Shqipnia e largon austriaken e dyshueme për spiunim!

Ndodh edhe kështu. Mbas vetëm tri jave bashkëpunim, FSHF ka largue nga detyra e ndërlidhëses për marradhëniet me publikun të Kombëtares (veç për mediat ndërkombëtare) austriaken Karin Vitasek.
Kjo ndërpremje bashkëpunimi mësohet se ka ardhë për shkak të dyshimeve që ka pasë institucioni i futbollit shqiptar për informacionet që austriakja u jepte gazetarëve të huej në lidhje me ekipin.

Burime të “Panorama Sport” pranë Kombëtares së Shqipnisë, kallxojnë se Karin Vitasek jepte informacione ma shumë se sa duhej për mediat ndërkombëtare dhe kjo nuk i ka pëlqye aspak trajnerit De Biasi, e gjithashtu drejtuesve të FSHF’s.

Dekonspirimi i disa informacioneve që lidheshin direkt me ekipin në stërvitje, e veçanërisht te mediat zvicrane, ka ba që nga dje austriakja mos me qenë ma pjesë e stafit që merret me marradhëniet me publikun të Kombëtares në rezidencën e përkohshme në Francë.