Trump dhe madhështia e gjykatave amerikane

sami_repishti

Sami Repishti

 

 

Titulli i sipërm ashtë mar rë nga Editoriali i gazetës prestigjioze “The New York Times”: tërheqës në formën e tij, dhe kuptimplotë në substancë. Editoriali i shkruem me 9 shkurt 2017, u referohet zhvillimeve të fundit në politikën shtetnore të SHBA-ve, krysisht konfliktit, të provokuem pa nevojë, nga  “urdhëni ekzekutiv” i Presidentit D. J. Trump. Në mes të zhurmës mbytëse të mjeteve të informimit, tue përfshi edhe njoftimet e shpeshta të Shtëpisë së Bardhë, “…zani lehtësues na qetësoi këto ditë…. (Ky za) ka qenë debati gjyqsor mbi ligjshmëninë e “ndalimit” (the ban) të hymjes së refugjatëve, emigrantëve dhe vizitorëve të huej në Shtetet e Bashkueme.

Gjatë këtyne ditëve të bujshme, nuk ka pasë fyemje, as kërcënime personale, as sjellje kapriçioze e fëminore; ka pasë vetëm gjykatës, të pavarun dhe asnjanës, dhe avokatin e Qeverisë nga ana tjetër, që debatuen në mënyrë të qytetnueme problemin kompleks legal me nji respekt reciprok dhe me përmbajtje. E gjithë kjo tingëlloi si zani i të rritunëve që marrin përsipër përgjegjsinë e qeverisjes së vendit, dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Unë e quej këtë qëndrim: madhështi e revelueme për të gjithë, mbrenda dhe jashtë Shteteve të Bashkueme të Amerikës!

Për orë të gjata, tre gjykatës federativë (dy demokratë dhe nji republikan) dhe avokati i Qeverisë diskutuen pa tone zemrimi teknikalitetet e ndryshme procedurale. Ashtë pikërisht ky qëndrim që çmohet si rutina madhështore e ligjit. Megjithëse jo material/landë spektakolare për masat e gjana, “…rutina synon me zbatue precedentë të maparëshme, dhe parime me vendosë për raste të tanishme, si dhe me dhanë sigurime se nuk do të gjindemi para të papritunave në të ardhmen….(nji synim) që ka mbajtë vendin relativisht të qëndrueshëm dhe paqësor për ma të shumëten e kohës në historinë e vendit tonë…”

Ky zhvillim fatlum ka efektin e “…kujtesës së vendit tonë, se kemi nji Qeveri që mbështetet në sundimin e ligjit,” esenciale për nji vend demokratik!

* * *

Me 27 kallndor 2017, Presidenti Trump firmoi nji “urdhën ekzekutiv” me të cilin bllokoheshin hymjet në SHBA të qytetarëve të shtatë vendeve me popullsi shumicë myslimane. Urdhëni i Presidentit ndalonte hymjen e të gjithë refugjatëve për nji periudhë prej 120 ditësh dhe në mënyrë definitive për refugjatët sirianë, pjesa ma e mjerueme e tragjedisë së refugjatëve në ditët tona, dhe nji plagë e randë për shoqëninë ndërkombëtare. Ky “ndalim” diskriminues prodhoi nji kundërshtim emocional të fortë dhe aktiv në të gjithë Amerikën.

“Urdhëni” frymëzoi protestat masive që bllokuen të gjitha aeroportet e mëdha amerikane dhe paralizoi trafikun ndërkombëtar. Meniherë filluen ankimet dhe ballafaqimet legale në emën të të damtuemëve

