Zbulimi i ri: Shtohen shpresat për çiftet pa fëmi

Asht zhvillue nji trajtim i ri fertiliteti, i cili thuhet se ka me qenë ma i lirë dhe ma pak invaziv se trajtimi in-vitro, i cili asht përdorë prej kohësh nga çiftet me probleme të fertilitetit.

Metoda e re, e cila asht aktualisht në fazë testimi në klinikë, përdor faktorë të rritjes për të përmirësue trajtimin aktual të fertilitetit, i njohun si trajtimi in-vitro i pjekun.

Rezultatet e deritashme kanë kallxue përmirësim të cilësisë së vezëve dhe rritje deri në 50% në embrion, tue përdorë ma pak ilaçe.

Metoda standarde e fertilizimit in-vitro kërkon që femnat të marrin hormone stimuluese gjandrash për të stimulue rritjen e vezëve para se ato të hiqen nga vezorja.

Ndërsa, metoda e re e trajtimit in-vitro të maturuem i nxjerr vezët që në fazën e papjekun dhe i len të pjeken në laborator. Hulumtuesit shkencorë thonë se kjo arrihet me stimulimin hormonal minimal.

Ma përpara, shumica e mjekëve kanë rekomandue trajtimin in-vitro për me mbet shtatzanë. Por, edhe pse përdorimi i ilaçeve hormonale për trajtimin konvencional in-vitro asht praktikue shpesh dhe ka rezultue i suksesshëm, doktorët thonë se ai mund të shkaktojë “shqetësime të konsiderueshme” për pacientët, ka ndërlikime shëndetësore dhe asht i shtrejtë.

Metoda e re e trajtimit in-vitro të pjekun asht përmirësue dukshëm nga hulumtuesit shkencorë, të drejtuem nga profesori i asociuem Robert Gilchrist, nga “Universiteti New South Wales”, në Australi. Ata kanë shtue nji kombinim të faktorit të rritjes (cumulin) dhe modulatorët cAMP, molekula të vogla lidhëse, te qelizat e vezëve për me rritë cilësinë e tyne.