U nda nga jeta Naile Hoxha, bilbili i kangës shkodrane

naile hoxha

SENAD NIKSHIQI

Ajo iku nga kjo jetë me merakun se nuk do të kishte më kush ta zëvendësonte.

naile

E vlerësonte lirinë që kishin sot artistët, por jo mënyrat që përdornin këngëtaret për t’u bërë të famshme. Luçije Miloti, Xhevdet Hafizi, Ibrahim Tukiçi, Bik Ndoja e të tjerë, ikën para saj dhe askush nuk i zëvendësoi.

“Jo nuk ka, nuk vijnë më. Të gjithë kanë vdekur dhe nuk i ka zëvendësuar kush. Edhe unë do të vdes, sepse jam 82 vjeçe dhe nuk ka kush të më zëvendësojë”. Kështu do të shprehej në intervistën e saj të fundit, dhënë për gazetën “Panorama”, disa muaj më parë. Dhe tani ajo nuk është më.

Naile Hoxha, bilbili i këngës popullore shkodrane, u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Pas një karriere të suksesshme, kryesisht përpara viteve ’90, ajo mbylli sytë dje, në një shtëpi private për të moshuar, ku ajo kaloi ditët e fundit të jetës së saj. Homazhet për nder të këngëtares do të mbahen sot në orën 11:00, në ambientet e Bashkisë së Shkodrës.

KËNGËTARJA

Ajo nuk ishte si gjithë të tjerët. Naile Hoxha, këngëtarja e madhe e muzikës popullore shkodrane u nda nga jeta duke lënë pas një pasuri të paçmuar. Ajo e nisi karrierën artistike, kur ishte fare e re, vetëm 13 vjeçe, për t’u bërë një nga zërat më të dashur për publikun shqiptar, duke kultivuar ndër breza shpirtin e saj artistik me një muzikë e këngë që vështirë se mund të përsëriten më.

Janë të paharrueshme këngët e interpretuara nga ajo si “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, etj. Është shumë më shumë se krenari që pata fatin që intervista e saj e fundit të ishte për mua në gazetën “Panorama”.

Një rrëfim i saj jo vetëm për muzikën dhe këngët, por edhe për jetën e saj si dhe pozicioni social-politik ndër dekada me radhë. Në fakt rrëfeu jo në veten e parë, por duke përfshirë edhe shumë personazhe të tjerë.

Natyrisht që nuk ishte aspak e lehtë që të gjendeshe përballë Naile Hoxhës në një intervistë për të gjithë veprimtarinë dhe jetën e saj. Një zonjë e vërtetë, e cila nuk bënte teka, por natyrisht që mbarte mbi supe atë krenarinë e hijeshinë e një gruaje të madhe shkodrane. Naile Hoxha, u nda nga jeta fizikisht, por këngët e saj do të mbeten gjithnjë të ngulitura si pararojë e artit shkodran e shqiptar.

VITET E FUNDIT

Naile Hoxha, zëri melodioz, një perlë e këngës popullore qytetare shkodrane zgjodhi që vitet e fundit të jetës së saj t’i kalonte në një qendër rezidenciale private, në qytetin e Shkodrës.

Edhe pse tentoi të jetojë me vajzën e saj të vetme në Gjermani nuk ia doli dhe preferoi që të lërë Gjermaninë dhe të vijë në Shqipërinë e saj, në Shkodrën e dashur për të kaluar momentet e fundit.

Edhe pse iu ofruan disa mundësi, qoftë nga vajza e saj, por edhe nga të afërmit, Naile Hoxha tregoi thjeshtësinë e një gruaje të madhe që e karakterizonte duke preferuar që të jetojë me bashkëmoshatarë në qetësinë e intimitetin e një të moshuare. Asgjë nuk i mungonte, as dashuria e njerëzve të saj, as komoditeti, por Nailja zgjodhi azilin privat.

Aty gjeti gjithçka që kërkonte dhe arriti që të qëndrojë gjatë, për rreth 3 vite deri sa dha frymën e fundit. Naile Hoxha vuante nga zemra, sëmundje që i mori jetën në moshën 82-vjeçare.

Edhe pse në moshë, gjatë intervistës provoi të këndonte një strofë jo për nostalgjinë e saj se sa për të më treguar se mosha ishte e parëndësishme për të dhe se në shpirt vijonte të ishte e freskët e ndërsa zëri i saj pa frikë vinte si të ishte 20 vjeçe.