Shpëtim nga Atdheu

zorba -the-greek
Shkruan Pirro Loli 

 

…Atdheu, që kur u emërtua etimologjikisht në emër të babait (atit-dheu i atit) a nënës (mëmë-dhe) është konceptuar si tabu; tabu me tokë, det, e qiell e varre, e pemë, zakone e këngë. Dhe shpirt, gjithmonë shpirt i trazuar… Në Ballkan kuptimi mitik i atdheut është më konservatori,  më lëkurëtrashi, i paprekshëm, i fosilizuar, gati si hyjnor dhe i njëjtë në breza mijëvjeçarë. Por, ja, na paska dalë greku, Aleksis Zorbas, që na i shvleftëson të gjithë shpirtrat mitike të Atdheut.

Zorba, thua (?!) Jo, ky është vetëm personazhi më vital i shkrimtarit të madh Niko Kazanxaqi. Pa dyshim, më i veçanti e më tipiku, jo vetëm i Greqisë, por i çdo shteti ballkanik; shkrimtari dhe ai dy qenie faqe më faqe, që duhen aq shumë  e përplasen aq fort në lirinë e njeri tjetrit sa alternohen e duket sikur personazhi ka krijuar shkrimtarin….Shkova në Kretë, që m’u duk si kitarë e përmbysur, i kërkova shesheve e kafeneve dhe i gjeta. Ishin të dehur e hidhnin valle krahpërkrah në një zallishte buzë detit. Si dy shpendë të stërlashta që jepnin e merrnin midis tokës dhe detit. Shkrimtari i madh dhe Zorba, krahëhapur, më thirrën në valle. Greku Zorbas kish mbetur ai që kish qënë në vitet 40’. Hingëllinte dhe hidhte shqelme si mushkë…

***

Personazh tërë gjak e nerva, kaq grek, shqiptar, maqedhonas, serb, bullgar…Kaq i besueshëm e kaq fantazist, kaq ekstremist e aventurier. Me sa duket, ne ballkanasit jemi të velur e të dehur me këto koncepte, pse jo dhe të ndëshkuar e të zhgënjyer prej tyre. Rrjedhat “e lavdishme” të historisë, në esencë na kanë mpakur e kërrusur në kufinj tokësorë e kulturorë, luftëra e beteja; kujtesë e plasur e plagosur, histori mbijetese mbushur me urrejtje sa   nuk përbëjnë më traditë mësimdhënëse. E shumta një rezultatntee patretëshme, ose një Zorbë.

***

Koncepti i atdheut me atributin e të drejtës se – ai mund të jetë dhe fat dhe fatalitet, se ai dhe mund të të linçoi, burgosë, torturojë, madje dhe mund të të vrasë…- I tillë, kur barazohet me pushtetet përkatëse dhe veçanërisht kur shp0qërohet me epitete si atdhe komunist, socialist, fashist, demokratik, islamik, orthodhoks, katolik, historik, madje, edhe kur flitet për atdhe gjuhësor, letrar, artistik a sportiv. I tillë atdheu krijon nën lëkurë antitezën e tij. Ose një Zorbë. Që bërtet me përçmim: vjetërsira janë të gjitha, mbretër, republika, deputetët…të gjitha maskarallëqe, dhe morali, dhe atdheu, dhe feja. Kjo konstante historike ballkanike, kaq e trishtë vjen nga faktet, nga përvojat që i rëndojnë njeriut gadishullor mbi shpinë. (Një zëmërim tinzar që kam vërejtur nga mediokriteti grek sidomos nga paçavrat e mykura të kishës  greke, për shkrimtarin e tyre më të madh, N.K, them se kryesisht ka ardhë nga kryepersonazhi i tij, A. Zorba.) Atdheu i tij heleniku, mitiku, i dashuri, i famshmi, luftaraku, ortodoksi, nuk e donte krenarinë e vlerave të vërteta të rangut më të lartë evropian si letërsia e Kazanzaqit. As kisha ortodokse Zoti i së cilës fillon nga helenizmi dhe stomaku. Kisha shtet nuk i duron dot të vërtetat e trishta të poetëve. Vetëm antinomi grek, Zorba, i flak përtokë të gjitha kalbësirat, pseudokrenaritë kombëtar e fetare, që na qenkan  shtylla të helenizmit, e të qytetërimit.

