“Playoff” në NBA, San Antonio Spurs e Miami Heat e nisin me kambë të mbarë

San Antonio Spurs e nisi mjaft mirë serinë e ndeshjeve të “playoff”-it ndaj Memphis Grizzlies. Në “AT&T Center” skuadra teksane e fitoi këtë përballje 106-74.

Skuadra e drejtueme nga Greg Popovich që në fillim i bani të kjarta gjanat e kësaj sfide, tu e mbyll pjesën e parë me nji diferencë prej 11 pikësh, diferencë kjo që në pjesën e dytë u thellue edhe ma shumë, tu e arrit në 32 në fund të takimit. Leonard ishte shënusi ma i mirë për Spurs me 20 pikë, ndërkohë që spikatën edhe Aldridge e Parker, respektivisht me 17 dhe 15 pikë.

Fitore shënoi edhe Miami Heat që mundi Charlotte Hornetts 123-91. Nji ndeshje kjo që nuk pati histori, mbasi skuadra nga Florida e vendosi që në fillim diktatin e saj, tu e mbyll periodën e parë 41-22 dhe tu e ba shumë ma të lehtë kontrollin e takimit në pjesën e mbetun të tij. Luol Deng shënoi 31 pikë në këtë ndeshje, por u dallue edhe Whiteside, i cili në debutimin e tij në ndeshjet e “playoff”-it të NBA shënoi 21 pikë dhe rrëmbeu 11 topa në tabelë.

Në ndeshjet e tjera të fazës së “playoff”-it në NBA, Cleveland Cavaliers fitoi me vështirësi ndaj Detroit Pistons 106-101, ndërsa Los Angeles Clippers mundi Portland Trail Blazers 115-95.