New York Times shkruen për Mitrovicën: Nji qytet, dy ekipe të ndame nga lufta

Gazeta prestigjioze amerikane The New York Times, ka shkrue nji artikull për qytetin e Mitrovicës dhe ndamjen e qytetit, por edhe gjithçka tjetër në dysh, prej se ndodhi lufta në Kosovë.

Gazetari James Montague, historinë për Mitrovicën e ka lidhë me sportin, saktësisht futbollin, dhe ndamjen e ekipit Trepça në atë shqiptare dhe serbe.

“Sot, janë dy Trepça në Mitrovicë; Ajo kosovaro-shqiptare e jugut, e cila quhet KF Trepça dhe ajo kosovaro-serbe e veriut, e cila quhet FK Trepça”, thuhet në shkrimin e NYT.

“Të dyja kanë nji stemë, dhe të dyja luejnë me fanella gjelbër e zi. Të dyja krenarisht kallxojnë historinë e Trepçës që u themelue në vitin 1932. Dhe, derisa tash luejnë në liga të ndryshme, të dyja ekipet thonë se janë trashëgimia e vërtetë e ekipit”.

Në këtë tekst të gjatë për Mitrovicën dhe historinë e qytetit, thuhet se dikur “Mitrovica ishte ndër qytetet ma të pasuna dhe ma të gjalla në Jugosllavi”.

“Nji qytet me banorë të përziem shqiptarë e serbë ku papunësia nuk egzistonte fal minierës së Trepçës, nga e cila edhe u mor emni i ekipit të futbollit”.

mitro-650x358