Trump, fituesi i Big Brother

static2-politico-com

ballaSokol Balla – Washington

Në Starbucks Coffee, në C Street, në Washington, radha e gjatë e njerëzve ishte e zhurmshme të mërkurën në mëngjes. Të bardhë, hispanikë, aziatikë, indianë, të gjithë duke folur e diskutuar në pritje të marrjes së gotës së kafesë. Të gjthë nëpunës të administratës publike, bankierë e këshilltarë. Të gjithë jo më shumë se 35 vjeç.  Të gjithë të inatosur, të zemëruar, të shokuar. Më të “qetët” ata që talleshin ende me Trump. Por Trump nuk është më një shaka. Ai është Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe rezultati i kolegjeve elektorale të fituara prej tij, është i ngjashëm me atë të Barak Obamës në mandatin e dytë. Por Trump është shumë më tepër se kaq. Dhe askush nuk e kuptoi. Ose më saktë askush nga ata që blejnë kafe në Starbucks, lexojnë New York Times dhe shohin CNN, argëtohen me komedianët e majtë dhe liberalë të spektakleve të mesnatës dhe nuk jetojnë as në zonat e thella e as ato të varfra të Amerikës.

Që ky vend është i polarizuar, nuk ke pse shkon edhe aq larg. Në Pennsylvania Avenue, aty ku gjendet edhe Shtëpia e Bardhë, sheh numrin më të madh të lypsave dhe të pastrehëve në gjithë kryeqytetin amerikan. Flenë në trotuare, dyer dyqanesh apo stolat poshtë Departamentit të Drejtësisë. Dhe këta lypësa nuk janë më vetëm zezakë. Jo. Në fakt shumica prej tyre janë të bardhë dhe jo pak prej tyre janë gra. Njerëz të dëshpëruar, të pashpresë dhe shpesh agresivë. Sepse shohin sesi pabarazia, që dikur ishte në favor të tyre, tashmë i ka prekur ata vetë. Askush nuk e solli barazinë, as një president afrikan amerikan. Ai më së shumti e spostoi balancën në krahun tjetër.

Por në Pennsylvania Avenue, gjendet edhe hoteli më i ri i Uashingtonit, Trump International. Reflekton me arrogancë një luks të pazakontë. U përurua vetëm pak javë më parë, duke e çuar në dy, numrin e adresave që Trump do të ketë së paku për katër vjet në këtë bulevard. I pasur, arrogant, zhigolo’, i preferuar i elitave dhe lëpirës i tyre. Atëherë përse Donald Trump u votua nga të dëshpëruarit, të pashpresët, të inatosurit, të bardhët? Apo nuk është kështu?

Shpesh media liberale e kryesisht e majtë, e portretizoi atë si të tillë: armik të femrës, zezakut, emigrantit, liberalit, tolerantit. U bënë analiza se femrat, zezakët, hispanikët, njerëzit me shkollë nuk do ta votonin. Duke i shkruar në fakt recetën e fitores. Sot në Amerikë votojnë 70 përqind të bardhë. Amerika mbetet zyrtarisht vendi i injorantëve, dhe me statistika dhe sondazhe, një ndër pesë amerikanë beson se është Dielli që rrotullohet rreth Tokës dhe jo e anasjellta, një ndër tre amerikanë nuk di akoma ndarjen në tre degë të pushteteve në vend. Dhe ja ku është formula kolektive e fitores së tij.

E megjithatë, edhe kjo recetë nuk është ende mjaft për të shpjeguar fitoren e Trump.

Të dhënat e votimit ditën e martë, treguan se latinët nuk e votuan Clinton aq sa pritej dhe se gati 30 përqind e tyre votuan Trump. Të dhënat treguan se të pashkolluarit e ndanë votën e tyre thuajse përgjysëm mes tij dhe Hillary, duke mos i dhënë miliarderit, mbështetje aq ekstreme. Gratë gjithashtu, treguan se megjithë mbështetjen për Hillary, nuk janë dot numerikisht aq të ndikueshme në një rezultat kombëtar elektoral. Dhe askush nuk shpjegon dot faktin se Clinton u votua gati 10 përqind më pak nga afrikano amerikanët, të cilët si duket, megjithëse nuk i besuan Trump votën, i besuan atij kur u tha se Hillary Clinton ishte një gënjeshtare, e paaftë dhe e korruptuar. Dhe nuk dolën që ta votonin.

Por sërish kjo nuk shpjegon plotësisht humbjen e saj.

Në parkun Lafayette përballë Shtëpisë së Bardhë, në të gdhirë të të mërkurës pas zgjedhjeve, kishte mijëra njerëz. Mosha të ndryshme, raca të ndryshme, formime të ndryshme. Një burrë i bardhë rreth të 50-ave me xhinset e tij të gjera e paformë, me atletet e bardha e pa shije dhe me kapelen e pamungueshme të bejzbollit, që ulërinte e qeshte: “Jepini Trumpit një shans”. Një hispanike që qeshte me të madhe dhe vazhdonte të ofronte për shitje bluzat me stampen e Hillary dhe diçiturën: “Mirësevini Zonja Presidente”. Këta, dy personat e vetëm që bënin zhurmë dhe dy personat e vetëm që nuk shihnin celularin për lajmet më të fundit.

