Shëndetësia kosovare përkrahet nga Turqia

Klinika Obstetrike Gjinekologjike, ka marrë përkrahje nga Ambasadorja e Turqisë znj. Kivilcim Kilic.
Ambasadorja Kilic ka premtue përkrahje të vazhdueshme nga shteti turk për shëndetësinë kosovare, e në veçanti për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjatë vizitës së saj , ajo asht njoftue ma afër me punën që bahet në këtë klinikë dhe rreth bashkëpunimit të realizuem nga mjekët nga Turqia, javën e kalueme.
Ky asht njoftimi i plotë:

Ambasadorja e Turqisë në Republikën e Kosovës znj. Kivilcim Kiliç, e shoqëruar nga Zv. Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Kadir Hyseini dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universit të Kosovës, dr. Curr Gjocaj, gjatë vizitës së realizuar në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme të shtetit turk për shëndetësinë kosovare, në veçanti për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ajo është njohur nga afër me punën që bëhet në këtë klinikë, ku nga menaxhmenti i SHSKUK, Klinikës Obstetrike Gjinekologjike dhe stafi shëndetësorë, është njoftuar në lidhje me bashkëpunimin e realizuar në javën e kaluar me mjekët nga Turqia.
Ambasadorja Kiliç tha se Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim në shumë degë dhe se po angazhohet që në një të ardhme të afërt të ndihmohet në avancimin profesional të stafit dhe në krijimin e kushteve më të mira të punës për mjekët dhe pacientët.
“ Mjekët tanë janë shprehur të kënaqur në lidhje me bashkëpunimin dhe mikpritjen që kanë pasur në Kosovë, duke bartur eksperiencën e tyre tek mjekët e Kosovës” theksoi ajo.
Në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës obstetrike Gjinekologjike, Dr. Myrvete Paçarada, ka njoftuar Ambasadoren se gjatë bashkëpunimit me mjekët nga Turqia janë realizuar 28 operacione të ndërlikuara dhe ndihmesa e tyre ka qenë e mirëseardhur.
Ajo kërkoi që ky bashkëpunim me ekspertët nga Turqia të jetë i vazhdueshëm dhe të shikohet mundësia që së paku 1 herë në muaj të sjellin ekspertët që do të realizonin operacionet e ndërlikuara.
Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, falënderoi ambasadoren e Turqisë për ndihmesën e dhënë nga shteti turk. “ Jemi shumë të kënaqur me punën që kanë bërë mjekët nga Turqia, të cilat kanë punuar në vazhdimësi dhe kanë kryer operacione të ndërlikuara, kjo tregon një humanizëm dhe përkushtim për të ndihmuar”, theksoi drejtori Gjocaj. Ai kërkoi nga Ambasadorja Kiliç që Turqia të vazhdoi edhe më tutje përkrahjen për Kosovën.
Në anën tjetër, dr. Kadir Hyseini, Zv. Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, njoftoi se mjekët nga Turqia kanë kryer 122 operacione të ndërlikuara në QKUK, 28 prej tyre në Klinikën e Gjinekologjisë, 30 në oftalmologji, 10 në kirurgji të fëmijëve, 16 në kirurgji plastike, 14 në shërbimin e kardiokirurgjisë, 6 në kirurgji abdominale dhe poashtu kanë kryer 27 koronarografi. Sipas tij, mjekët nga Turqia kanë kryer edhe konsultime të tjera që janë realizuar në bashkëpunim me kolegët nga klinikat e QKUK-së.
Zv. Ministri Hyseini, theksoi se janë në bisedime me ambasadoren dhe pritet që shumë shpejtë të vazhdojë bashkëpunimi, ku së paku 1 herë në muaj të vijnë mjekët nga lëmi i gjinekologjisë për të kryer operacione në QKUK. Ai kërkoi që klinikat e QKUK-së, të caktojnë stafin i cili më pastaj do të ketë mundësi të trajnohet në Turqi.