Rrëfimi interesant i trajnerit të parë të vllaznëve Xhaka kur ishin fëmi

Në vigjilje të duelit mes Taulant dhe Granit Xhakës, e përditshmja zvicerane “Blick” i ka ba nji vizitë trajnerit të parë të dy vllaznëve kosovarë.

“Ishin paksa ma të mirë se fëmitë e tjerë, por jo me ndonji diferencë kushedi çfarë”, kujton Andi Aihenberger, i cili para 18 vjetësh i mësoi për herë të parë lojën me top Taulantit gjashtë dhe Granitit pesëvjeçar.

Ishte vera e vitit 1998 kur Xhakët e vegjël erdhën në stërvitjen e parë me ekipin Konkordia të Baselit, por Aihenberger e kujton si të ishte dje: “Ishin fëmi të jashtëzakonshëm; modestë, të edukuem, të sjellshëm dhe paksa të marruem në fillim. I solli bab i tyne në stërvitje. Taulanti luente mesfushor, Graniti sulmues”.

Qysh në seancën e parë trajneri vërejti entuziazmin e vllaznëve për topin. “Donin të stërviteshin çdo ditë dhe menxi e prisnin ndeshjen e radhës në kampionat. Për pesë vjet arritëm shumë suksese, por patëm edhe disfata”, thotë tekniku zvicran.

Baba, Ragipi, ishte përherë aty, por asnjiherë nuk ndërhyni në punën e trajnerit. Aihenberger i ruen edhe sot lidhjet me familjen nga Prishtina, ndërsa takohet shpeshherë me Taulantin i cili jeton në Basel dhe asht titullar i padiskutueshëm te kampionët e Zvicrës.

“Sa herë më sheh, ndalet e më takon, më pyet si më shkojnë punët. Sot nuk asht ma ai djaloshi i marruem, por nji mesfushor i zoti”, thotë trajneri.