Zgjedhjet 2017: Si plazhi i vogël i Ulqinit

Valon Syla

 

 

Pas zgjedhjeve nacionale 2017, Kosova ka mbetur si ai Plazhi i Vogël në Ulqin. Atje siç e dini; si u rrezite në rërë, apo si hyre në ujë, pa prek në jashtëqitje nuk shpëton.


 

E enjte, 24 gusht, ende asnjë Liderë nuk i ka numrat. Po e nënvizoj lider, sepse partitë nuk pyeten në këso raste. Dhe këta Liderë përpos numrave, asnjë prej tyre nuk e ka as idenë themelore se çka duhet të bëhet me dialog Kosovë Serbi, Energjetikë, Miniera e Minerale, Ndërmarrësi e Bujqësi, si dhe Shëndetësi, Arsim dhe Ushtri, të cilat po i quaj ‘çështje të mëdha’, edhe pse janë shumë të vështira në aspektin e arritjes së zgjidhjes së tyre dhe të rënda në aspektin se disa nga deputetët e ministrat nuk e kanë ashtin që mund t’i mbajnë presionet e  t’i shtyjnë këto punë deri në fund.

Të gjitha këto tema të mëdha zëvendësohen me muhabete ‘shmoklanash’ se kush i ka apo s’i ka numrat. Dhe kjo tashmë duket qartë se përpos mos pasjes së numrave, askushi nuk e ka fuqinë të ngrisë një Qeveri që do t’i sjellte kosovarëve koncenzus nacional, apo shtetëror, që së paku për këtë mandat do të vënte themelet për zgjidhjen e këtyre ‘çështjeve të mëdha’.

Kosova, nuk ka hyrë vetëm në krizë parlamentare, por edhe politike. Dhe kjo situatë përpos që është e dhimbshme, bëhet edhe qesharake, kur qifti i Labinot Tahirit, i vjen radha të vendos për të gjithë ne, në cilën do anë qoftë se vendos superylli dhe ‘humanisti’ nga Ferizaji. Ka edhe ‘superyje’ të tjerë në Kuvend që pritet të ndërrojnë anë, por problemi qëndron se as këta ‘tipat e numrave’ nuk kanë fort lidhje me këto çështjet e mëdha, të lartëpërmendura.

Dëmet nga Diskursi Politik dhe Ambasadat si Paterica të Qeverive

Shumë nga liderët janë mësuar që Ambasadat e Quinitit të bëhen paterica për krijimin e Qeverive. Këtë herë këto ambasada, më shumë se sa të lëshojnë komunikata dhe deklarata se gjithçka çka po ndodhë është turp, nuk mund të ofrojnë ndonjë zgjidhje… Sepse diskursi politik dhe sharjet mes partive janë aq të rënda dhe të flliqta saqë anjëri prej tyre nuk e ka guximin as të ulet në takim me njëri tjetrin se lëre më të ndërtoj koalicion apo qeveri të fortë.

Çdo hap i partive për koalicione shkel parime demagogjike të vëna nga diskursi i fëlliqt politik. Qoftë ata të LAA’së me VV, që u shanë e u gjuajtën me molotova e gozhda, deri te AKR me PDK, dhe secili variant tjetër anasjelltas. Kjo shkujë sharjesh politike dhe etiketimesh me epitete deri te tradhëtare, të shoqëruara herë pas here me dhunë, zjarrë e lotsjellës, e herë me ‘ngulje’ politike për thyerje marrëveshjesh, e ka vënë politikën e Kosovës si të pa aftë të merr vendime, të krijojë Qeveri, se lëre më koncenzus për ‘çështjet e mëdha’.

Thjeshtë politika e Kosovës, ka mbetur si ai Plazhi i Vogël në Ulqin. Atje siç e dini si u rrezite në rënë, si hyne në ujë, pa prek në jashtëqitje nuk shpëton. Dhe në aty do të prekin të gjithë, disa me bryla, disa me gojë duke notuar, e disa me shpinë, pavarësisht se a do të rreziten në opozitë, apo do të lahen në deti.

Mësimet nga Zgjedhjet e Fundit

Në shkrimin e fundit i kam cekur arsyet pse strategët e zgjedhjeve nuk do të duhej të vendosnin për koalicione të mëdha. Për më shumë mund të lexoni në këtë link.

