Tri shtyllat e së keqes

dom-gjergji-1240x620

GJERGJ META

Kultura e vdekjes, ajo e fitimit të lehtë dhe korrupsioni janë tri shtyllat e së keqes mbi të cilat ngrihet plehnaja e problemeve që po kalon sot vendi ynë. Këto kultura janë kryekëput sëmundje të shpirtit në kuptimin më të gjerë të fjalës. Në mënyrë të përsëritur të gjitha projektet kinse kundërshtuese të kë- tyre tri kulturave, përfshi këtu qeverisjen me duar të pastra dhe Rilindjen, kanë dështuar me sukses. Do të thosha me jo pak keqardhje se këtu kanë dështuar edhe ato institucione që kanë për detyrë të kujdesen për shpirtin ose të themi nuk e kemi bërë si duhet punën tonë.

Këto nuk janë çështje teknike që zgjidhen me ligje apo me gjoba policie për rripin e sigurimit, nëpërmjet fb apo duke drejtuar gishtin, as duke ndërtuar qendra komerciale apo objekte kulti pa mbarim, por janë çështje që duhet të ngrenë në këmbë elitën e këtij vendi dhe të mendohet së bashku. E mira e përbashkët ose mendohet e shërbehet së bashku, ose nuk është e mundur të zhvillohet. Këto tri shtylla të së keqes, që mund t’i quajmë shumë mirë edhe viruse, kanë shtrënguar në grusht të ardhmen e vendit, sepse janë modelet që sot më shumë se kushdo tjetër i ka përqafuar rinia, të ushqyer nga baballarët apo gjyshërit e tyre.

Këto armë vdekjeprurëse janë fatkeqësisht në dorë të qendrave të pushteteve antinjeri, antishtet dhe antiligj e veprojnë mbi dhe nën dhe. Dhe këto janë goditje e drejtpërdrejtë ndaj të mirës së përbashkët duke e parë atë thjesht si një mundësi për pasurimin vetjak me çdo kusht. Vetëm në muajin e fundit ka pasur një përhapje të frikshme të vrasjeve.

Një 17-vjeçar vret një 18-vjeçar në Pogradec për një sherr në rrjetet sociale, një tjetër vret një 29-vjeçar se i kishte ngacmuar kushërirën; një djalë i ri krejt i pirë dhe me shpejtësi aksidenton dhe vret një efektiv policie duke plagosur të tjerët; një tjetër i ri me automjetin e tij nuk i bindet urdhrit të policisë dhe shkon e përfundon në oborrin e një shtëpie; një djalë i ri vritet duke bërë punën e tij si mbledhës i qumështit në Torovicë; një djalë tjetër i ri vritet në mes të Rrëshenit në stil krejtësisht mafioz; po ashtu vetëm para pak ditësh në Dajç të Bregut të Bunës vriten dy burra e plagosen katër të tjerë nga një person fare i ri.

E dje një 21-vjeçar vret në mes të qytetit të Shkodrës një 47- vjeçar se e kishte fyer. Për të mos folur për krimin në familje, rastet e dhunimit, rrahjet gati të përditshme, plagosjet dhe vrasjet me thika e vdekjet në aksidente. Në 28 mijë kilometra katrorë, në një popullsi më pak se 2 milionë banorë (se pjesa e tjetër janë në emigrim), kjo është shumë, kjo është tepër. Shtoji kësaj faktin se shumë të rinj, sidomos nëpër fshatra, janë pjesë e mbjelljes, kultivimit dhe përpunimit të kanabisit e hashashit.

Në një fshat afër Laçit më kanë thënë se ka gra e të rinj që kanë lënë punën në fasoneri, pasi përpunimi i bimëve narkotike është më me leverdi. Paguhen nga 2000 lekë në ditë, përfshi të dielat. Kush nuk do t’i donte 2000 lekë në ditë sot në Shqipëri? Janë më shumë se rroga e një mësuesi. Dhe ne presim që njerëz të papunë, të rinj që sillen vërdallë gjithë ditën, të mos i pranojnë oferta të tilla?

Në më shumë se një rast unë vetë di të rinj që kanë provuar së paku një herë të mbjellin kanabis e në ndonjë rast di që janë gjurmuar nga policia në fshatrat e Krujës, jo për t’u kapur, por për t’i thënë se janë pa leje. Nuk kam reshtur së thëni edhe në Komunitetin që drejtoj se kultivimi i bimëve narkotike është një mëkat kundër njeriut e kundër shoqërisë. Por fjalët shpesh bien në tokë ose në veshë indiferentë. Korrupsioni, si një e keqe e shoqërisë, në fakt kap shumë shpesh nëpunës në moshë të re, të sapodalë në jetë, të punësuar nga partitë apo nga miku i babit apo miku i mikut.

Kjo është e papranueshme. Universiteti në këto 25 vite ka prodhuar, kam përshtypjen, dy lloj të diplomuarish: të pashkollë ose të papunë. Shto këtu sfidën e Universiteteve private, të cilat kanë lindur nga hiçi dhe janë ngrehina të ndërtuara mbi një PR edhe asnjë tjetër më shumë, të cilat janë kthyer në një supermarket prodhimesh apo mbrojtje interesash të ngushta: nga diplomat, të honoris causa e deri te prodhimi i mendimit partiak apo mbështetja e një afere apo të një tjetre.

Të gjitha prodhime që ushqejnë kulturat e mësipërme dhe larg vokacionit zanafillor të Universitas. Është pak të quhet kaotike kjo situatë. Është mendoj një situatë e cila kërkon rritjen e nivelit të reagimit, sidomos në drejtim të përgjegjësisë. Nuk zgjidhet vetëm nga një parti, as vetëm nga një grup njerëzish e as vetëm nga një lider kjo situatë. Unë them se duhen të gjithë faktorët bashkë përreth një tryeze, një lloj task force, e cila ka brenda qeverinë, partitë, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë, religjionet, OJQ dhe sidomos mediat që duan t’i shërbejnë këtij vendi dhe jo vetëm xhepave apo pronarëve për interesa meskine.

Rikthimi te një kulturë jete, një kulturë pune dhe një kulturë ndershmërie në vendin e punës janë një produkt i mendimit dhe veprimit të përbashkët, përveçse conditio sine qua non për zhvillimin integral të shoqërisë e të personit njerëzor. Kush e ka për zemër jetën e këtij vendi, nuk mund të rrijë indiferent. Indiferenca është sëmundja më e keqe e të gjitha sëmundjeve. Sidomos nuk mund të rrimë indiferentë ndaj të ardhmes, që do të thotë ndaj të rinjve.