Sporti dhe forcimi i identitetit shtetëror të Kosovës

flamuri-i-kosov-euml-s-dhe-ai-komb-euml-tar-valojn-euml-n-euml-maj-euml-n-e-ldquo-mont-blanc-rdquo-foto-video_hd

syla

Ismail Syla

Thënia si stereotip i njohur se njerëzit e kulturës: artistët shkrimtarët, këngëtarët e veçanërisht sportistët janë ambasadorë të vendeve të tyre në botë po bëhet gjithnjë edhe më konkrete me sportin e Kosovës.

Fare pak ditë pasi Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në lojërat olimpike, në fillim të gushtit, Kosovën e vizitoi nënpresidenti amerikan Joe Biden, në mes të gushtit. Ajo që ra në sy është mënyra spirituoze se si një burrështetas i nivelit të lartë, një VIP realisht i madh, e interpretoi para familje së tij të ngushtë përshëndetjen me kampionen e artë kosovare. Takimin me një medaliste të artë ai e prezantoi si tregues që është njeri me vlerë, sepse një kampione po takohej me të. Madje, duke zbritur nga shkallët e avionit shihej se nënkryetari amerikan mbante diçka në dorë. Në fakt ai kishte në dorë dhuratën për Majlindën.

majlinda-1

Majlinda bëri që pjesëmarrjen e parë të Kosovës ta kthejë në inaugurim të artë. Gjithçka të parë e bëri të parë. Ajo i vuri në siklet shtetet me miliarda banorë. Ajo bëri që flamuri dhe himni i Kosovës të nderohen në sytë e miliona e miliona shikuesve. Ajo bëri që distinktivët me flamurin e Kosovës të bëheshin gjëja me e kërkuar në Rio. Majlinda e përjetësoi emrin e saj në historinë e sportit të Kosovës. Nga ari i saj u prarua edhe emri i Kosovës. U forcua shtetësia e Kosovës.

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA sportit kosovar po i krijon platforma të reja. Për herë të parë Kosova me emrin e saj po bëhet pjesëmarrëse e garave me karakterin më të lartë botëror. Për herë të parë Kosova luan për kualifikim në Kampionatin evropian me shtete serioze. Kalendari i sportit evropian dhe botëror me nuk mund të bëhet pa emrin Kosovë. Mund të mungojë Kosova në përzgjedhjet e ngushta të Çmimit Nobel për të gjitha fushat, mund të mungojë në festivalet e çmimeve botërore në letërsi, muzikë e kinema, por nuk mund të mungojë si shtet që merr pjesë në futboll e sporte tjera. Një dritare globale është e hapur për emrin Kosovë dhe për sportistët kosovarë.

flamuri-i-kosov-euml-s-dhe-ai-komb-euml-tar-valojn-euml-n-euml-maj-euml-n-e-ldquo-mont-blanc-rdquo-foto-video_hd

Ky shpërthim i Kosovës në arenën ndërkombëtare u pa edhe në lojën e 5 shtatorit në Turku të Finlandës. Mbi 70 për qind e tifozëve në stadium ishin shqiptarë, në shkallët që zinin rreth 10 mijë shikues. Fenomeni i festimit të shqiptarëve e ka zëvendësuar fenomenin e tubimi për të protestuar, karakteristikë e fund shekullit të njëzetë.

Pjesëmarrja e Kosovës nëpër platforma globale të kulturës së popullarizuar, sot në sporte, e nesër edhe në aktivitete tjera, si eurovizion etj, po tregon etjen e talenteve të Kosovës për të shpërthyer dhe për t’u realizuar në përmasa evropiane dhe botërore. Po tregon se si me dekada janë ndrydhur talente me vullnet të madh. Janë paradokse të llojit të vet ato etiketime dhe fyerje që po iu bëhen sportistëve kosovarë në emër të tradhtisë gjoja të ngjyrave kuqezi. Një keqkuptim i pa nevojë, një dashakeqësi primitive, parake. Shpërthimi dhe zbulimi i talenteve të Kosovës, sistemim dhe risistemimi i tyre duhet shikuar si proces normal dhe jo si dezertim dhe renegatizëm. Duhet mësuar kushdo me realitetin e ri. Nuk ka asnjë arsye për t’u ndjerë më pak të vlefshëm, më pak shqiptar dhe më pak kombëtar kur luan për reprezentacionin e Kosovës, me flamurin e saj me himnin dhe emrin e saj.

flamuri_i_kosove%cc%88s_ne%cc%88_monte_rosa_-_2

Kontrasti i ngjyrave të flamujve nuk duhet ta krijojë idenë se diçka është zvetënuar në cilësinë kombëtare të Kosovës. Identiteti shtetëror i Kosovës ka rrugën origjinale të krijimit. Kosova tashmë ka kombëtaret e saj, në sport dhe në  të gjitha fushave. Atyre që përqeshin flamurin e Kosovës dhe ende nuk ua do zemra që ta duan aq sa e duan atë kuqezi, duhet rikujtuar një fakt. Nëse asgjë nuk iu pëlqen nga dizajni dhe ngjyra, së paku ky flamur një gjë e ka tepër esenciale: hartën e Kosovës, të shkëputur nga Serbia. Relievin e Kosovës që valon në një ngjyrë të kaltër, të qiellit, të hapësirës së lirisë. Flamuri i Kosovës ka ngjyrat dhe elementet që tregojnë se është shkëputur nga mendësia historike feudale, arkaike, fisnore dhe folklorike. Flamuri i Kosovës ka shenjat e flamujve të kombeve moderne. Kjo është përparësi.

Në vend të përfundimit: Ata që i bëjnë rezistencë pranimit të flamurit të Kosovës ma kujtojnë psikologjinë e dallimit të gjeneratave lidhur me emrat me domethënie orientale dhe atyre me kuptim shqip. Kemi dëgjuar secili prej nesh kur mendjet konservatore kanë rënë në bela me shqiptimin e ndajshtimit dhe të emrit të të afërmit të tyre: E si t’i thuhet Fatosit të vogël  kur të arrin moshën e pleqërisë “mixha Fatos”, ose një vajze me emrin e bukur Arborea, “halla Arbore” etj. Ndërkaq, për mendjet konservatore dhe aso që mbesin përjetë të mbyllura ndajshtime të natyrshme mbesin mixha Fetah, baci Amërllah, halla Dudi dhe inxhia Feti, pa qëllim të fyerjes së atyre që kanë këso emra.