Nji letër tronditëse nga nji grue e smute

Dera u hap vrullshëm dhe nji valë ajri lëvizi gjithçka në dhomë. Kështu hynte ai në zyrën time. Përshëndeti me za të naltë që nga dera, siç e kishte zakon, dhe ashtu i randë e i madh u fundos në kolltuk.

“Qysh e ke Teutën”, e pyeta për gruen, që kishte heqë gjinin para gjashtë muejsh.

“As mirë, as keq. Si gjithmonë, me shqetësime.” Nxori nga xhepi nji zarf, që ma zgjati me lexue.

-“Para dy ditësh e ka marrë nga nji e panjohun”.

Fillova me lexue nëpër buzë.

“E dashur Motër,

Mos u çudit nga kjo letër prej një të panjohure. Unë vuaj si edhe ti nga e njëjta sëmundje. Dua që ti të dish për mua e luftën time dhe unë të di për ty dhe luftën tënde. Krejt rastësisht, në një vizitë mjekësore, doktori, preku një gjëndër në gjirin tim të djathtë. ‘Zana’, tha ai ‘ky nodus duhet të hiqet menjëherë.’ U ndjeva tmerrësisht e ftohtë. U ngrita dhe u vesha shpejt. Isha krejt e shokuar. Nuk u besoja veshëve.

Diagnoza e kancerit të gjirit, siç e di, kërkon ditë dhe javë të tëra konsultash me specialistë të ndryshëm, që mbledhin informacionin dhe marrin vendimin për mjekim. Koha midis diagnozës fillestare dhe operacionit, ishte më e vështira për mua. Në fillim mendova se kjo nuk duhej të ndodhte me mua. Gradualisht e mblodha veten dhe kuptova se kjo jo vetëm mund të ndodhte, por ajo realisht kishte ndodhur. Kishte një periudhë që më pushtoi frika dhe shpirti m’u mpi e m’u ftoh. Mendimi se do të vdes më torturonte. Më bënë shumë konsulta, analiza gjaku, mamografi, skaner të kockave, radioskopi të kraharorit dhe isha aq e zënë me këto procedura, sa nuk më mbetej kohë as për të qarë. Vazhdova të bëj çdo gjë që më rekomanduan. Unë dija që kanceri i gjirit ka natyrë vdekjeprurëse, por rritja e tij e ngadaltë do të thotë që të mos nxitohem. Këtë ma tha edhe Doktori që do të më operonte.

Gjëja e parë që mendova kur më thanë se kam kancer të gjirit ishte: ‘Edhe po të mos vdes, gjirin do ta humbas’

Më tmerronte ideja që trupi im bëri këtë padrejtësi me mua. U befasova nga që nuk kisha ndjerë asnjë shqetësim. Shpesh, bisedoja me burrin. Ai mundohej t’u shmangej bisedave për këtë temë me mua. Përpiqesha ta ruaja kontrollin mbi atë që po ndodhte. Në fillin m’u duk sikur nuk e kontrolloja dot veten dhe ndjehesha konfuze. Ndjeja nevojën të bisedoja për sëmundjen time. Nuk më pëlqente kur të tjerët i shmangeshin kësaj. Unë dëshiroja që ata të dëgjonin për frikën time dhe të diskutonin opsionet e ndryshme të mjekimit. Dëshiroja të dëgjoja histori të suksesshme të atyre që e kishin fituar luftën me kancerin, veçanërisht, të atyre që kishin sëmundjen time. Ndjeja se më duhej inkurajimi i njerëzve për të jetuar. Inkurajimi do të më ndihmonte ta futja kancerin në një kuti dhe ta flakja çelësin në lumë. Unë desha njerëz, që kur bisedonin me mua, të ndjeja se ata u besonin fjalëve që vetë i thoshin. Mungesën e tyre e ndjeva. Fizikisht kisha rreth vetes shumë njerëz të familjes e miq. Ata ishin aty me mua, por ata nuk dinin të më ndihmonin. Mua më duhej përkrahje psikologjike për të më ngritur moralisht. Fatkeqësisht ata nuk dinin ç’është kanceri, nuk dinin efektet e tij shkatërruese në psiqikën e atij që e vuan.

