Messi: Unë s’di gja, mendoj veç për futboll. Prokurori: Edhe femia 10 vjeçar e di çka janë taksat

Prokurori i shtetit, Mario Maza, ka akuzue randë Lionel Messin, mbasi ky i fundit deklaroi gjatë ditës së djeshme se asnjiherë nuk ka qenë në dijeni se çfarë po nënshkruente.

Lionel Messi dhe babai i tij Jorge akuzohen nga autoritetet tatimore në Spanjë se kanë shmangë taksat në periudhën 2007/2009, tue i shkaktue shtetit nji dam prej 4,2 milionë eurosh.

Në rast se shpallen fajtorë të dy, rrezikojnë 22 muej burg. Simbas akuzës, tue krijue nji seri shoqnish në parajsat fiskale, Messi ka shmangë detyrimet tatimore nga të ardhunat që ka sigurue nga të drejtat e imazhit.

“Kam nënshkrue, sepse besoj te baba im dhe nuk kam mendue kurrë se mundet me më mashtrue. Nuk jam interesue kurrë në këto çashtje, ndaj nuk e kam ditë që jam tue shkelë ligjin. Nuk kam ditë asgja, thjesht kam mendue me luejtë futboll. Kisha shumë besim te baba dhe avokatët e mi”, ka thanë Messi.

I menjihershëm ka qenë reagimi i prokurorit të shtetit, Mario Maza, i cili ju ka drejtue Messit me fjalë të randa.

Maza ka shkue aq larg, saqë e ka quejtë Messin “capo”, tue udhëheqë “nji strukturë kriminale”, për të cilën, lojtari nuk i ka ditë detajet, por e ka ditë rezultatin final: Me pague ma pak taksa”, thotë prokurori i shtetit.

“Messi dhe baba i tij munden me qenë të papërvojë, por ata janë në gjendje që me kuptue se çfarë don me thanë me pague tatime, bile këtë e din edhe nji fëmi 10 vjeçar”, ka thanë Maza.