Profesori shqiptar që ka zbulue vaksinën e…kancerit!

Profesori Shuajp Kraja asht shpikësi i parë shqiptar që gëzon të drejtën mbi patentën europiane për vaksinën kundër kancerit. E konsiderueme si nji shpikje inovative në fushën e mjekësisë, lëshimi i kësaj patente nga Organizata Europiane e Patentave (EPO), i hap rrugën procedurave për marrjen e autorizimit të prodhimit nga Bashkimi Europian.

Në kuadër të studimit pilot me pacientë vullnetarë, me Bi vaksinën antikancer janë trajtue e shërue për nji kohë të gjatë disa dheta raste ndër vite. Ajo shfaq siguri të plotë në trajtimin dhe shërimin e formave të ndryshme të kancerëve, pa rishfaqje të tyne, transmeton ATSH.

Bi vaksina përban nji mënyrë mjekimi shumë ma të përshtatshme që konkurron dhe ka me zavendësue ”artilerinë” e randë të kimioterapisë dhe radioterapisë si nji gjilpanë inteligjente (timolimfocite hiperimune me informacion selektiv të ri), që ka me qenë në gjendje ndërmjet triliona qelizash të organizmit (normale dhe malinje), me dallue dhe me i vra në mënyrë selektive qelizat malinje pa damtue qelizat e shnosha të organizmit.

Bi vaksina aplikohet për mjekimin e formave të ndryshme të kancerit dhe po ashtu vlen në imunizimin kundër shfaqjes së kancerit në persona të shnoshë, por të predispozuem për me zhvillue kancer. Patenta për këtë shpikje njihet në shumë shtete dhe institucione të randësishme ndërkombëtare si Zyra Europiane, Gjermani, Zvicër, Francë, Britania e Madhe, Irlandë, Shqipni, Kosovë e Kroaci.