Champions League me ndryshime historike

UEFA pritet me i ndryshue rregullat e kualifikimit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe nga 2018 deri të paktën në 2021, katër kampionatet ma të mëdha të Europës kanë me u përfaqësue me numër fiks ekipesh.

Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia kanë me u përfaqësue me nga katër ekipe tue nisë qysh nga sezoni 2018-2019 në Ligën e Kampioneve dhe krejt kjo falë rregullave të reja që njohin “meritën historike” të këtyne kampionateve në këtë garë.

Nji tjetër avantazh që u garanton ‘merita historike’ ekipeve të katër kampionateve ma të forta të Europës asht shmangia e fazës ‘play off’. Pra, katër ekipe nga këto katër kampionate kanë me u futë direkt në fazën e grupeve.
Në tavolinën e bisedimeve mes të mëdhave të Europës dhe UEFA’s propozimi kryesor asht ai që 3 ekipe të kualifikohen direkt për në fazën e grupeve dhe e katërta të futet me kriterin e ‘meritës historike’.

UEFA ka ba nji renditje në bazë të këtij kriteri që u garanton ekipeve si Milan, Inter, Chelsea, M. United, Liverpool, Benfica e të tjera që pamvarësisht renditjes në kampionatet përkatëse, të marrin pjesë në garën ma të randësishëm për ekipe n’Europë.

Kjo asht formula që po qarkullon në zyrat e UEFA’s para zgjedhjes së presidentit të ri në zgjedhjet që mbahen më 14 Shtator, ndërkohë që për momentin asht lanë anash ideja e nji Superlige Europiane.

Bayern, Juventus, Barcelona, Real dhe PSG janë mbështetëset ma të zjarrtë të kësaj ideje, ku propozojnë që Superliga Europiane të përbahet nga 24 ekipet ma të mëdha të Europës, me fazë “play off”, ashtu si NBA në SHBA dhe të luhet edhe në fundjavë.