Euro 2020 luhet në 13 qytete europiane. Qe cilat janë?

UEFA ngre siparin e “Euro 2020”. Konfederata europiane e futbollit prezentoi logon zyrtare dhe programin e garës unike, që ka me u luejt në 13 qytete të kontinentit, ndërsa gjysëfinalet dhe finalja zhvillohen në Wembley të Londrës.

Ceremonia e prezentimit u mbajt pikërisht në kryeqytetin anglez. Qytetet e tjera ku kanë me u luejt ndeshjet janë Amsterdami në Holandë, Roma në Itali, Baku në Azerbajxhan, Bilbao në Spanjë, Brukseli në Belgjikë, Budapesti në Hungari, Bukureshti në Rumani, Kopenhageni në Danimarkë, Dublini në Irlandë, Gllasgou në Mbretninë e Bashkueme, Munich në Gjermani dhe St Peterburg në Rusi.

Ideja inovative lidhet me rastin e 60 vjetorit të Kampionatit Europian. Organizimi në disa prej qyteteve ma të randësishme të Europës ka si synim që të gjithë tifozët dhe shtetet në mbarë kontinentin të festojnë dhe të jenë në qendër të vëmendjes.

Gjatë prezentimit të “Euro 2020”, UEFA shpjegoi se boshti i logos asht ura, nji lidhje e thjeshtë dhe universale, që ka me karakterizue edhe secilin prej 13 qyteteve pritës së garës.

I pranishëm në ceremoni ishte presidenti i ri i UEFA’s, Aleksander Ceferin, që e përshkroi Anglinë si “djepin mitik të futbollit” dhe u shpreh i lumtun që Kampionati Europian i vitit 2020 ka me u luejt në kaq shumë qytete dhe shtete.