A mundet me vra kancerin sistemi ynë imunitar?

Nji tjetër fitore në avancimin e trajtimeve me imunoterapi për kancerin këtë vit. Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në SHBA ka pranue ilaçin e imunoterapisë të quejtun Keytruda, i cili stimulon sistemin imunitar të trupit, për trajtimin e parë të pacientëve me kancer në mushkni, shkruen CNN.

Me fjalë të tjera, ilaçi mundet me qenë trajtimi i parë te pacienti që ka smundjen, madje, para kemioterapisë. Keytruda asht ilaçi i vetëm i imunoterapisë i aprovuem për trajtimin e parë te këta pacientë.

Pra, doket se kujdesi për kancerin në t’ardhmen ka me qenë vetë sistemi ynë imunitar. Por, si e realizon ai këtë, dhe cilët janë pro dhe kundër tij?

“Sigurisht që ka me qenë nji mënyrë e pamvarun e trajtimit të kancerit”, thotë dr. Philip Greenberg, kreu i imunologjisë në nji qendër të studimit dhe trajtimit të kancerit në Siattle.

“Na gjithmonë folim për tri shtyllat e terapisë së kancerit, terapia e rrezatimit, kemioterapia dhe ndërhymja kirurgjikale, dhe mesa doket kemi me pasë dhe nji shtyllë të katërt, e cila asht imunoterapia. Ka raste kur ai mundet me u përdorë i vetëm, dhe ka raste ku mund të ndërthuret me terapitë e tjera”, thotë Greenberg. Ndoshta kjo lloj terapie mundet me qenë terapia kryesore në t’ardhmen.