Berlusconi i pavendosun, tifozët kërkojnë shitjen e Milanit

Milani asht në kaos. Në tana drejtimet. Ndryshimi në stol dhe emnimi i Brocchi-t nuk shërbeu për me i dhanë impluse të reja lojës dhe rezultateve të skuadrës, për me u renditë t’paktën në vendin e gjashtë të Serisë A dhe të sigurojë vendin në kualifikuset e Europa League. Por, problemet e kuqezinjve nuk lidhen vetëm me drejtimin teknik. Problemet e klubit janë ato që kanë ndikue në mënyrë të drejtëpërdrejtë në rendimentin e skuadrës. Përpos mungesës së financave për afrime cilësore, në çashtje asht kthye edhe e ardhmja e pakjartë.

Drejtusit e Milanit, me në krye Silvio Berlusconin ende nuk i kanë idetë e kjarta të rrugës që kanë me e ndjekë. Dilema ma e madhe lidhet me faktin, nëse presidenti do t’vendosë me i shit apo jo aksionet e “Djallit”. Berlusconi nuk dëshiron që me e lanë skuadrën në nivele kaq të ulëta, por ndërkohë aksionarët e vegjël dhe tifozët kërkojnë me të madhe shitjen e klubit. Mundësia e ndryshimit të pronësisë doket reale, me takimin e javës së ardhshme të programuem me grupet kineze të përbamë nga Alibaba dhe nga Evergrande.

Ndryshe nga historia me Mr. Bee, diskutimet e tanishme pritet të shoqnohen me fakte konkrete, mbi të gjitha me sigurimin e fondeve. Bahet fjalë për 550 milionë Euro, të cilave kanë me ju shtue edhe 250 milionë Euro të tjera investim. Berlusconi ashtu si edhe aksionarët e vegjël, po presin me padurim që situata të zgjidhet. Edhe tifozët, prej vitesh të lodhun nga nji skuadër që cilësohet “Milani B”, doket se janë dorëzue. Shitja e klubit asht mënyra e vetme për me u kthye konkurrues.