De Biasi sqaron për herë të parë arsyet e largimit nga Shqipnia

Gianni De Biasi për herë të parë ka sqarue arsyet e largimit nga drejtimi i kombëtares së Shqipnisë për mediat italiane. Tue folë për mikrofonin e “Tutti Convocati” të Radio 24″, ai ka sqarue dhe vendimin e tij.

“Nuk shkuem në Shqipni për me humbë kohë, donim me i habitë dhe në fakt e arritëm. Jam i gëzuem që jam vlerësue. Të them se isha i emocionuem asht pak, kanë qenë 5 vite e gjysë të jetës sime. Me Shqipninë bamë diçka të pamendueshme, ishte nji rrugëtim i gjatë.

Mbas Europianit mendoja se kisha me gjetë nji jetë të re, por për fat të keq nuk ndodhi ashtu. Më la nji shije të hidhun, ‘këta njerëz janë pak të kënaqun’ dhe ky ishte nji zhgënjim i madh.

Në mënyrë të pandërgjegjshme na humbëm nji pjesë të tërbimit, dikush e ndjeu barkun plotë. Humbja në Luksemburg më ka zhgënjye shumë, atë natë e mora vendimin”, u shpreh ish-trajneri Shqipnisë.