Përpos arsyeve taktike dhe të mobilizimit të masave ‘Koalicionet Fallco’ nuk i përbinë më elektorati kosovar. Kjo u pa me zgjedhjet nacionale të qershorit 2017. Votuesit e PDK’së dhe AAK’së deri dje shikoheshin me mërrola, e disa edhe me revole në brez, nuk pajtoheshin për shumë gjëra. Sidomos ndarjen e pushtetit dhe meritave të tjera që ata mendojnë se ju takojnë nga lufta, por edhe teknokratët e këtyre partive nuk pajtoheshin as për demarkacion, dialogun me Serbi, dhe çështje të tjera, që për një natë, kinse u pashitën duke u bërë bashkë.

Po ashtu edhe AKR me LDK, ishte një koalicion i panatyrshëm, sepse të gjithë me demagogji i lidhte vetëm diskursi pozitiv për Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, i cili për ata që e njihnin nga afër, thuhet se as Isa Mustafën e as Behgjet Pacollin s’un i shihte me sy.

Dhe këto ‘salto mortale’, apo akrobacione vdekjeprurëse, e rritën një parti që nuk ju fut koalicioneve fallco siç është Vetëvendosja, e cila edhe vet ishte e habitur se sa shumë është rritur në zgjedhjet e fundit. Por siç thotë fjala e urtë; ‘dora e huaj shpinën nuk ta kruan’, vetëm mund të eksitojë diku tjetër… dhe ky eksitim i Vetëvendosjes, do të zgjasë deri sa të gjitha partitë tjera nuk e kuptojnë se elektorati kosovar ka treguar se është më i avancuar se liderët e këtyre koalicioneve që i kanë bërë. Kosovarët kanë evoluar dhe më nuk i interesojnë komandantët e luftës, e as oficerët e finacave të jugosllavisë e të qeverive në ekzil të para 25 viteve.

Eshte një kohë e uljes së diskursit politik, dhe sharjeve të kota. Sepse të gjithë jeni në një plazh të vogël të Ulqinit, dhe ai duhet pastruar mirë, sepse dihet se çka ju pret.

Koncensusi si Shpëtim

As zgjedhjet e reja më nuk janë shpëtim. As formimi i një Qeverie që bazohet në numra të Labit, apo të tallava yjeve të tjerë. Një koncensus i të gjitha partive, duhet të ndodhë së pari për çështjet e mëdha, pra për dialogun Kosovë – Serbi, Energjetikë, Miniera e Minerale, Ndërmarrësi e Bujqësi, si dhe Shëndetësi, Arsim dhe Ushtri, dhe të gjitha partitë të funksionojnë mbi këto koncensuse. Ata që nuk pranojnë koncensus, nuk janë të pjekur të vazhdojnë tutje.

E pastaj edhe do të ishte më i lehtë formimi i koalicioneve të cilët mbi vete marrin punët e rënda që dalin nga këto konsensuse politike e që nuk do ta shanin njëri tjetrin të nesërmën për këto vendime të vështira dhe jo popullore që nuk ka qare ndonjëri nga politika e Kosovës pa i kryer.

Fjala është për vendime të ndieshme me Serbinë, reforma të thella brenda partive, në gjyqësor dhe në ekonomi, arrestime të banditave qeveritar, ngritje të çmimit të enrgjisë elektrike, jepja e minierave me konsesion, privatizime, largime nga puna e punësime të reja, pra vendime të rënda dhe jo popullore që nuk mund t’i kryej asnjë nga superheronjtë e partive politike si i vetëm, çoftë edhe me shkopin magjik të Harry Poterit, që Vetëvendosje pretendon se e ka.

Koncensusi do të sillte tema serioze për zgjidhje, dhe do t’i ndihmonte partitë të dalin nga kjo katrahurë e numrave, që çdo ditë e mëshumë po i bënë horë këto parti, që po harrojnë duke folur për numra, duke e zbuluar se të gjithë e kanë gajlen vetëm te ndarja e pushtetit, e jo te fillimi i zgjidhjeve të problemeve jetike, sepse zgjdhja përfundimtare e këtyre problemeve është dekada vite larg.

Elektorati nuk është numër, apo së paku s’është siç ka qenë deri tash. Nëse nuk e keni vërejtur ata poashtu çdo ditë e më rrallë, po lahen në Plazh të Vogël.