Cana mendon se lojtarët ma të mirë shqiptarë duhet me luejtë për Shqipninë, jo për Kosovën

Kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana nuk ka ndryshue aspak qëndrim sa i takon idesë që kuqezijtë nga e gjithë trevat shqiptare duhet me qenë nji kombëtare e bashkueme.

“Të gjithë e dinë mendimin tim dhe kam vite që e them. Qysh nga krijimi i FSHF’s, Shqipnia ka pasë gjithmonë përfaqësuese dhe asnjiherë kombëtare. Kemi vetëm 4 vite që kemi nji kombëtare mbarëshqiptare me lojtarë nga Kumanova, Presheva, Shqipnia, Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Asht hera e parë që e kemi këtë kombëtare të bashkueme dhe shihet që të bashkuem arrijmë gjana të mëdha”, tha Cana në nji konferencë për media.

Cana e konsideron nji mundësi të mirë për zhvillimin e futbollit kosovar pranimin në UEFA dhe FIFA, por mendon se lojtarët ma të mirë duhet me pasë kombëtaren e Shqipnisë zgjedhje të parë.

“Kam qenë i mendimit që lojtarët ma të mirë me qendrue me kombëtaren shqiptare. Ndoshta në të ardhmen munden me u bashkue federatat, por kjo nuk i takon brezit tonë”, shtoi ai.