Jeta e Zorbës është një roman i madh, mbushur me bëmat njeriun ballkanas, personazh i rrallë edhe në letërsinë e madhe për nga realizmi, fantazia dhe kompleksiteti estetik; patriot dhe luftëtar, diku kriminel, si përbindësh, diku dashnor i zjarrtë e human, gjithmonë kaluar aventurash, herë i urtë si filozof e herë pragmatist e konjuktural, i veçantë në trup, në shpirt, në virtute e vese. Dhe në fund, kundër shtetit, Atdheut, lirisë dhe Zotit…Liria ironike, sipas tij, “ardhka duke vrarë njerëz (!). Po të rri e të numuroj ç’krime e ç’zullume kam bërë të ngrihen leshtë e kokës…Liri i thënçin! Dhe Zoti në vënd që të na vriste me rrufe na genjeu me liri.”(f.28)

Lufta për të “është një tërbim njerëzor që të bën të kafshosh tjetrin, t’i presësh hundët, t’i çash barkun e…t’i kërkosh Zotit ndihmë”…(f.27) Zorba ka qenë luftëtar e patriot trim. Atij i hipte gjaku ala Zorbë e bënte kërdinë mbi armikun. Me gojën e tij ai thotë se ishte bishë e shkuar bishës, dhe se hante njerëz të gjallë në vend të pulave e derkucëve…Ai zhbiron në të kaluarën e tij, përplaset me lirinë dhe çlirimin e përfundon në humbës, nga diç në në hiç. Pacifizmi i Zorbës kap të gjithë hapësirën greke e shigjetat e tij arrijnë deri te Zoti që, sipas tij, i pëlqekan krimet, zullumet, prapësitë e ky zullumtar arrin dhe të filozofojë se…këto (prapësirat) janë të domosdoshme në mundimin e përjetshëm njerëzor…e se kjo kokë greke (bosh sipas Çajupit tonë), këtë kapele kërkon…

Deti i koncepteve heroiko-patriotike i  njeriut ballkanas kap të gjithë hapësirën. Dhjetë shtete të vegjël, të ngjeshura pranë e pranë në gadishull, të mbërthyera historikisht në hasmërira shekullore e aleanca kundër e pro njeri tjetrit, më tepër se liri e qytetërim reciprok, kanë prodhuar mëri e urrejtje, luftra, intriga, pabesira, çvendosje kufinjsh, minoritete në sqetullën e njeri tjetrit e të gjitha së bashku, historikisht dramatikë që, edhe kur janë tërhequr, vezët e gjarprit rreth e rrotull kufijve i kanë lënë. E Ballkani nga një vend fatos në rrënjët e qytetërimit botëror, ka rezultuar  një vend bastard e problematik për të gjithë Evropën.

Po, vëllai im Aleks Zorba, na ka kushtuar rëndë dhe miqësia dhe mëria, dhe paqja dhe lufta midis nesh. Dhe urat e miqësisë herë pae here çahen e rënkojnë nga dhimbjet e rënda mbi shpinë.

…S’ka miq në honet e vajtimit. S’ka ura në pellgjet e gjakut.

S’ka pëllumba në shpellat e krimit. Dy anët e urës së lashtë, Dy skaje dhimbjeje kanë ngrirë në erë.

Në Epir karafili nuk shkrep më.