Në fillim desha t’i thosha doktorit “Të lutem hiqe dhe të shpëtoj”. E dija se kjo ishte tepër naive, sepse kanceri është sëmundje që përhapet nëpër trup. Më dukej në atë kohë se mund ta shkëmbeja gjirin me jetën. Kjo ishte vetëm një dëshirë emocionale dhe aspak realiste. Pyetja që më torturoi gjithë kohën ka qenë “Pse u sëmura unë?” Unë nuk kisha asnjë faktor risku për kancer të gjirit, kam ngrënë mirë dhe jam ushtruar fizikisht. Jam munduar t’u bëj mire të gjithëve. Kurrë nuk e pata menduar se do të sëmuresha me kancer. Jetoja me frikë dhe mëshiroja veten. Gradualisht u ndërgjegjësova. Arrita të kuptoj se isha e destinuar për këtë dhe nuk gjeta dot një përgjigje për pyetjen ”pse pikërisht unë?”

“Nuk mund ta zgjatim”, më tha në një vizitë Doktori. “Duhet të bëjmë biopsinë.”

Pas njëzetekatër orëve isha në një tavolinë operacioni për biopsi. Kisha dhënë lejen të hiqej gjiri, në qoftë se biopsia do të vërtetonte se kam kancer. E shtrirë në atë tavolinë, brenda vetes, ndjehesha e sigurtë se diçka e mirë do të ndodhte. Mendimi i fundit që pata, kur isha shtrirë në atë tavolinë, para se bari të bënte efektin, ishte se do të zgjohesha me gjirin. Unë gabova. Në moshën tridhjetë e shtatë vjeç u diagnostikova me kancer në gjirin e djathtë. Dhe .. u zgjova pa gjirin.

Disa ditë pas operacionit kuptova se heqja e gjirit nuk më ktheu në jetën time normale. Jeta që nga ajo kohë ndryshoi shumë dhe unë e ndjeva, se ajo nuk ka për të qenë, kurrë, si më parë. Unë nuk e dija në atë kohë, por ai ishte fillimi i udhëtimit më të pabesueshëm të jetës sime. Gjithë kohën pyesja veten në se kisha marrë vendim të drejtë dhe cilat do të jenë pasojat e kësaj rruge që fillova. Pas këtij momenti të parë erdhën disa javë ankthi dhe vështirësi për t’u përqendruar. Ishte një periudhë që nuk krihesha e nuk laja as dhëmbët. ‘Po qe se do të vdes, kush do të çajë kokën për flokët e dhëmbët e mia’, mendoja unë.

M’u deshën shumë muaj që të kthehesha tek kujdesi për vajzën dhe familjen, e të kryeja detyrat e mia, që jeta të rridhte edhe një herë qetësisht. ‘Mos e harro’ i thosha vetes, ‘qelizat kanceroze e urrejnë të qeshurën, i urrejnë shakatë, këngët dhe kërcimet. Kanceri ikën kur ka shumë nga këto. Qelizave të mallkuara u pëlqen trishtimi, depresioni, hidhërimi dhe frika. Gëzimi i përzë.

Pas operacionit ndjeva sikur nuk isha më femër, sikur nuk isha më ajo që isha. Nuk isha më tërheqëse për burrin. Më frikësonte mendimi, se burri mund të më abandonojë. Gjithë kjo frikë, e kombinuar edhe me tmerrin emocional të operacionit, bënë që të rrëzohesha, u cenua krenaria ime. Burri edhe pse nuk e thoshte, unë e kuptoja, që hezitonte për marrëdhënie intime pas operacionit. Mundohesha ta justifikoja këtë qëndrim të tij, sikur ai nuk donte të më shqetësonte mua. Në të vërtetë krenaria ime ishte thyer. Më shpesh mendoja, se kjo ftohje e tij vinte nga që unë nuk isha më tërheqëse për të. Është e vërtetë, unë humba diçka nga pamja ime. U bëra më pak femërore. Mund të humbas edhe flokët. Humba tërheqjen time seksuale, humba ndjeshmërinë seksuale. Të gjitha këto humbje janë të thella dhe çojnë në një hidhërim të parakohshëm.

