Qe ndeshja ma e lirë e Europianit, Shqipnia asht me…

Me Europianin në prag, mediat ndërkombëtare nxitojnë të nxjerrin fakte të garës që ka me u zhvillue në Francë. Kuriozitetet kanë të bajnë sigurisht me gjana që nuk i përkasin fushës së lojës, tue u nis nga qytetet ma të shtrenjta apo ma të lira, ndeshjet ma të kushtueshme apo ma të lira të Europianit, tifozeritë ma të nxheta e të tjera.

“Gazzetta Dello Sport” në Itali nxjerr 10 fakte interesante për lexuesit e saj, midis të cilave përmendet edhe Kombëtarja Shqiptare. Kështu, simbas prestigjiozes italiane, ndeshja ma e shtrejtë ka me qenë Itali-Irlandë, ku në të përfshihen çmimet e hoteleve dhe të biletës së stadiumit.

Nga 10 qytetet organizatore, ma i shtrejti çuditnisht nuk asht konsiderue Parisi, por Lila.

Në mënyrë ironike qyteti ma i lirë asht Lens që gjendet vetëm 27 km larg Lilës, teksa në te nuk kanë me u luejt ndeshjet ma të rëndësishme të Europianit. Dhe, këtu lidhja bahet me Kombëtaren Shqiptare, mbasi sfida debutuese e kuqezijve ndaj Zvicrës asht konsiderue si ndeshja ma pak e kushtueshme, kjo tue pa çmimet e hoteleve.

Nji dhomë dyshe për nji natë kushton 134 Euro, çka tue i shtue çmimin e biletës e ban këtë sfidën ma të lirë ekonomikisht të garës. Ndër kuriozitetet e tjera “Gazzetta”, rendit edhe tifozët ma të interesuem, që shihen Hungarezët, ekip që rikthehet në nji Europian mbas 44 viteve. Ndërsa, ma pak të interesuem doken tifozët e Rusisë.