Drizat çelën para agut

Rrugët janë  prerë…

***

Nëse ti kërkon t’u japësh kuptim tradicional gjërave e të vazhdosh të ndjehesh krenar me historitë e humbësit, përpara të del një farë Zorba me bërtimë: “Stop”… “gjithçka, njerëzit, pemët, yjet, janë hieroglife, mjerë ai që i lexon rrokje më rrokje.”(f.49) Edhe autori çuditet me pjellën e vet, nuk e kundërshton e pozicionohet ndaj tij kundër logjikës së pranuar tradicionale për atdhera, heroizma e lirira të paqena. Në çdo përplasje fiton Zorba, Zorba është kaq i lirë, kaq imponues, kaq i direktë sa cdo gjë që i ka barku ia nxjerr bardhaku. Përballë autorit triumfon e duket se është ky që i jep mend shkrimtarit. Kjo liri shprehjeje është e rrallë edhe në letërsinë e madhe botërore. E  ai, Zorba ka ardhur deri këtu nga mbingopja; ai ka dashur me gjak të zemrës të gjitha këto deri sa u nginj, u vel e tash po i vjell pa hezitim për të fituar lirinë. “Ja kështu u çliroka njeriu nga djalli”…po nuk u bë dhe vetë djall me brirë”(f.178)…Ai nuk do të mbetet më skllav, ai që ka qenë luftëtar dhe patriot i babëzitur, veshur e armatosur si andart, dhe sot gjashtëdhjet vjeçar e ka trupin me plagë, e të gjitha plagët nuk i ka pas shpine. Veçse, ai nuk krenohet më grekçe e shqiptarçe e serbçe, përkundrazi”…mushka kemi mbetur, uqër, dhelpra, derra. “(f.201) Gjuha e përvojave është mbresëlënëse. Ai tregon se si një ditë i ishte qepur një prifti bullgar që prift i thënçin! Netëve ai e hiqte rason, vishej çobançe e vriste të pafajshëm në fshatrat maqedonase. Atë ditë kish vrarë një mësues grek në gjumë. Zorba e kish gjetur në një qilar dhe e kishte therur si qëngj; I kishte prerë dhe veshët për koleksion; më pas kish takuar në udhe pesë vocërrakë që lypnin bukë. Kur mori vesh se qenë të priftit që kish therur, tmerrohet, i rrotullohet toka nga pikëllimi e plaga nuk iu mbyll as kur u fali të gjithë florinjtë që kish me vete. Ai ka arritur në ekstreme nga përvojat ekstreme…Kur ishte fëmijë kish qejf qershitë. Një ditë bleu e hëngri sa u shqep një shportë me qershi, pastaj e zuri barku dhe i volli. Kështu shpëtoi nga qershitë , nga duhani e nga e nga rakia e nga atdheu…

…Ai qenka shndërruar një Zorbë tjetër duke i shkarkuar nga qenia kombësitë, minoritetet, fetë, patriotizmat, bestytnitë dhe  vetes i thotë “hajvan”, hajvan për sa ka qenë. “Kam bërë e kam bërë unë për atdheun sa kur i dëgjon të ngjethet mishtë. Preva, vrava, plaçkita, dogja fshatra, përdhunova gra, lashë jetimë. Hajvan kam qenë, derr me zile…”(f.202) .

…Zorba i këtij shkrimtari të spikatur evropian, Kazanxaqit, duket se është gjithnjë njeriu i ditës. Çdo veprim i tij, edhe në skaj të aventurës, duket si spektakël. E kam takuar kudo në Athinë. Në supermarkete, taverna, ku ndizet vallja, atje ku,  kutërbojnë erë mish e uzo, shtëpi publike, kazinora e kanale  televizizive. E kudo këndon e vallëzon e bërtet kundër vetvetes, kundër broçkullave të shtetit dhe të kishës tërë alergji për për histori të lavdishme e heroizma. Grekët e mençur i japin të drejtë…Psikologjia e inferioritetit ka oreks për historizma e arkaizma heroike.  Atë e burrëron dhe krenon lavdia e dikurshme, ish jo soti, helenizmi, jo BE-ja. Dhe humbjet, dhe dramat. Dhe  ka ca pika të nxehta që, megjithse kanë kaluar shekuj e vite, i qëndrojnë si ankthe tmerri në kujtesë; krejt historia, si lufta me persët, katastrofa e Kostandinopojës, Izmirni, Thesaloniqi (Selaniku), Maqedhonia, i ashtuquajturi Vorioepir, ishujt, rusopondët (dhe për çudi zorbiane Himara jonë( pL) etj. Në në disa koka të nxehta politikanësh të dhjamosur, akoma nuk po ftohen e nuk po kuptojnë se historia të imponohet dhe me fatalitetin e saj, dhe me humbjet, dhe me falimente fatale dhe shpesh të dëmton e bëhet mësuesja më keqe. Greqia vegjeton midis segmentesh të politikave të vjetëruara dhe Evropës së Bashkuar, me një këmbë në të kaluarën plot me shartime e falsifikime, e me tjetrën në të ardhmen. Ky pozicion i vështirë e ka lodhur  psikologjikisht e duket më ballkanikja e Gadishullit, në të njëjtën kohë, e begatë, e bukur te Zoti me diell e det e bregdet plot mrekullira, me letërsi të fuqishme, por…Ky pozicion e bën poetin e saj të madh, Seferis, të pohojë se kudo që shkon Greqia e tij i hap plagë.