Dëmtimi më i rëndë që kanceri i gjirit bëri tek unë, ishte dëmtimi i seksualitetit. Unë ndjeja se seksualiteti im nuk ishte më pjesë aktive e jetës time. Kjo ishte e vështirë për mua, por ishte e vështirë edhe për personelin e pavijonit. Nuk ka gjendje më të rëndë se ajo, kur të dy palët shtiren sikur e kanë neglizhuar një problem që nuk e zgjidhin dot. Unë nuk dëshiroja t’i pyesja dhe doktorët nuk deshën të më pyesin, gjithashtu.

Kur mjekoja plagën pas operacionit, prekja dhe shikoja trupin në mënyrë të çuditshme gjatë gjithë kohës. Ndjeja se ky nuk ishte trupi im. Nuk kisha asnjë kontroll mbi atë që ndodhte brenda dhe jashtë meje. Sa herë e kujtoj, tmerrohem nga ajo që ndjeva kur bëra dushin e parë pas operacionit. Ishte i tmerrshëm momenti që dora nuk preku gjirin po u zhyt në atë zgavër të shëmtuar. Unë humba ndjenjat.

Një natë u ndjeva shumë keq. Diçka më shtrëngonte në fyt, këmbët sikur m’i kishin lidhur dhe më përvëlonin. Ndeza llambën tek komodina dhe i flaka mbulesat. ‘Ndihmomë të lutem’, i fola burrit, që ishte shtrirë në një krevat tjetër aty pranë, “jam shumë e frikësuar, nuk di ç’të bëj, ndjej panik.”

Burri u kthye dhe më tha, ‘ nuk mund të të ndihmoj, u lodha duke të ndihmuar ty. Pse nuk shqetësohesh për diçka tjetër, veç vetes tënde? Të shqetësohesh për mua, të shqetësohesh për vajzën. Ti vetëm për veten tënde mendon. Unë nuk të ndihmoj dot më. Ti çdo natë në shtrat frikësohesh, ndjen panik dhe kërkon që unë t’i bëj të gjitha gjërat në rregull për ty, por kuptoje nuk mundem’.

Lot rrodhën nga sytë e mi. Ndjeva, se ai i lodhur me gjendjen time, po më flakte. Erdhi një ditë që frika se nuk isha tërheqëse iku. Unë u mësova me cungimin tim të tmerrshëm fizik. Por asgjë nuk e pakësoi frikën se kanceri mund të rishfaqet. Sa herë shkoja për rikontroll, ndjeja se shkalla e ankthit, e shqetësimit, pagjumësia dhe frika para kontrollit ishin po aq të tmerrshme sa dhe në atë kohë që u diagnostikova. Dëshiroja të takohesha me të sëmura të tjera, që të kuptoja nëse të gjitha e provonin këtë ndjenjë pas operacionit dhe kuptova se të gjitha ishin si unë. Kjo më lehtësonte. Një peshë që e mban me të tjerë, mbahet më lehtë.

