Dieta ushqimore e randësishme edhe për shnetën mendore

Na e dijmë që ushqimi ndikon te trupi ynë, por a ka nji impakt të fuqishëm edhe në mendjen tonë?
Derisa roli i dietës dhe landëve ushqyese në shnetën fizike asht i pamohueshëm, influenca e faktorëve dietikë në shnetën mendore asht marrë ma pak parasysh.

Shoqata Psikiatrike Amerikane e klasifikon acidin yndyror omega-3 (ma së shumti i gjetun te peshku) si nji trajtim plotësues për depresionin.

Psikiatrët kohët e fundit kanë nxjerrë studime që përveç mënyrës së jetesës, në shnetën mendore ndikon edhe ushqimi. Nji grup shkencëtarësh nga Shoqata Ndërkombëtare e Kërkimeve Psikiatrike, argumentojnë se dieta ushqimore asht po aq e randësishme për psikiatrinë sa për kardiologjinë dhe gastro-enterologjinë.

Me rreth 450 mln njerëz në tanë botën që vuejnë nga çrregullimet mendore, nji nga autorët e studimit dr. Drew Ramsey përmend randësinë e disa landëve ushqyese të caktueme për shnetën e trunit, përfshi acidin yndyror Omega-3, vitamina D, vitamina B, zinku, hekuri dhe magnezi. Dietat moderne, të denduna në kalori, kanë tendencën me pasë mangësi të këtyne landëve të randësishme ushqyese, që mund të kontribuojnë në kushtet e shnetës mendore. Shumë studime kanë lidhë depresionin me sasi të vogla të vitaminës B, ndërsa mungesa e vitaminës D luen rol në zhvillimin e skizofrenisë te fëmitë.