Çka shkruen gazeta gjermane për padinë e Serbisë për pranimin e Kosovës n’UEFA!

Tribunali Ndërkombëtar i Sportit pritet me marrë nji vendim të randësishëm sot.

Simbas gazetës së njohun gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ky vendim mundet me rrezikue stabilitetin në Ballkan.

Por për çfarë bahet fjalë?

Tribunali i Lozanës ka me vendosë për padinë e Serbisë, që ka kërkue anulimin e vendimit për pranimin e Kosovës në UEFA.

Serbia pretendon se gjatë votimit në Budapest për pranimin e Kosovës, asht shkel statuti i UEFA’s.

“Për Perëndimin, sidomos për Shtetet e Bashkueme të Amerikës, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën, promotorët kryesorë të pamvarësisë së Kosovës, suksesi i Serbisë në Lozane do ishte nji deshtim i hidhun në politikën e Ballkanit. Për shkak se suksesi kosovar në sportin ndërkombëtar asht nji element i padiskutueshëm për formimin e nji identiteti të veçantë kosovar, që e dallon nga ai i Shqipnisë- dhe përpjekjet e Perëndimit për me promovue këtë identitet janë të mirëmendueme”, shkruen gazetari Michael Martens.

“Friga e nji bashkimi të Kosovës me Shqipninë do kishte efekt zinxhir dhe do sillte ndryshime të dhunshme të kufijve në Ballkan. Prandaj Perëndimi po ban kaq shumë për me promovue identitetin kosovar. Sukseset deri tash janë të dukshme”, vijon ai, tue përmend rastin e Majlinda Kelmendit.

Mbas fitores së medaljes së artë në olimpiadë, kosovarët nuk festuen me flamurin kuqezi, por me flamurin e tyne.

Ai shkruen se në Kosovë ka nji forcë politike që kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipninë.

Bahet fjalë për lëvizjen Vetëvendosje.

Në programin e tyne thuhet se Kosova duhet me ndihmue kombëtaret e Shqipnisë në sport.

Megjithatë edhe mbrenda partisë së tyne ka dallime në qendrim.

Në fund të shkrimit, gazetari thekson se Serbia ka shanse të mira për me fitue në Lozanë, mbasi nga pikëpamja juridike argumentet e tyne janë të forta.

“Nëse Serbia ka sukses në Lozane, ky do ishte nji tjetër hap që do e dergojë ish-provincën e tyne në krahët e Shqipnisë së varfën”. Mapo.al

 

1-kosova