Pranova të filloj kimioterapinë. Kjo më bën të ndjehem se jam përsëri nën kontroll. Nuk ka rëndësi sa i rëndë e i lodhshëm është mjekimi, në fund të fundit, jam duke bërë diçka që më bën të ndjehem me shpresa dhe përsëri optimiste. Çuditem me veten si u bëra kaq e fortë, e adaptueshme dhe me kurajë. Kurrë nuk do të dorëzohem. Kërkoj me insistim të gjej arsye për të qenë optimiste. U afrova me doktorët, me infermieret dhe me të sëmura të tjera si unë. Pranova skemën që më bënë për mjekimin dhe u përpoqa ta flak frikën. Natyrisht, nuk është kaq e thjeshtë. Kanceri kërcënon jetën, është një goditje shumë e madhe. Jam e sigurtë se formimi im psikologjik do të dijë të fitojë mbi të, siç kam bërë në të gjitha momentet e rëndësishme të jetës time. Kam luftuar dhe në fund kam fituar. Kështu do të bëj edhe tani. Nuk jam nga ai lloj i njerëzve që rrëzohen kur ndeshen me probleme. Gjithkush që sëmuret me kancer, e vuan sëmundjen sipas mënyrës së tij. Të gjithë provojnë periudha të vështira, por disa, midis tyre dhe unë, i kemi këto periudha pesë minuta, të tjerë i kanë çdo pesë minuta. Ky është ndryshimi.

U takova dhe pata letër këmbimi me shumë gra të operuara. Sot dëshiroj të filloj letërkëmbim me ty. Është e çuditshme se ne qeshim, qajmë dhe u bëmë shumë të afërta, si motra. Një nga këto të sëmura një ditë më tha: ‘Dy herë në jetën time kam qenë e goditur rëndë, kur dikush më tha se burri dashuronte një grua tjetër dhe kur doktori më tha se kam kancer.’ Një e operuar më shkruante: ‘Është e vërtetë se çdo sëmundje që na kërcënon me vdekjen ka forcën të na terrorizojë, por tmerri që ndjeva kur mora vesh se kam kancer është ngulitur thellë në psikiken time.’

‘Kanceri nuk është domosdoshmërisht një dënim me vdekje’, u shkruajta unë në përgjigjen time.

Bashkëvuajtëset janë mjekimi im më i mirë. U mundova të forcoj lidhjet me to. Takimi ose letërkëmbimi me to, ishte mënyra më e mirë për të treguar ndjenjat e mia, ndjenja që nuk mund t’ua thuash as familjarëve, as miqve. Njerëzit që nuk kanë kancer nuk dinë çfarë ndjejmë ne, ndërsa bashkëvuajtëset e mija e dinë se ç’ndodh me mua dhe ato nuk menduan kurrë se unë nuk jam normale. Mbështetja nga familja, nga miqtë, nga grupi i të sëmurave, veçanërisht letrat e tyre, më lehtësuan për të duruar një sëmundje kronike, siç është kanceri. Për mua ishte e qartë, por tani m’u përforcua mendimi, se të jesh e vetmuar dhe e izoluar, kjo është vdekja më e keqe.

Me vonë, ndjeva diçka të çuditshme. M’u duk sikur ka edhe diçka pozitive kur ke kancer të gjirit. Nuk dua të them se jam e kënaqur që kam kancer, por tani kam më shumë respekt për veten. Mendoj se kalova një provë shumë të rëndë, me kurajë të arsyeshme. Bëj më shumë kujdes për veten. Më pëlqen ndryshimi që kam bërë, personi që jam bërë. Kërkova brenda vetes të gjej atë që është esenciale tek unë, të gjeja krenarinë time. Kërkova dhe rigjeta feminitetin, seksualitetin, pëlqyeshmërinë, bukurinë. Me të gjitha këto që gjeta luftova më mirë me vdekjen. Gjatë këtij procesi unë e njoha më mirë veten. Unë ndryshova në një mënyrë që e mirëprita. U bëra më e përmbajtur. Gjeta më shumë siguri tek vetia. U bëra me e hapur me ndjenjat e mia. Më e aftë ta kërkoj dhe ta pranoj komfortin. E ndjej se jam një njeri tjetër, nga ajo që isha në kohën kur hoqa gjirin. Në mënyrë të çuditshme, kanceri u bë një ndër eksperiencat më të vlefshme të jetës. Nga një paciente që luftoja me vdekjen, tani, jam bërë një eksperte për të jetuar. Sëmundja riorganizoi përparësitë e mia. Unë nuk çaj më kokën për gjërat e vogla. Gjej kohë të gëzoj me njerëzit. Jam shumë më e kujdesshme për trupin tim dhe di ku t’i shpenzoj energjitë e mia. Kjo sigurisht më ndihmon të shtyhem përpara. Nga ndjenja se mund të rishfaqet kanceri, çdo gjë e bëj me urgjencë, që të mos mbetet gjë e pa përfunduar. Kjo e ka ndryshuar jetën time në drejtim pozitiv, më shumë se çdo gjë tjetër.

