Rrëfimi i lojtarit të Dritës që kishte luejt me lojtarët e Chapecoenses

Në nji rrëfim për Gazetën Olle, braziliani i Dritës, Edenilson Bergonsi, kallxon se katër futbollistë të Chapecoenses i ka pasë bashklojtarë, prej të cilëve dy kanë vdekë dhe dy kanë mbijetue.

Ai shprehet i shokuem me atë që ka ndodhë, tue e konsiderue mëngjesin e sotëm si të tmerrshëm.

“Sot u çova me nji lajm të tmerrshëm. Zemra po më dhemb. Unë i njihja shumicën e futbollistëve që kanë vdekë. Me katër prej lojtarëve të Chapecoenses kam luejt bashkë në Brazil. Jam shumë i mërzitun”, deklaroi Bergonsi.

“Kam luejt me dy futbollistët që kanë pshtue, Alan Ruschel dhe Jackson Folmann. Ndërkohë, ish-bashklojtarë i kam pasë edhe Gil dhe Machadon, të cilët kanë vdekë”, shtoi Bergonsi.

“Ju kam shkrue mesazhe në Facebook. Kam folë edhe me agjentin e Alan, por askush nuk di asgja, pos asaj që raportohet në media”, shtoi Bergonsi.