Letra emocionuese e talentit kosovar 60 milionësh: Pse ju bashkova Kosovës para Gjermanisë!

Futbollisti ma i ri i kombëtares së Kosovës, Donis Avdijaj, përmes nji postimi në Facebook ka njoftue për arsyet që e shtynë me ju bashkue Kosovës, tue lanë mbrapa Gjermaninë.

Anëtari i Schalkes, që ka klauzolë rreth 60 milionë euro për largim, ka përmendë po ashtu se kur i ishte ofrue kombëtares së Shqipnisë, ai nuk ishte ‘ba hesap’ hiç.

Avdijaj në Facebook ka postue nji tekst të gjatë, në të cilën ka shkrue gjithçka për karrierën e tij që nga fillimi.

Tue përmendë refuzimin nga Shqipnia, pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA Avdijaj e quen si surprizën ma të ambël në jetën e tij. Ai premton se për fanellën e Kosovës ka me dhanë gjithçka dhe beson në sukses me nivelin e futbollistëve që kanë prejardhje kosovare.

Kjo asht letra e Avdijajt drejtue kosovarëve:

“Rrugëtimi im drejt majave te futbollit.

Fillimisht, pra qysh në moshën time fare të re, kur isha krejt i njome, dëshira ime e zjarrtë ishte të luaj futboll. Por dëshirat gati rrallë harmonizohen me mundësitë, në qoftë se ti nuk lufton që ato të bëhen bashkë e jetike… Sidoqoftë, unë fale zotit që ma dha ketë dhunti, falë prindërve të mi që më inkurajuan dhe më motivuan qysh në fillim të karrierës, unë nuk u ndala dhe me përkushtim pothuajse mbinjerëzor arrita të bëhem ky që jam, pra, të bëhem dikush në ketë vend të bekuem. Futbolli, siç mund ta dini edhe ju, e siç thonë gjermanet është ‘TAGES MANSCHAFT’, ku sot mund të jesh në top formë, e nesër mund të mos jesh ai që ishe deri dje, më ka bërë edhe më të fortë, e ku edhe sot e kësaj dite po provoj të mbetem në forme e ku ju siguroj se do ta mbroj me dinjitet statusin e lojtarit profesionist.

“Meqenëse në gjeneratën time isha me i përzgjedhuri, kombëtarja gjermane për të rinj veç më kishte renditur në listën e më të mirëve, ku për këtë kombëtare unë luajta plot 25 ndeshje, por ne fund i prisha raportet me ta, edhe atë krejt për hir të kombëtares shqiptare, ku doja me çdo kusht të luaj për Shqipërinë time. Merreni me mend, kur ne vitin 2014 unë fitova titullin e lojtarit profesionist, e ku ekipe të njohura e me renome botërore më dërgonin ftesa e oferta ndër më të ndryshmet, Shqipëria ime, edhe përkundër interesimit tim që të luaj për ketë kombëtare, heshtte dhe nuk më përfillnin fare.

Por gjithë këto që i përmenda sipëri, lajmi se Kosova ime e shtrenjtë, vendi i lindjes së prindërve e i të parëve të mi u pranua ne UEFA dhe në FIFA, pra kur asaj iu bë e mundshme tashmë të luaj me kombëtaret e botës, për mua dhe familjen time ishte lajmi dhe surpriza më e ëmbël e jetës, sepse tashme isha i sigurt se unë do t’i bashkëngjitëm kombëtares më të re të botës. Unë tash jam ne kontakt me bordin e kombëtares, të cilët paraprakisht kishin marre kontakt me prindërit e mi, me udhëheqjen e klubit im SCHALLKE po edhe me mua personalisht. I gjithë ky interesim i këtyre njerëzve atje, që unë të rreshtohem me djemtë tjerë teë kombëtares, për mua ishte një kënaqësi e pamatshme dhe qëllimi im kryesor, sepse Kosova për mua është dhe mbetet me i shtrenjti dhe me i dashuri vend. Ju premtoj se kam me dhënë maksimumin tim prej lojtari që kombëtarja jonë të renditet lartë e më lartë, e ku jam i bindur se me gjithë këta lojtarë që ka ofruar rreth vetes, në të ardhmen ka për të korrë sukses të mëdha dhe ka për ta mahnitë një botë me lojën cilësore te saj.

Na priftë e mbara!”