Teksti i rralle per Shqipnine i vitit 1493

Albanologu Robert Elsie e ka publikue në faqen e tij ate që mundet me qene ndoshta i pari tekst ku përshkruhet Shqipnia nga Europa Qendrore.

Bahet fjalë për nji tekst të vitit 1493, të përgatitun nga gjermani Hartmann Schedel, mjek, humanist dhe historian.

“Këtu është një tekst i hershëm (viti 1493) për Shqipërinë dhe për Ballkanin perëndimor, duket se është përshkrimi më i hershëm i Shqipërisë nga Evropa qendrore,” shkruen Elsie.

Qe çka shkruen Schedel:

 

“Shqipëria ishte dikur pjesë e Maqedonisë dhe i përkiste asaj. Pjesë e saj janë dy qytete dikur të famshme, Durrësi dhe Apollonia. Gjuha e këtij populli nuk kuptohet as nga grekët dhe as nga sllavët. Hamzai i madh ishte nga kjo tokë. I lindur nga prindër të krishterë, ai hoqi dorë nga besimi i krishterë dhe u konvertua në muhamedanizmin e pakuptimtë. Por po aq lehtësisht sa refuzoi besimin kristian, ai refuzoi edhe supersticionin muhamedan dhe u kthye tek zakonët e të parëve. Dhe, megjithëse respektonte të dy besimet, ai preferonte të vdiste si një i krishterë, më shumë se sa si turk. Ai vdiq shumë pak kohë pas rënies së Kostandinopojës. Ai u pasua nga Gjergj Skënderbeu, i lindur nga prindër fisnikë, që kaloi shumicën e kohës me armë dhe në luftë, duke bërë beteja në emër të krishterimit. Ai mundi dhe asgjësoi ushtri të mëdha të turqve dhe, i vetëm, e mbajti rajonin besnik të Ungjillit të Krishtit. Megjithatë, thuhet se pjesa më e madhe e vendit është shkatërruar nga forcat e armiqve të tij. Mbreti Alfons shpesh dërgonte armë në Shqipëri. Ai mori qytetin e Krujës nën kontrollin e tij dhe e mbrojti nga turqit. Djali i vëllait të Skënderbeut të sipërpërmendur, që ishte aleat me turqit, u burgos nga kushëriri i tij. Ai iu dërgua mbretit Alfons dhe u burgos. Papa Kalikstus i ofroi Skënderbeut ndihmë në formën e parave”.

Ndërkohë në faqen e Elsiet janë publikuar ato që mund të jenë ndoshta fotot e para nga rajonet shqiptare.

Fotot janë bërë nga Jozef Sekeli në vitin 1863.

Ai ishte pjesë e ekspeditës së albanologut të njoftun Johan Georg fon Hahn.

Fotot janë ba në Shkodër, Prizren dhe Ohër.