Ben Stiller rrëfen betejën e vështirë me kancerin: Analiza që ma pshtoi jetën

Atë e njohim për rolet e tij komike në filma, por historia e kallxueme rishtazi nga Ben Stiller flet për nji betejë të vështirë, të luftueme për dy vjet me radhë jashtë vëmendjes së publikut.

Në nji rrëfim të gjatë në “Twitter”, aktori i famshëm zbulon se kishte vuejt nga kanceri në prostatë dhe se nji test i thjeshtë i kishte pshtue jetën.

“Isha me kancer dy vjet ma parë dhe due me folë për këtë. Testi më pshtoi”, shkruen 50-vjeçari, ndërsa shpjegon se qysh ju kishte ndryshue jeta mbrenda nji çasti.

Mandej, në nji letër të gjatë të publikueme në faqen e internetit të projektit për të mbledhë fonde kundër kancerit, ai shton:

“Me diagnostikuen nji tumor në prostatë më 13 Qershor të 2014, kishte mbi nga hiçi. Nuk e kisha aspak idenë. Në nji moment të parë nuk dija se çka ka me ndodhë, pata shumë tutë. Kërkova në Google, burra me kancer në prostatë dhe m’u shfaqën emna të tillë si John Kerry dhe Robert De Niro. Ata janë mirë tash, por lexova edhe histori të personave që nuk ia kishin dalë. U ndjeva me fat mbasi e zbulova në kohë tumorin”.

Pikërisht në këtë moment, aktori lëshon mesazhin e tij mbi randësinë e testit të gjakut të quejtun “Psa”, i cili mat sasinë e antigjenit prostatik.

“Ai test ma pshtoi jetën. Pikërisht për këtë po shkruej tash. Nëse sot jam mirë, asht mbasi kisha nji mjeke që më nxiti me ba testin. Nëse kisha me pritë deri në 50 vjeç, siç rekomandon American Cancer Society kisha me zbulue shumë vonë kancerin”. Ylli i “Zoolander” pohon se ishte shnosh plotësisht 3 muej mbas diagnostikimit.