***

Zorba sinonim i grekut, njëkohësisht dhe antipodi i tij. Greku e do dhe e urren pjellën e vet më simpatike në presidiumet e letërsisë evropiane. A thua se përvojat e kanë tjetërsuar e ndërgjegjësuar, (nga hajvan  – e kanë bërë  hajvan të ndjeshëm (pa samar) sa, kur sheh një njeri që vuan i pikon zemra. Ai ka filluar t’i filtrojë përvojat.Vetëm nga gratë nuk është velur e prej tyre s’e ka fituar dot lirinë. Dobësi njerëzore thua? Apo babëzi greke? Zorba e ka këtë krimb madje dhe kur ka rrezik koke…Një ditë ishte rrethuar nga ushtarët bullgarë e për të shpëtuar ra në oborrin e një vejushe bullgare. Një e dorën në gjoks Zorba  e  ajo u dorëzua menjëherë. Fjeti tërë natën me të e përsëri filozofon: Ja ç’është njeriu, ja ç’është  gruaja, një lloj është robi, kombësia, raca, vrasja, lufta e liria e,  të gjitha këto, sipas tij sepse nuk e lë rehat bisha që ka përbrenda, atdheu. (!)…e ajo bishë atë natën e bullgares e bëri që në mëngjes ta spërkaste fshatin me vajguri e t’i vinte flakën (!)…”e sa të ketë atdhe, njeriu do të jetë bishë, bishë e kaluar bishës. Po lavdëruar qoftë, unë shpëtova.”(f.204). Shkrimtarin dhe personazhin, anipse në skaj të njeri tjetrit, niveli estetik i skenave moderne, i bën që të dy kenë të drejtë. Fundshekulli XX në Ballkan iku, si në fillesat e tij, me luftë e kufinjtë e shteteve dolën përsëri në pah si qindra vitesh kaluar. Akoma bëhet fjalë për fantazma shtetesh, sherre minoritetesh e synohet si dikur që shtetet të kenë pas dhe epitetin “e madhe”. Me sa duket Serbia, Shqipëria, Greqia, Bullgaria etj., paguajnë haraçet e së kaluarës se asnjë herë nuk kanë qenë të natyrshme në kufijte e veta. Sigurisht jo për motive të njëjta. I vogli karakterizohet nga nacionalizmi ekstrem. Kjo ka prodhuar urrejtje në çdo kohë. E mbi urrejtjen ballkanike, (prodhim vendi) Evropa ka gjetur shesh e ka bërë përshesh për interesa të veta duke flirtuar veçanërisht edhe me psikologjinë e mbeturinat turkoshake, edhe me djallëzitë e vendeve (feve)orthodhokse në veri e jug të gadishullit.

