Këto janë kerret që vozitin politikanët e Kosovës

Agjencia Kundër Korrupcionit ka publikue të Mërkurën pasunitë e deklarueme të zyrtarëve që mbajnë poste publike në Kosovë.

Në formularët për deklarim të pasunisë, zyrtarët publikë janë thirrë me deklarue edhe pasunitë e luejtshme, tue përfshi edhe kerret që posedojnë.

Kjo asht nji përmbledhje të kerreve që kanë deklarue disa nga zyrtarët publikë, që mbajnë poste të nalta shtetnore, të cilën e sjell Metro.

Kështu, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në AKK ka deklarue nji kerr të markës ‘Audi’ të vitit 2016.

Thaçi deklaron se e ka ble 15 mijë euro.

Kryetari i Kuvendit dhe i PDK’s, Kadri Veseli, ka nji kerr ‘Jeep’ që e ka ble 16 mijë e 300 euro.

Kryeministri Isa Mustafa nuk ka deklarue kerr në AKK.

Që posedojnë veturë nuk kanë deklarue as Albin Kurti nga Vetëvendosje e Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.

Sa i përket zavendës-kryeministrave, Ramiz Kelmendi nuk ka deklarue kerr, por dihet publikisht që, ndër veturat tjera që posedon, asht edhe nji limuzinë Rolls Royce.

Zv.Kryeministri tjetër, Hajredin Kuçi, ka deklarue dy kerre me vlerë të përbashkët prej 19,500 eurosh.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka dy kerre: nji ‘Opel Zafira’ dhe nji ‘Mini Cooper’, të dyja kapin vlerën e 11 mijë eurove.

E kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka një kerr të llojit ‘Skoda Superb’, të cilën e ka ble 10 mijë euro.

Ndërkaq, lideri i AAK’s, Ramush Haradinaj, nuk ka qenë i obliguem me deklarue pasuninë, për shkak se nuk mban post publik.

 

KERRET E MINISTRAVE TË QEVERISË SË KOSOVËS

 

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka një veturë ‘Renault Clio’ me vlerë 7,900 euro. Ajo e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, posedon një ‘Dacia Duster’ prej 16,900 eurosh. Dalibor Jevtic ka deklaruar dy vetura me vlerë 35 mijë euro: një ‘Smart’ dhe një ‘Passat’. Skënder Hyseni i Punëve të Brendshme ka veturë ‘Audi’ me vlerë 35 mijë euro.

Tri vetura i ka deklaruar ministri Kujtim Shala – së bashku ato kanë vlerë 11,500 euro. Dy vetura i ka deklaruar ministri i Mjedisit, Ferat Shala. Të dy veturat e tij ai i ka vlerësuar 35 mijë euro. Kryediplomati Enver Hoxhaj ka veturë ‘Audi A6’ me vlerë 10 mijë euro e ministri Imet Rrahmani ka dy vetura, një ‘Golf’ e një ‘Audi’ me vlerë 10,500 euro. Valon Murati vozit një Volkswagen me vlerë 18,500 euro, kurse Avdullah Hoti ka një ‘Opel Vectra’ prej 5,800 eurosh.

Një tjetër ministër nga LDK preferon ‘Opelin’ – Haki Demolli vozit një ‘Zafira’ me vlerë 4 mijë euro, kurse Arban Abrashi ka një veturë të vitit 2007, por nuk e ka specifikuar llojin, veçse ka deklaruar se ajo kushton 4,500 euro. Veturë relativisht të lirë ka deklaruar edhe Blerand Stavileci. Ai ka një Opel Astra – 5 mijë euro.

Ndërkaq, ministrja Hykmete Bajrami ka veturë ‘Mercedes E’ me vlerë 9,500 euro, kurse ministrja tjetër, Mimoza Ahmetaj ka dy vetura me vlerë 11 mijë euro. Ministrja pa portofol, Edita Tahiri, ka deklaruar veturë Opel Astra prej 12 mijë eurosh.

Ndërkohë, ministri Mahir Yagcilar ka një ‘Renault Modus’ me vlerë 6 mijë euro e Ivan Todosijevic nuk e ka specifikuar llojin e veturës së tij, por ka deklaruar se ajo vlen 8,500 euro.

Memli Krasniqi dhe Lutfi Zharku janë ministrat e vetëm të cilët nuk kanë deklaruar vetura.