Ekipet e Bundesligës duen reformë anti-Bayern Munchen, lexoni për çka asht fjala

Bayern Muncen po marshon fitore mbas fitore tue mos hasë asnji pengesë dhe mos njoft asnji rival. Verën e kalueme bavarezët triumfuen për herë të katërt radhazi në Bundesligë, tue thye rekord. Sivjet ata po vazhdojnë me hije kampioni tue korrë tri fitore dhe pësue vetëm nji goll.

Seria dhe pathyeshmënia e Bayernit po e ban Bundesligën si kampionat skocez ku triumfon vetëm Celtic. Mendimtarët gjermanë duen të thejnë disi këtë “pushtim” nga bavarezët dhe po përpiqen të gjejnë nji mënyrë për t’i dhanë mundësi reale për të fitue titullin nji prej katër ekipeve të para të rendituna në fund të sezonit.

Ish-presidenti i Ligës gjermane, Volfgang Holchojzer, ka parashtrue nji projekt qysh në vitin 2013, kur titulli në Bundesligë të vendosej si në hokej në akull apo në basketbollin gjerman. Reforma e tij me “play-off” u përqesh nga ekipet gjermane, por tash asht kthye në çashtje aktuale.

“Play-off” me 4 ekipe

Ish-bosi i Leverkusenit dhe ish-zyrtari prej 23 vitesh pranë federatës gjermane, Holchojzer, parashtron modelin e ngjashëm me kampionatin belg. Ai ideon dy gjysëfinale: Vendi i parë të përballet me vendin e katërt, ndërsa i dyti me të tretin. Fituesit e dy gjysëfinaleve përkatëse të përballen në finale dhe vulosin titullin kampion.

“Po mendohet seriozisht reforma e Bundesligës dhe po bahet temë aktuale. Në fund të sezonit, katër vendet e para duhet të shkojnë në “Play-off”. Dominanca e nji ekipi të vetëm nuk i ban mirë konkurrencës gjatë sezonit. E ban monotone. Ky model u ban mirë edhe ekipeve për të pasë partneritet ma të mirë me sponsorët. Por, ku kampioni vendoset që në Tetor, atëherë ku asht kurioziteti këtu?”, u shpreh ish kreu i Ligës gjermane, Volfgang Holchojzer gjatë nji interviste për “Kicker”.