Gjatë procesit të mjekimit kam ndjerë gjithmonë nevojën të dukem mirë. Sa më mirë dukem, aq më mirë ndjehem. Kualiteti i jetës përmirësohet. Ditën që fillova të lyej buzët me të kuq, ndjeva se në luftën me kancerin do të fitoja, se isha në rrugën e përmirësimit, ose më së paku në kërkim të vetvetes. Mos u çudit, në çdo letër që unë u dërgoj shoqeve, në fund vë gjurmët e buzëve të mia. Ato i ke dhe ti në këtë letër. Ato janë shenjë e triumfit mbi vdekjen. Kur të më përgjigjesh, të lutem, më dërgo gjurmët e buzëve të tua.

U përpoqa të jetoja siç kisha bërë para se të diagnostikohesha. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme që bëra për veten. Gjithçka rreth meje më shtynte të mendoja se jeta kish mbaruar për mua, por unë nuk u dorëzova. Më vonë, kuptova se kam për të jetuar akoma. Kështu, fillova të rivlerësoj çfarë është e rëndësishme. Integrova sëmundjen me jetën time, pashë edhe një herë qëllimet e mia. Kujdes, i thashë vetes, mos u identifiko si një “kanceroze”. E kuptova se shërbimi më i keq që mund t’i bëj vetes ishte po të bëhesha sëmundja ime. E lashë sëmundjen në vendin e saj dhe fillova të luaj të gjitha rolet që kanë qenë me rëndësi për mua: grua, nënë, mike, person me karrierë të mirë. Ndjeja se ishte me shumë rëndësi për mua, për mendimin tim, për kualitetin e jetës time, që të mos i flakja aktivitetet e tjera të jetës. Nuk lejova që kanceri të dominonte jetën time.

Tani, sapo mbarova kimioterapinë. Ajo m’i shteroi forcat çdo ditë e më shumë. Doktori me pat thënë se mund t’i humbisja flokët dhe unë ato i humba. Siç e sheh dhe në fotografinë që të dërgoj, kisha flokë shumë të bukur e të gjatë, që ishin mburrja dhe gëzimi im. Them ishin se ato nuk janë më. Për këtë më vjen shumë keq. Në atë fotografi unë kam dalë me Arjanën disa javë më parë, kur flokët nuk më kishin rënë ende. Arjana është një mësuese e re, vajzë shumë e mirë. Edhe ajo kish flokë të mrekullueshëm, të gjatë e të rëndë, por i humbi prej kimioterapisë dy vjet më parë. Në atë fotografi ngjitur me njëra tjetrën, kam mbuluar me gjysmat e flokëve të mi kokën e saj pa flokë. Shenjë e mbështetjes për njëra-tjetrën. Para se të filloja kimioterapinë erdhi parukieria, preu flokët dhe me to do të më bëjë një paruke shumë të bukur, më tha, me stilin që unë preferoja. Në treg mund të gjesh paruke si t’i duash, por unë do ta bëj me flokët e mi, si shenjë e përpjekjes për të mos ja lënë ato sëmundjes. Edhe diçka tjetër. Një shoqja ime kur mori vesh se do të filloj kimioterapinë, më dërgoi si dhuratë një krehër shumë të bukur, me shënimin: ‘Sfida’ Këtu po e mbyll letrën time të parë. Pres me padurim të dëgjoj nga ti, si lufton e fiton mbi sëmundjen.

Mikja jote, Zana

Qëndrova disa çaste pa folë dhe përpiqesha me përfytyrue atë grue që e kishte shkrue këtë letër kaq të bukur. Cdo i sëmurë ka nevojë për mbështetje dhe dashni.