(Shënim: “Kundërshtimet legale nuk prekën nji seksion të urdhënit ekzekutiv: sasinë e caktueme prej 50.000 refugjatësh që lejohen me hye në SHBA gjatë vitit fiskal 2017. Ky numër u pakësue nga ai origjinal prej 110.000 që kishte përcaktue ma parë ish *Presidenti Barack Obama.”Urdhëni ekzekutiv” gjithashtu udhëzon Sekretarin e Shtetit dhe Sekretarin e Sigurimit të Vendit me dhanë prioritet refugjatëve që deklarojnë se janë pjestarë të pakicave fetare të persekutueme–jo myslimane. Deri me datën 9 shkurt 2017, kjo don të thonte se Shtetet e Bashkueme do të pranojshin afërsisht 16.000 refugjatë të rinj gjatë këtij viti. Që nga data 1 tetor e vitit të kaluem, 33.929 refugjatë janë pranue, nga të cilët 5.179 sirianë,” simbas “The New York Times”, 10 shkurt 2017).

Në mbramjen e datës 9 shkurt 2017, Paneli Gjyqsor i caktuem me vlerësue ligjshmëninë e “urdhënit ekzekutiv” të Presidentit, unanimisht rrëzoi kërkesën e Presidentit Trump “me ndalue” hymjen në SHBA të refugjatëve, kryesisht nga shtatë vende me popullsi shumice myslimane. Kjo fitore e pushtetit gjyqsor mbi pushtetin ekzekutiv (tue përfshi edhe Presidentin) ka forcue parimin e “ndamjes së pushteteve” dhe pavarësinë e tyne. Për ma tepër, aftësia e nji gjykatësi me kontrollue veprimet e Presidentit u konfirmue me vendimin e dhanun nga nji gjykatës federal, i nderuemi James L. Robart, i Shtetit Washington, me 3 shkurt 2017. Z. Robart dekretoi “mosveprim të përkohshëm” (“temporary restraint”) deri në ditën kur argumentet e refugjatëve të ndigjohen nga gjykatat e ndryshme. Prokurorët publikë të 17 shteteve amerikane depozituen nji ankesë për këtë problem dhe kërkuen bllokimin e urdhënit të Presidentit Trump. Ni veprim i këtill mundësohet nga Kushtetuta që kërkon para çdo dënimi/ndëshkimi të cilitdo person, ai/ajo duhet të lajmërohet zyrtarisht dhe çështja duhet të dalë para gjyqit (“due process of law”, Amendamenti V).

Kushtetuta amerikane detyron Qeverinë me njoftue “personin” me shkrim, dhe me lejue daljen para Gjykatës për mbrojtje. (SHBA ka 94 Federal District Courts që kujdesohen për respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve federale nga 50 shtetet e ndryshme, që shërbehen nga 678 gjykatës të distrikteve federale) Presidenti kundërshtoi. Nji avokat shtetnor paraqiti gjendjen para Panelit të Gjykatësve – në këtë rast të Gjykatës Federale të Rrethit (Circuit) IX me qendër në San Francisco (SHBA ka 12 Federal Circuit Courts)- për marrjen e nji vendimi mbi deklaratën e gjykatësit James L. Robart. Mbas paraqitjes së kërkesave të Qeverisë, Paneli i Gjykatësve deklaroi se Ekzekutivi nuk ka paraqitë evidencë se 7 shtetet e përjashtueme nga e drejta e strehimit në SHBA dhe emigrimit kanë krye akte terroriste në vendin tonë.

Paneli i Gjykatësve gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e Presidentit Trump se “…gjykatat nuk kanë autoritet me kundërshtue Presidentin në çështje të sigurisë kombëtare”, dhe afirmoi parimin e Gjykatave me luejtë nji rol kyç në nji demokraci konstitucionale. “…Nuk ka asnji dyshim,” shkruen vendimi i Panelit , “se gjykatat federale gëzojnë autoritetin me marrë vendime kushtetuese që nuk aprovojnë veprimet e ekzekutivit”. Ky vendim aprovon urdhënin e gjykatësit James L. Robart, shteti i Uashingtonit, të lejohen refugjatët me hye në SHBA. Gjykatësi Robart njohu të drejtën e Presidentit me marrë vendime që kanë të bajnë me sigurinë kombëtare, por hodhi poshtë pretendimin se “…kujdesi për sigurinë kombëtare ashtë “i pandryshueshëm” (unreviewable) edhe në raste kur ka mundësi që vendimet janë kundër të drejtave dhe mbrojtjes kushtetuese.

