4 llojet ma të përhapuna të kancerit te femnat

Kanceri asht fjala që ngjall ma shumë frigë sapo e ngon. Simbas Institutit Kombëtar të Shëndetit, rreth 1,685,210 raste të reja me kancer diagnostikohen çdo ditë në SHBA. Ndërkohë, që të gjithë jemi të rrezikuem të prekemi nga kanceri gjatë jetës sonë, ka lloje të caktueme kanceri që prekin ma shumë femnat.

Kanceri i gjinit

Siç mund ta dini, kanceri i gjinit asht ai që godet ma shumë femnat. Simbas Everyday Health, kanceri i gjinit nxe 26% të krejt llojeve të kancerit që prekin femnat çdo vit. Gjasat për kancer të gjinit janë ma të nalta te shtetet në zhvillim, për shkak të mënyrës së ushqyemjes dhe konsumimit të alkoholit.

Simbas Shoqatës Amerikane të Kancerit, mbi 240 mijë raste të kancerit të gjinit diagnostikohen çdo vit dhe 40 mijë prej tyne vdesin nga smundja, tue u ba kështu shkaktari i dytë i vdekjes nga kanceri te femnat.

Kanceri i mushknisë

Simbas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kanceri i mushknisë asht lloji i dytë ma i përhapun i kancerit dhe shkaktari kryesor i vdekjeve si te mashkujt ashtu edhe te femnat. Kjo smundje vret ma shumë se 100 mijë femna çdo vit. Pimja e duhanit asht nji nga shkaktarët kryesorë të kancerit në mushkni. Ky lloj kanceri prek ma shumë të moshuemit dhe asht ma i përhapun te gratë në ngjyrë të bardhë se ato të racave të tjera.

Kanceri kolorektal

Kanceri kolorektal, i njohun ndryshe si kanceri i zorrës së trashë, asht lloji i tretë i kancerit ma i përhapun te femnat dhe prek ma shumë ato mbi 50 vjeç. Ai ndodh kur rriten në mënyrë të pakontrollueme qeliza në zorrën e trashë, që çojnë në zhvillimin e tumoreve të vegjël, të njohun si polipe.

Ky lloj kanceri mund të trajtohet nëse zbulohet në fazat e hershme, por nëse lihet pa trajtue për nji kohë të gjatë, ai mund të përhapet në pjesë të tjera të trupit, si mëlçi ose mushkni.

Kanceri i mitrës

Kanceri endometrial ose kanceri i sistemit femnor të riprodhimit, prek pa dyshim vetëm femnat. Simbas Shoqatës Amerikane të Kancerit, ma shumë se 60 mijë raste të reja janë diagnostikue me këtë lloj kanceri vetëm gjatë vitit 2016.

Ky lloj kanceri prek organet riprodhuese të femnës dhe asht ma i përhapun te femnat që e kanë kalue periudhën e menopauzës. Simptoma ma e zakonshme e tij asht gjakderdhje e pazakontë vaginale. Për fat të mirë, ai mund të trajtohet shumë lehtë nëse kapet në faza të hershme.