Labit i obligohet me deklarue diçka

I zgjedhun deputet i Kuvendit të Kosovës, kangëtari Labinot Tahiri, që nga marrja e detyrës merr mbi vete obligimin e deklarimit të dhuratave, ku ban pjesë edhe bakshishi.

Simbas Agjencisë Kundër Korrupcionit (AKK), kangëtari nga Ferizaj që nga betimi i tij si deputet konsiderohet zyrtar i naltë publik dhe me këtë bart obligime ligjore.

“Rasti të cilit iu jeni referuar konsiderohet si Zyrtar i Lartë Publik sipas nenit 3, paragrafit 1, nën-paragrafit 1.1, pika 1.1.2, të Ligjit Nr. O4/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtareve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë”, thuhet në përgjigjen e AKK për KALLXO.com.

Dyshimi rreth ligjshmënisë së pranimit të bakshisheve vjen nga neni 11, paragrafi 4 i Ligjit Nr. O4/L-050. “Personi zyrtar nuk mundet me pranue dhurata monetare”.

Mirëpo, Agjencia Kundër Korrupcionit e ban të qartë se personi zyrtar nuk mundet me kërkue ose pranue dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bajnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë ose munden me ndikue në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit.

Pra, ndalimi i pranimit të dhuratave vlen për ato dhurata, të cilat ndikojnë ose munden me ndikue në ushtrimin e detyrës së tij si deputet.

“Duke qenë se neni 11, paragrafi 1 i Ligjit Nr. O4/L-050 dhe Ligjit Nr. 04/L-228 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. O4/L-050 i referohet dhuratave të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare.”