Zorba do ta quante Evropën “nëna e lavireve dhe e qelbësirave tokësore” (f.131). Niko Kazanxaqi e ka diagnozuar saktë sëmundjen e popullit të vet dhe me guxim e dashuri, me ndiesinë e një patrioti të kulluar, operon si kirurg për t’i pastruar plagët. Kjo jo vetëm te romani “Jeta e Aleksis Zorbas” (Botimi i tretë në shqip, 2016) që po analizojmë. Ndoshta duke kaluar dhe në ekstreme alternativash si me Zorbën, gjithsesi i ka bërë shërbim atdheut të vet dhe kulturës së krejt gadishullit plak. Patriotizmi i tij i madh e realist, dehja, mbingopja sloganeske, i gjithë ankthi i mbledhur në shekuj janë kthyer në një letërsi të madhe, jo vetëm në prozë. Por as letërsia e madhe nuk e shpëton dot atdheun dhe qytetarin nga prangat që prodhon vetë,  As mendimet dhe veprimet e Zorbës. Shkrimtari ia pranon aventurat Zorbës, por brenda barkut të tij ai djall me emrin Zorbë është i patretshë. Si gur.  Niko Kazanxaqi, ndoshta, donte të hiqte prej vetes pjesën e keqe, fallcitetin, boshllëkun, butaforinë. Sepse atdheu nuk është një sllogan e çdo intelekt krijuesish ka të drejtë ta verifikojë edhe atë. Poetë , dramaturgë e shkrimtarë  të shquar megjithse i kanë dhënë emër atdheut, kanë dalë në duel me të…Ne shqiptarët, gjithë jetën kemi dëgjuar sllogane glorifikuese për atdheun, pa e kuptuar thelbin e tij. As epitetet superlative e tullumbacet zbukuruese që i kemi prodhuar vetë(ala zorbë). Dhe një ditë, kur pamë se mbetëm pa bukë e pa qumësht e pa këmishë…, befas, sikur mbetëm dhe pa atdhe e vetë atdheu hapi rrugët e ekzistencës për vete e për njeriun e tij….Vendet e vogla jepen pas hijeve degëve të kujtesës dhe pjellin patriotë “të mëndej”. Dhe aventura. Dhe kujtesa të plagosura. Dhe maska nostalgjike.  Bronc të ngjeshur në lëkurë. Dhe butafori, shumë butafori, dhe poza me një narcizizëm të verbër se ne ishim dikushi, primatët, se ne ashtu e kështu…

Por,  Jo dhe jo, s’na pëlqen aspak të pranojmë se kemi qenë e jemi edhe Zorbë, edhe pak hajdutë, pak vrasës, pak gënjeshtarë e shumë  aventurierë, sherrxhinj, interesaxhinj e renegatë që shesim emër e kombësi për para e grada e lecka e …! Poetët dhe shkrimtarët e vërtetë me zorbat e tyre duan të shkulin nga vetja të keqen; kësisoj, ata nuk mund të privohen të thonë disa të vërteta të thukta edhe kundër gjërave që duan me gjithë zemër e që sa të mbyllin sytë u qan shpirti për plagët e hapura dhe ca  kumte hyjnore i shoqërojnë deri në pllakën e varrit  me emrat e thjeshtë,  vendlindje, atdhe, ose baba e nënë…Shpirt i trazuar diagrama jonë. Skajesh shtrirë që nga vrasësi ordiner deri te shenjtorja Nënë Terezë. Të denjë për drama dhe balada…

***

(E provova Greqinë si atdhe të dytë; e që vija nga një atdhe “ i lavdishëm”, rashë dhe pashë një atdhe akoma “më të lavdishëm: “kokërdhokë të bardhë homerikë/pa beben e syrit/Me lotë të ftohtë zambakësh/shkëlqenin/ E / të verbër/në heshtje lageshin në shi”. Ndërsa atdheu im më kish lidhur shkurt. Pë çdo shkrimtar ka qene dhe është kryeradhë, por jo si dikur, e natyrisht pa qenë Zorbë…Ndoshta dhe nga pozicioni i emigrantit atdheu për mua do ishte mall dhe brengë, krenari dhe fatalitet, lumturi dhe plagë. I kisha dhënë një lamtumirë kristali e muzgu e do ikja shtigjeve të vetmisë. Por në çdo çast unë dhe atdheu, dy vise gjumi të lidhura përjetësisht në gjak, në kocka e në zemër e në ëndrra.   Ngado që të vërtitesh, Nuk shpëtoke dot nga atdheu! Veçanërisht për krijuesit, ai është brenda qenies, gjak e shpirt, trup e frymë. I pranishëm dhe kur të lumturon, dhe kur të plagos, dhe kur të krenon, dhe kur të turpëron. Ai është fatalitet. Po, është imi, imi, atdheu im, i vogëli, i varfëri. “…është dhimbje, dhimbje/një prill i pikëlluar në shpirt,..është kryqi, është kryqi/e mban dhe të mban ty në shpirt/…atdheu është varr i hapur, është varr…/në një pikë loti lirinë e lind… ”(F. Arapi)

(Fragment nga libri me ese “Zito Zorba”)