Kjo asht arsyeja pse Xhaka, Behrami e Tarashaj refuzuen Kosovën

Menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka komentue mosardhjen e yjeve të Zvicrës te Përfaqësuesja e Kosovës.

Valon Behrami, Granit Xhaka dhe Shani Tarashaj, ndodhen në listën e Zvicrës për ndeshjen me Portugalinë. Asnjani prej tyne nuk mundet me zgjedhë ma Kosovën, mbas takimit të 5 Shtatorit.

“Kemi pasë kontakte me familjarët e tyne dhe agjentët e tyne, por kemi pasë kontakte edhe direkt me lojtarët, për mundësinë që ata meju bashkue projektit tonë. Arsyet janë të ndryshme pse ata nuk janë pjesë e Kosovës”, u shpreh Shala për Gazeta Olle, pa dasht të sqarojë ma shumë.

Xherdan Shaqiri nuk ishte në listën e Zvicrës shkaku i lëndimit, por ende nuk dihet nëse ka të drejtën të zgjedh Kosovën, mbasi kjo mvaret nga FIFA.