Referi i ndeshjes Shqipni-Izrael rihap profilin në Facebook dhe jep nji sqarim për ‘ngjarjen n’Elbasan’

Referi që drejtoi ndeshjen kualifikuese, Shqipni-Izrael 0-3, e ka rihapë llogarinë e tij personale në Facebook. Mbasi e mbylli atë, direkt mbas ndeshjes në fjalë, sepse pati nji sulm komentesh e shamjesh të panumërta për dy kartonët e kuq dhe dy penalltitë e dhana ndaj kuqezijve, sigurisht nga shqiptarët, e ka hapë së fundi me nji shënim faqen e tij në këtë rrjet social.

Përmes nji statusi, ai ka dasht me sqarue poizicionin e tij në raport me rregulloren e gjykimit të FIFA’s, tue nënvizue se ka qenë krejtësisht korrekt në drejtimin e kualifikueses së luejtun në “Elbasan Arena”:

“Në të drejtën time!!! Mbas ndeshjes së fundit, midis Shqipnisë dhe Izraelit, sulmet dhe ofendimet e tifozëve na banë ta ç’aktivizojmë përkohësisht faqen në Facebook. Kjo ishte vetëm nji masë mbrojtëse, që të ndaleshin komentet ofenduese, sepse kemi mujt me i fshi dhe me ju dhanë “bllok” përdoruesve. Mbasi kam ripa videot e ndeshjes, tana, pa përjashtim, jam i bindun se kam qenë totalisht serioz dhe korrekt në vendimet e marra. Veprimi i mbrojtësit apo goditja e portierit padyshim janë të ndëshkueshme me kartonë të kuq.”