Sot “San Siro” mbush 90 vjet. Këto janë 5 ngjarjet historike që kanë ndodhë në këtë stadium

Në vitin 1971, në disa dyqane disqesh shfaqej “Parabola”, albumi i parë i Roberto Vecchionit. Mes 10 kangëve të tij veçohej njana: “Luci a San Siro”, nji përjetim nostalgjik i rinisë së kangëtarit të viteve ’70, e mbi të gjitha të nji stadiumi që konsiderohet nga shumë milanistë si pika e referimit të qytetit.

Mundeni me quejt “San Siro”, apo “Giuseppe Meazza”, qysh të doni ju. Madje mundeni me quejt edhe si “La Scala e futbollit”, por kurrë nuk mund ta injoroni historinë e tij. Ndërsa sot, në përvjetorin e 90 të ditëlindjes së tij, nji nga mediat italiane ka përcjellë edhe etapat ma të randësishme të këtij impianti gjigant.

Etapa e parë, nisja e legjendës

Më 19 Shtator të vitit 1926, stadiumi ku kishte zhvillue ndeshjet Milani (ndërsa nga viti 1947 aty luen edhe Interi) kishte me u përurue me nji derbi, gjithsesi në kuadër miqësore. Atë ndeshje e fitonin zikaltrit 6-3, por i pari që shënoi ishte milanisti Giuseppe Santagostino, i mbiquejtun ndryshe “Pin”. Stadiumi, i cili u kërkue me ngulm nga presidenti i atëhershëm i kuqezijve Piero Pirelli, u ndërtue simbas nji modeli anglez. Ma saktë, nji tribunë qendrore e mbulueme dhe pa pistë atletike që kishte me i nda shikuesit nga fusha e gjelbërt. Ky ishte vetëm fillimi i legjendës.

Etapa e dytë, gjysëfinalja e Botnorit

Më 3 Qershor të vitit 1934, në këtë stadium u zhvillue gjysëfinalja e Botnorit italian, mes Italisë dhe Austrisë së mrekullive. Ndeshja përfundoi 1-0 për “axurrët”, me nji goll tepër të kontestuem të Enrique Guaita. Në fushë ishin edhe dy legjenda. Nga njani krah Matthias Sindelar, i cili në vitin 1939 vdiq në rrethana misterioze mbasi refuzoi publikisht të përshëndeste me stilin nazist përpara Hitlerit gjatë takimit të Anschluss, ndërsa nga krahu tjetër Giuseppe Meazza, i cili në atë kohë nuk kishte si ta dinte se ai stadium kishte me marrë së shpejti emnin e tij.

Etapa e tretë, koncerti i Bob Marley

Ishte 27 Qershori i vitit 1980. Dita e koncertit legjendar të Bob Marley në “San Siro”, nji prej ma të mëdhajve të karrierës së tij të jashtëzakonshme. Mbasditen e asaj dite, hapjen e koncertit e kishte ba Pino Daniele. Koncerti “Babylon” u mbyll me nji prej kangëve të tij ma të famshme “No Woman, no Cry”.

Etapa e katërt, Botnori “Italia ’90”

Mbas pothuejse 70 vjetësh, “San Siro” rikthehej të ishte në qendër të vëmendjes, si pritëse e nji ndeshje të kampionatit botnor. E me këtë rast, ishte ndërtue edhe “unaza” e tretë e mbulueme e saj. Mes shumë diskutimeve, fjalët që lanë ma shumë përshtypje, edhe pse papritun, ishin ato të aktores Edwige Fenech, që kur u pyet mbi stadiumin tha: “Më kujton paksa Calder, por mbi të gjitha Fernand Leger”. Ish-ylli i “Commedia Sexy” bani mandej nji paradë në ndeshjen përuruese, atë mes Argjentinës dhe Kamerunit. Nji ndeshje që hyni në histori për shkak të fitores së pabesueshme të afrikanëve, mbas gollit të shënuem nga Omam-Biyik.

Etapa e pestë, finalja e Champions League

Ngjarja e fundit e madhe e zhvillueme në të ishte ajo e 28 Majit të këtij viti. Finalja e Championsit mes Realit të Madridit dhe Atletico Madrid, nji derbi tanësisht madrilen në ndeshjen e fundit të garës ma të randësishëm europian për ekipe.

3_1474298331-3415284