Ky vendim u kundërshtue ashpër nga Presidenti! Ai nguli kambë se Ligji i Emigracionit i garanton Presidentit të drejtën dhe autoritetin “me mbrojtë sigurimin e kombit, sigurimin e qytetarëve”. Por Prokurori i Shtetit të Uashingtonin e kundërshtoi.”Urdhëni Ekzekutiv” për “ndalimin” e hymjes në SHBA shkelë Kushtetutën Amerikane, e cila nuk lejon diskriminimin fetar – në këtë rast antimyslimanizmin. Ai theksoi se Presidenti kërkoi “nji përjashtim të plotë të myslimanëve me hye në SHBA” dhe për këtë ai citoi fjalët e Presidentit gjatë fushatës elektorale, si dhe përpjekjet e tij me gjetë nji formulë që “legalizon” aktin e tij antikushtetues. Presidenti Trump akuzoi Gjykatat amerikane për “politizim”, nji fyemje e randë për drejtësinë amerikane – të pavarun dhe asnjanëse- që gëzon respekt të madh nga të gjithë.

Lind pyetja: sa autoritet kushtetues të pavarun gëzon Presidenti në çështjet e emigracionit, dhe sa pushtet i ka dhanë atij pushteti legjislativ (Kongresi)? Përgjigjja: mjaft autoritet! Por pushtetet e tjera të njohuna nga Kushtetuta janë po aq të forta sa të pakësojnë këtë “autoritet” ose të eliminojnë atë. Kryesorja, mbrojtja e barabartë për të gjithë para ligjit, nji proces gjyqësor e ligjor para çdo ndëshkimi, dhe sidomos Amendamenti i parë që ndalon përkrahjen/mosrespektimin e cilitdo besim fetar mbeten shtylla kryesore. Shumë gjykatës në SHBA kanë kundërshtue urdhënin e Presidentit Trump.

Por gjykatësi James L. Robart ashtë i vetmi që urdhënoi blokimin “e urdhënit ekzekutiv”. Si hap i dytë kjo mosmarrëveshje përfundoi në US Federal Court 9th Circuit, San Francisco. Presidenti Trump u pergjegj: “Shihemi në Gjykatë”. Kështu ka shumë mundësi që çështja e emigrantëve dhe e refugjatëve të përfundojë në US Supreme Court, e cila ka fjalën e fundit. (Në përgjithësi, besohet se Gjykata Supreme do të përkrahë vendimin e Gjykatave Federale). Artikull 2 i Kushtetutës, autorizon Presidentin me drejtue politikën e jashtëme dhe problemet e emigracionit.

Por gjykatësi federal Robart interpreton: “Megjithëse gjykatat i japin ma shumë dorë të lirë (ekzekutivit) krahut politik në kontekstin e emigracionit, kjo nuk don të thotë se degët politike (ekzekutivi) mund të veprojë në mënyrë të papërgjegjshme…. Gjykatat Federale nuk kanë nji rol tjetër ma të shenjtë se mbrojtjen nga sjelljet irracionale dhe diskriminuese ndaj grupeve të mospërfilluna (minoritetet)”. (Nji precedent. Me 24 korrik 1974, Gjykata Supreme e SHBA vendosi unanimisht që Presidenti Nixon duhet të dorëzojë të gjitha kasetat (e bisedimeve të tia në lidhje me Watergate -spiunimi sekret i Partisë Demokratike).

