Studim: Mungesa e vitaminës D rrit rrezikun për kancer

Njerëzit që nuk marrin mjaftueshëm vitaminë D rrezikohen ma shumë që të preken nga kanceri i fshikëzës, sugjeron nji studim i ri. Gjatë verës, kjo vitaminë mundet me u marrë shumë lehtë nga rrezet e diellit. Ndërsa, në dimër asht shumë e vështirë të merren nivelet e duhuna, tue qenë se nuk ka diell dhe shumë pak ushqime e përmbajnë atë, si peshku, mishi i kuq, e verdha e vojes etj.

Thuhet se gati 1 në 5 të rritun kanë mungesë të kësaj vitamine, ndërsa 3 në 5 kanë nivele të ulëta.

Hulumtuesit shkencorë britanikë analizuen 7 studime të maparshme, të cilat janë përqendrue te kanceri i fshikëzës dhe vitamina D. Nivelet e ulëta të kësaj vitamine ishin lidhë me rrezik të naltë të zhvillimit të smundjes në pesë nga këto studime.

Gjatë studimit të tyne, ata vëzhguen edhe qelizat që rrethojnë organin, të njohuna si qeliza epiteli kalimtare. Ata panë se qelizat munden me u aktivizue dhe t’i përgjigjeshin vitaminës D, e cila mandej stimulonte sistemin imunitar.

Autorja kryesore e studimit, dr. Rosemary Bland, nga Universiteti Warwick, thotë se nevojiten ma shumë të dhana për me konfirmue këtë lidhje.

“Kërkimet tona sugjerojnë se nivelet e ulëta të vitaminës D në gjak munden me i pengue qelizat mbrenda fshikëzës t’ju kundërpërgjigjen qelizave jonormale” shton ajo.

Ekspertët rekomandojnë që të merrni 10 mg vitaminë D në ditë. Nanat që ushqejnë foshnjat me gji duhet me marrë suplemente të kësaj vitamine çdo ditë, po ashtu edhe fëmitë për me rritë imunitetin.