Të gjithë të tjerët po. Sepse ky është komunikimi publik i kohës. Një raport strikt personal mes perdoruesit dhe celularit. Në këtë raport personal, futet vetëm komunikuesi. Trump, Clinton,, por besoj miliarderi e kuptoi këtë më mirë se kushdo tjetër. Kuptoi se në këtë raport intim, nuk mund të futesh me arrogancën e televizioneve dhe të përpjekjeve te tyre kaq të pacipa për të ndikuar në një rezultat politik. Dhe as me dorën e këshilltarëve. Trump kuptoi mekanizmin e kohës, intimitetin e individit me celularin e tij. Ndaj çohej në tre të natës për të bërë një Tweet, ndaj shkruante e shante aq hapur kundër Clinton. Pasi ai e kuptoi mirë, se kur jemi vetëm, në dhomë apo me celularin, aty ne të gjithë jemi të sinqertë me veten. Aty nuk bëjmë hipokritin, por bëjmë atë që duam: kryesisht shajmë gjithçka që nuk është e jona.

Ai nuk zgjodhi të përdorë televizionet, por përkundrazi t’i sulmojë ato. Nuk zgjodhi të flirtojë me gazetarët, por përkundrazi t’i anatemojë ata. Ai nuk zgjodhi të korruptojë mediat, por raportin e tyre me shikuesit, dëgjuesit, lexuesit. Ai zgjodhi të futej në shtëpitë e amerikanëve, jo nga televizori në dhomën e zjarrit por nga celulari, poshtë krevatit, në banjo, apo në parkimin e makinës. Donald Trump është pjella më tipike e epokës moderne ku jetojmë, ku sondazhet kolektive janë tashmë lapidar i dështimit të matjes së opinionit publik. Sepse sot nuk ka më rëndësi opinioni publik, por ai personal, i fshehtë, intim, pervers i individit. Opinion, i frustruar nga suksesi i tjetrit, nga fama, nga femrat, nga makinat e bukura, nga gruaja e fqinjit apo qeni më i shtrenjtë i tij. Trump provokoi turmën anonime të individëve, që shajnë në rrjetet sociale, por kjo i bën të ndjekin edhe më shumë “viktimën” e sulmeve të tyre. Donald Trump ky biznesmen intuitiv, e nuhati se suksesi nuk të bën popullor. Popullor të bën urrejtja ndaj tij. Sepse të gjitha ata që shajnë, me vete, me emër anonim, në Facebook apo komentet poshtë një shkrimi, i bashkon një gjë: cmira ndaj atij që sulmojnë, pasi megjithëse e dinë që nuk janë dot si ai, vdesin që një ditë ta kenë atë mundësi. Të jenë si Trump, të pasur, moskokëçarës, feministë, gjuhëlëshuar, të lirë për të bërë ç‘të duan. Dhe nëse nuk janë dot vetë, e votojnë që të qëndrojë në lojë.

Donald Trump ky mjeshtër i Reality Show e kuptoi më mirë se kushdo se tashmë gjithçka është si një Big Brother i madh. Dhe bëri lojën e Vilanit, heroit negativ. Shau femrat e bukura dhe të suksesshme, dhe mori gjithë votat e atyre që janë e kundërta. Shau meksikanët dhe mori votat e atyre që nuk i durojnë ata dot të përhapin kulturën e tyre agresive-emigrantë. Por mori edhe votën e miliona të tillëve që tashmë me dokumenta preferojnë të identifikohen më si të tillë. Sulmoi gjithë figurat e suksesshme të Amerikës, dhe me mjeshtëri e “përjashtoi” në subkonshin e njerëzve, faktin se dhe ai, ishte njëri prej tyre. Sa herë ne, kemi marrë celularin dhe kemi votuar të mbajmë në Big Brother të gjithë ata që kanë zgjedhur të bëjnë “lojën”, negativin, ngatërrestarin, interesantin? Sa herë kemi vendosur ne, me një sms tonin, që këto personazhe ta fitojnë këtë lojë? Këtu duhet parë suksesi i vërtetë i Donald Trump. Ai e kuptoi epokën e re socio-dixhitale ku po jetojmë. Ku publiku, komuniteti nuk kanë më rëndësi. Rëndësi ka vetëm individi.

Dhe historia ka treguar se personat e guximshëm që e shohin të vërtetën para të tjerëve, janë ata që fitojnë.

Frenklin Delano Ruzvelt ishte i pari që kuptoi rëndësinë e radios dhe nisi traditën e mesazheve javore në të. Gazetat dhe rivalët e tallën. Por Vetëm vdekja e ndaloi të merrte një mandat të katërt si President. Xhon Kenedi tallej edhe nga i ati i tij, sa herë i fliste atij për magjinë e televizionit. Por televizioni ishte ai që e bëri President dhe vetëm plumbat e Lee Osvald e ndaluan në mbretërimin e tij si president. Sot Donald Trump është presidenti i parë amerikan që doli nga “Big Brother”. Suksesi, por dhe fundi i tij tashmë është vetëm në dorë të celularëve tanë. Ai “vdes” vetëm ditën që ne nuk do t’i përdorim më ato.

E di.  Kjo nuk do të ndodhë për një kohë të gjatë. /Javanews/