Ky vendim mjaftoi. Nixon, i kapun në flagrancë, dy javë më vonë dha dorëheqjen me evitue procesin poshtënues të “impeachment”. (Akuzim të nji zyrtari për sjellje të papranueshme gjatë përmbushjes së detyrës zyrtare). Në këtë rast, vendimi u muer nga Kongresi (Dhoma dhe Senati) që nuk përkrahu Nixon-in. U përcaktue përgjegjësia dhe Senati e dënoi. Ai dha dorëheqjen me evitue arrestimin dhe largimin nga detyra me forcë…!) Sot me rastin e Presidentit Trump, të dy Dhomat e Kongresit janë në shumicë me Trump-in dhe nuk mendojnë për nji “impeachment” për shkeljen e Kushtetutës. Po të krijohet nji situatë e këtill, do të ishte nji proces i gjatë dhe i vështirë.

Por megjithatë, protestat e kundërshtimet masive kundër sjelljeve arrogante dhe të pashpjegueshme të Presidentit rriten çdo ditë në të gjithë Amerikën. Ballafaqimi kushtetues i të dy pushteteve (ekzekutiv, gjyqësor) do të krijojë nji precedent me efekte për brezënitë e ardhme. Ky ballafaqim do të përcaktojë edhe ma saktë- sisht autoritetin dhe pushtetin e këtyne dy degëve të pushtetit. Por ajo që rezulton që tani ashtë se Kushtetuta kufizon pushtetin. Mjafton nji urdhën nga nji gjykatës federativ me ndalue urdhënin e Presidentit. Me gjithë autoritetin e madh të tij, ai nuk mundet me veprue në kokë të vet, dhe me pa përgjegjësi.

Nji tjetër aspekt ashtë veprimi i Presidentit pa konsultim me Kongresin. Në nji rast të këtill, pozita e Presidentit ashtë e dobët, ashtu si u revelue në këtë rast. Konflikti u ba i paevitueshëm. Megjithëse ligji për emigracion i jepte Presidentit fuqi të plota me përcaktue konditat e hymjes së të huejve në SHBA, ky autorizim nuk ka vlerë nëse ashtë diskriminues për arsye fetare – në këtë rast antimysliman. Vendimi i Panelit të Gjykatësve konfirmoi këtë aspekt të “urdhënit ekzekutiv”. Presidenti Trump dhe këshilltarët e tij e kanë ba të qartë, deklaruen avokatët e shtetit Uashington- se pikësynimi i plotë ishte nji ndryshim i balancës në favor të refugjatëve të krishtenë në kurriz të myslimanëve.

Të gjithë avokatët që përkrahen gjykatësin Robart, për meriten e tyne, ishin të krishtenë! Qeveria mbron “…qëndrimin se vendimi i Presidentit Trump mbi politikën e emigrimit, veçanërisht kur ajo prekë problemet e sigurisë kombëtare, ashtë “e pandryshueshme” (unreviewable) edhe në raste kur këto veprime janë në kundërshtim me të drejtat dhe mbrojtjet kushtetuese, “ dhe “,,,nuk ka precedent që mbështetë nji “rikonsiderim” të këtill….. se trajtimi i problemit që pritej nga Trumpi shkon kundër strukturës themeltare të demokracisë sonë kushtetuese”.

Tue komentue përballjen e dy pushteteve, analistja Amy Davidson (The New Yorker) shkruen: “Ndoshta në mendimin e Administratës rreziku i damtimit (të prestigjit të Presidentit) nuk ka qenë Presidenca e Republikes si nji institucion, por ideja se ‘ky’ President nuk mundet me punue në kokë të vet, dhe se damtimi i pariparueshëm ashtë në fakt për prirjen e tij me tregue mendjemadhësi…” Protestat masive dhe kundërshtimet e përditshme kundër sjelljes arrogante dhe të pashpjegueshme të Presidentit Trump rriten çdo ditë në sheshet e qyteteve dhe rrugët e fshateve të Amerikës së lirë! Shihet qartë se fibra morale e demokracisë amerikane ka nerva të çelikta dhe pulsing e nji topi! Kjo na ban të gjithëve krenarë!