësaj i thonë mungesë informacioni!  Debakël të njëjtë ka pësuar Napoloni në Spanjë, për shkak të informacionit të gabuar dhe të nënçmimit të kundërshtarit. Gruevski dhe banda e tij nuk i njohkan Fllamanët! Për shkak të mbiemrit, mendoj se Vanhaute duhet të jetë Fllaman, edhe nëse është Vallon nuk ndërron asgjë!
Por, ja që unë i njoh. Përvoja ime me një shok djalërie Frank Baker nga Amsterdami,  tingëllon  ndryshe. Franku me familjen i kalonin pushimet në kampingun e Kërkut në detin Adriatik. Përndryshe,  Fllamanët janë adhurues të kampimit dhe kanë humor të lezetshëm. Ndërsa, unë punoja hyzmeqarë te një akullorexhi nga Pollogu.  Shoqnia ime me usta Frankun  biçikletë-ndreqës, zgjati me vite. Ende më kujtohet ajo miqësi, Franku ishte kokëfortë si ne dhe guximtarë. Prandaj, mendoj se boksierit-dështak  Gruevski i hasi shara në gozhdë me ndërmjetësin nga Belgjika. Van Haute’s nuk i bëri cërr syri as nga sjellja arrogante dhe përbuzëse e bandës së VMRO’së, as nga kanosjet e tyre. Përkundrazi, luftën e zhvillon përmes humorit Fllaman. Macet dhe twitt’et e tij flasin më shumë se demagogjia e regjimit të lodhur dhe të harxhuar. Çdo twitt   i pickon  si grerëza rrugaçët politikë  duke ua shtuar vrerin dhe mllefin dhe ua bëjnë me dije se ka ardhur fundi i bashibozukut në vend; i trimëron qytetarët e Maqedonisë që përfundimisht ta heqin qafe regjimin kriminel që vendi të kthehet në binarët e demokracisë.
Filmi ynë western do të mbarojë kur heroi Van Haute t’i hip biçikletës së vetë dhe pa u përshëndetur fare me njeri ta vazhdojë rrugën kah ndonjë katund tjetër që vuan nga të njëjtat halle si ne.

P.S. Përderisa ai  ende sillet vërdallë me biçikletë, larg është fundi i filmit tonë western.