Bilbao nderon Paolo Maldinin

Athletic Bilbao nderoi legjendën italiane të futbollit, Paolo Maldinin. Në nji ceremoni të zhvillueme në “San Mames”, para ndeshjes me Celta Vigon, ish-kapitenit të Milanit ju dha çmimi “One Man Club 2016”. Këtë çmim, Athletic Bilbao e jep çdo vit për futbollistët që kanë luejt gjatë tanë karrierës së tyne me nji ekip.

Maldini, në momentin që zbriti në fushën e “San Mames” për me marrë këtë çmim, ishte i shoqnuem nga legjenda baske Iribar, me ish-mbrojtësin italian që nuk i fshehu aspak lotët, i prekun nga ky nderim.

Kjo ngjarje pushtoi rrjetet sociale të tifozëve milanistë, sidomos të atyne që kanë mbështetë vazhdimisht Maldinin, të cilët, në mënyra të ndryshme theksojnë se në Spanjë ai vlerësohet, ndërsa në Milano asht lanë totalisht në harresë. Nuk janë të paktë ata që kërkojnë që Maldini të jetë në rolin e nji drejtusi të Milanit për me i dhanë sadopak jetë këtij klubi.

Paolo Maldini ka fitue me Milanin 5 Liga Kampionësh, 7 tituj kampionë të Italisë, 5 Superkupa Italiane, 5 Superkupa Europiane, 2 Kupa Interkontinentale dhe 1 Botëror për Klube.