Rast i rrallë: Grueja bahet nanë për herë të parë në moshën 61 vjeçare

Nji grua nga Italia ka sjellë në jetë fëmiun e saj të parë në moshën 61 vjeçare. Maria Rosaria Veneruso lindi të Hanën mbasdite nji djalë të shnetshëm mbas nji shtatzanie normale, raportojnë mediat italiane.

Zoja Veneruso dhe bashkëshorti i saj Enzo janë ba për herë të parë prindë të nji djali që e kanë quejt Elia Francesco. Vogëlushi Elias me peshë 3.5 kg dha gjatësi 50 cm ka ardhë në jetë në nji spital në komunën Castel Volturno, në pjesën jugperëndimore të Italisë.

“M’asht realizue andrra”, asht shprehë ajo për mediat lokale. “E ardhmja nuk më tremb”.

Mediat italiane raportojnë se zoja Veneruso nuk i asht nënshtrue terapisë in-vitro për të mbetë shtatzanë, por ka pasë nji shtatzani natyrale. Ky fakt asht kundërshtue nga ekspertët britanikë, të cilët thonë se asht e pamundun që nji grue të mbetet shtatzanë në këtë moshë pa dhurimin e nji veze.

“Mrekullitë ndodhin, por asht e pamundun që nji grue të mbetet shtatzanë në mënyrë natyrale në moshën 61 vjeçare”, ka thanë për Daily Mail dr. Leila Hanna, obstetër gjinekologe te nji klinikë në Britani.

Ndërsa, mjeku që ka asistue në lindjen e grues thotë se nuk ka pasë asnji problem gjatë shtatzanisë.

“Ishte nji shtatzani e mbarë”, ka kallxue ai.

Simbas tij, zoja Veneruso ka qenë në gjendje të mirë fizike dhe ushtrohej rregullisht gjatë shtatzanisë.

Në fillim të këtij viti, nji 70 vjeçare nga India solli në jetë nji djalë mbas nji trajtimi 2 vjeçar me metodën IFV në nji klinikë fertiliteti në shtetin verior Haryana.