Lajm i madh: Qe procedura për yjet që duen me ju bashkue Kosovës

Mbas kërkesave të FFK’s (Federata e Futbollit e Kosovës) në FIFA për të qartësue situatën e lojtarëve shqiptarë që duen të luejnë për Kombëtaren e Kosovës, por që janë aktivizue ma parë me kombëtare të tjera, vjen edhe përgjigja e organit ma të naltë të futbollit botnor.

Nga ajo që pasqyron “Kosovan Football”, nji lojtar që dëshiron të luejë për Kosovën duhet me paraqitë nji letër-kërkesë në bashkëpunim me FFK’në, tue shprehë në të dëshirën për të luejtë me përfaqësuesen kosovare.

FIFA mandej ka me shqyrtue çdo kërkesë individualisht e ka me dhanë përgjigjen përfundimtare.

Njohja zyrtare dhe pranimi i Kosovës në FIFA e UEFA ka krijue nji situatë juridikisht të paqartë, mbasi ka shumë lojtarë që aktivizohen në Kombëtare të tjera.